TIRANE - Sekretariati i Etikës i Kuvendit përjashtoi me 10 ditë Ervin Salianji, Edmond Spaho dhe Petrit Doda, deputetët e grupit të Rithemelimit.

Partia Socialiste me firmën e 15 deputetëve kërