Kaos në Aeroportin e Kabulit! Vritet një roje afgane e sigurisë dhe plagosen 3! Talebanët kërcënojnë perëndimin nëse zgjatet largimi i tyre nga Afganistani!

Një javë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, kaosi mbizotëron sërish në aeroportin e Kabulit. Orët e para të mëngjesit të së hënës ka pasur përplasje mes forcave afgane të sigurisë dhe subjekteve të paidentifikuar. Si pasojë e të cilave një anëtar i forcave afgane të sigurisë ka humbur jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Në konflikt u përfshinë edhe ushtarët amerikanë dhe gjermanë.

Ndërkohë që presidenti amerikan Joe Biden është zotuar për "angazhimin e tij të palëkundur" për të rikthyer shtetasit amerikanë dhe afganët në rrezik nga Afganistani, por paralajmëroi për pengesa, përfshirë kërcënimin e një sulmi nga Shteti Islamik i në Provincën Khorasan ( ISKP).

"Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje. Ne kemi bërë ndryshime, duke përfshirë shtrirjen e zonës së hyrjes përreth aeroportit zonës së sigurt. Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë’ u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Në anën tjetër, Biden nuk ka mohuar një zgjatje të afatit për tërheqjne e trupave amerikane edhe pas 31 gushtit, gjë e cila ka nxitur edhe reagimin e talebanëve.

"Nëse SHBA dhe Britania e Madhe përpiqen të fitojnë kohë për të vazhduar evakuimet nga Afganistani, do të ketë pasoja". Këto ishin fjalët e Suhail Shaheen, një zëdhënës i talibanëve, duke theksuar se nëse zgjatet qëndrimi I forcave perëndimore në vend do të thotë zgjatje të pushtimit dhe për këtë do të ketë pasoja.

Në anën tjetër Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e cila mban edhe presidencën e BE-së tha se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë një valë të emigrantëve nga Afganistani.

 “BE-ja nuk do të hapë asnjë korridor evropian humanitar ose migracioni për Afganistanin. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës”, shkroi Jansha në Twitter më 22 gusht.

Në përpjekje për të koordinuar një përgjigje të shpejtë dhe zgjidhje të situatës, kryeministri britanik Boris Johnson ka thirrur një takim urgjent të martën të liderëve të G7.

Që nga e diela e kaluar kur talebanët morën nën kontroll vendin të paktën 20 persona kanë humbur jetën ndërsa mijëra presin ende në radhë për tu larguar nga vendi që nuk u jep asgjë tjetër përveç frikës. Të paktën 28 mijë persona janë evakuuar që nga e diela ndërsa mijëra presin në radhë fluturimin e tyre, tanimë të ndihmuar edhe nga avionët civilë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:56
‘Një ditë tragjike në jetën time’, gazetari në Afganistan bën postimin prekës: Masakër, detyrohem të largohem nga vendi im

Mjafton pak fjalë për ta përshkruar atë që po ndodh sot në Afganistan. Gazetari afgan Bilal Sarwary, përshkruan shkurt të dielën e 22 gushtit, ku thotë se do e mbajë mend gjatë si një ditë që po i ndryshon krejtësisht jetën.

Pikërisht me këtë datë ai është i detyruar që të largohet nga vendi i tij, dhe për Sarwaryn ëndrrat dhe aspiratat e tij janë shkatërruar, ndërkohë që do të nisë një të ardhme që nuk e di ku dhe si do ta përplasë.

“E diel 22 gusht 2021: Dita kur largohem nga vendi im, qyteti im, Kabuli im. Një masakër e ëndrrave dhe aspiratave të mia. Një ditë tragjike në jetën time” shkruan Bilal Sarwary në statusin e tij në Twitter.

Ora 13:43
Momente prekëse! Marinsat amerikanë mbajnë në krahë dhe u japin ujë fëmijëve afganë

Fotot e disa ushtarëve amerikanë duke mbajtur në krahë foshnje afgane janë bërë virale në të gjithë botën, duke prekur zemrat e të gjithëve. Këto pamje tregojnë copëza të vogla humanizmi në mesin e ferrit që po e përjetojnë për së gjalli.

Ndërkohë që në një video tjetër një marins shfaqet duke u dhënë “një gllënjkë ujë” fëmijëve afganë dhe në të njëjtën kohë pak buzëqeshje.

Ai bën me shenjë se si fëmijët të hapin gojën dhe pastaj e vendos shishen në gojën e fëmijëve që duken për pak minuta të lumtur.

“Kush është ky ushtar amerikan në aeroportin e Kabulit? Ai ka marrë të gjithë vëmendjen në internet”, shkroi aktori Daniel Newman në Twitter.

Të gjitha këto imazhe, tregojnë se humanizmi nuk ka vdekur dhe ka ende shpresë.

Të paktën shtatë afganë humbën jetën ditën e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, pasi mijëra ende po përpiqeshin të largoheshin nga vendi në një eksod kaotik një javë pas marrjes së kontrollit nga talebanët.

Ora 12:36
Të shtëna me armë në aeroportin e Kabulit! Të gjithë ikin me vrap, por gazetarja vazhdon e patrembur raportimin

Raportimi i Sumaira Khan, korrespondentes pakistaneze në Afganistan po bën xhiron e botës dhe kjo jo pa një arsye.

Gjatë raportimit nga Kabuli, fillojnë goditjet me armë por ajo e pa shqetësuar vazhdon të japë informacionet e saj.

Si për të treguar se kur dëgjon shpesh të shtëna , njerëzit edhe mund të mësohen me to.

Ky është dukshëm rasti në Afganistan i cili po përjeton ditë kaq të vështira. Khan është reportere e Al Jazeera dhe BBC Arabic. 

Ngjarja e rëndë ndodhi në një prej raportimeve të saj në aeroportin e Kabulit. Njerëzit përreth saj filluan të vraponin pas breshërive të armëve, ndërsa Sumaira në vend mbetet e palëvizur dhe pa treguar në asnjë moment shenjë frike.

 

 

Ora 11:19
Turqia përforcon kontrollet kufitare, nuk do të lejojë kalimin e emigrantëve afganë

Turqia nuk mund të përballojë një valë shtesë migrimi, pasi ka dhënë strehë të  pothuajse 5 milion refugjatëve, ka deklaruar presidenti turke Rexhep Tayip Erdogan.

 Në një telefonatë me kreun e Këshillit Evropian Charles Michel, Erdogan tha se dëshiron një tranzicion të qetë në Afganistan, duke shtuar se nëse nuk merren masat e nevojshme, presioni mbi emigracionin nga Afganistani do të rritet edhe më shumë, gjë që do të përbëjë një sfidë serioze për të gjitha vendet.

Duke theksuar se vendet perëndimore kanë hapur dyert vetëm për personelin e tyre, Erdogan tha se Turqia nuk mund të pritet të marrë përgjegjësitë ndërkombëtare të vendeve të treta, vuri në dukje ai.

Përveç deklaratave të presidentit, vështirësitë për të hyrë në Turqi mund të kuptohen lehtësisht edhe nga terreni, emigrantët afganë që bëjnë udhëtimin njëjavor përmes Iranit në këmbë deri në kufirin turk përballen me gropat e thella katër metra, muret tre metra të montuar me tela me gjemba dhe një patrullë ushtarake që synon të parandalojë ata që përpiqen të kalojnë.

Forcat e sigurisë kontrollojnë çdo lëvizje në anën iraniane dhe patrullat janë në lëvizje gjatë gjithë kohës përgjatë asaj pjese të kufirit ku emigrantët, trafikantët dhe militantët kurdë zakonisht përpiqen të kalojnë për në Turqi.

Në rast se dikush kapet, ai dërgohet në anën iraniane të kufirit dhe i kërkohet të largohet. Por ndërsa largohen, emigrantët thonë se do ta provojnë sërish.

Pak ditë më parë edhe Greqia njoftoi përfundimin e një muri kundër emigrantëve në kufi me Turqinë, për të shmangur përsëritjen e krizës së vitit 2015.

Ora 11:00
Studentja afgane: Hej botë, a të intereson çfarë po ndodh këtu?

Një javë pas marrjes së vendit nga talebanët, shumë afganë nuk janë të sigurt se çfarë do të thotë kjo për jetën dhe sigurinë e tyre. Një studente tregon frikërat e saj për të ardhmen. BBC nuk e identifikon për të mbrojtur sigurinë e saj.

Letra e plotë:

“Është dita e shtatë që kur vendi u rrëzua, presidenti u arratis dhe talebanët, erdhën sërish në pushtet.

Ne kemi mbetur pas …

Frika ka pushtuar të gjithë qenien time dhe me kalimin e ditëve, mund të ndiej se si shpresa po zbehet orë pas ore dhe ajo po zëvendësohet nga zhgënjimi. Gjithçka që mund të shoh është errësira, pasiguria dhe një e ardhme jo aq e ndritur.

Me siguri do të më vrasin. Unë kam arsye për të qenë …

Kështu ndihesh kur ata të cilët I ke frikë marrin nën kontroll vendin.

Imagjinoni të gjendeni në një rrugë të gjatë, pa fund, me mot të mjegullt; vetëm

Unë kam qenë dëshmitare e kaq shumë sfidave në jetën time, që asnjë vajzë tjetër nuk do të ishte në gjendje t’i tolerojë. Unë arrita t’i kapërcej, por kjo …

Hej botë, a të intereson se çfarë po ndodh këtu? A kemi ne rëndësi për ju? Na shihni?

Unë po e shkruaj këtë letër për ata që na dëgjojnë, për ata që kujdesen. Po e them. Ne po vuajmë këtu, po na lënë prapa.

Të jetosh me frikë nuk është më pak se vdekja. Është më keq.

Nëse na dëgjoni, na ndihmoni. Na ndihmoni të mbijetojmë dhe na bëni të besojmë sërish në dritë dhe të ngrihemi, më të fortë se më parë.

Ne duam që vendi ynë të kthehet. Dëshironi që njerëzit tanë të jetojnë ashtu siç duan, ashtu siç e meritojnë.

Thuajini vendeve tuaja që të ndalojnë luftën, lufta është e shëmtuar, ka fytyrë të ndyrë, nuk ka fitues. Zemra është shumë e vogël për të duruar luftën, për të duruar pasojat e saj.

Ne jemi fryt i luftës, disa vajza të reja të mbytura në pasiguri, në frikë, në dyshime … duke kërkuar dikë që të na ndihmojë të mbijetojmë. Duke parë familjet tona dhe duke qarë se nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë.

Duke parë qiellin dhe duke kërkuar prej tij: na shihni, a do të na ndihmoni? A do të kem shpresë, asnjë fije shprese! Hej botë, hej që jeni me fat që jetoni! Unë e kam zili jetën që jetoni.

Na shikoni ne. Unë isha ajo me kaq shumë ëndrra të mëdha, që ëndërroja për të ndihmuar të tjerët dhe tani po kërkoj ndihmë.

Kjo është luftë. A do të jem në gjendje të them ndonjëherë: Ne e bëmë atë? A mund t’ia dalim? Do ta bëj? “

Ora 10:08
BE kundër një vale migrantësh nga Afganistani! Janez Jansha: Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, vendi I të cilët kryeson edhe presidencën e BE-së  tha se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë një valë të migrantëve nga Afganistani.

"BE-ja nuk do të hapë asnjë korridor evropian humanitar ose migracioni për Afganistanin. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës", shkroi Jansha në Twitter.

Kryeministri slloven theksoi se do të kishte shtesa të kontrolleve kufitare ndërsa tha se blloku 27-anëtarësh do të pranojë vetëm individë që ndihmuan misionin e NATO -s në Afganistan.

Në anën tjetër disa vende të BE-së po bëjnë thirrje që refugjatëve t'u garantohet siguria në vendet fqinje me Afganistanin. Ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, javën e kaluar bëri thirrje për veprim të koordinuar të BE -së mbi migracionin.

Në vitin 2015 më shumë se 1 milion refugjatë nga Lindja e Mesme, të cilët iknin nga luftrat dhe varfëria arritën në Bashkimin Evropian.

Mijëra afganë po synojnë të largohen nga vendi pasi kontrollin e morën talibanët pas 20-vjetësh të prezencës së forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

 

Ora 09:17
Shkëmbim zjarri në aeroportin e Kabulit, vritet një roje afgane e sigurisë dhe plagosen 3 të tjerë

Sërish kaos në aeroportin e Kabulit. Mëngjesin e së hënës ka patur përplasje mes forcave afgane të sigurisë dhe subjekteve të paidentifikuar. Si pasojë e të cilave një anëtar i forcave afgane të sigurisë ka humbur jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Në konflikt u përfshinë edhe ushtarët amerikanë dhe gjermanë.

Të gjithë ushtarët e Bundeswehr janë të padëmtuar, konfirmoi ushtria gjermane.

Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë reagim nga ushtria amerikane, NATO apo talebanët. Incidenti ndodhi në të njëjtën skenë ku të shtunën një turmë e përfshirë nga paniku vrau shtatë civilë afganë.

Konfirmimi vjen nga llogaria zyrtare në Twitter e Forcave të Armatosura Gjermane, Bundeswehr.

Ora 08:09
Evakuimet nga Afganistani, Biden: Po vijojnë me ritme të shpejta, 11 mijë persona u tërhoqën nga Kabuli gjatë fundjavës

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se 11,000 persona janë evakuuar nga Kabuli gjatë fundjavës dhe është zotuar që t’iu ndihmojë të gjithë amerikanëve që duan të largohen nga Afganistani.

Biden tha se përpjekjet për të evakuuar njerëzit nga aeroporti i Kabulit po përshpejtohen, me trupat amerikane që zgjerojnë perimetrin rreth vendit.

Mijera afganë janë në radhë para portave hyrëse në aeroportin e Kabulit në përpjekje të dëshpëruara për të ikur nga vendi pasi talebanët erdhën në pushtet më 15 gusht.

Zoti Biden tha të dielën se SHBA kishte evakuuar gati 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar.

Ai tashme po përballet me presionin për të zgjatur një afat për evakuimet përtej 31 gushtit.

Presidenti tha se diskutimet po zhvilloheshin me udhëheqësit e vendeve të tjera për shtyrjen e afatit, por se sipas tij nuk do të jetë e nevojshme që të shtyhet afati.

"Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje", u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

"Ne kemi bërë ndryshime, duke përfshirë shtrirjen e zonës së hyrjes përreth aeroportit - zonës së sigurt," tha ai, duke shtuar: ‘Ne kemi një rrugë të gjatë për të bërë’

Më herët, Pentagoni tha në një deklaratë se 18 avionë komercial do të përdoreshin për të ndihmuar transferimin e evakuuarve në vendet e treta nga vendet e sigurta jashtë Afganistanit.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat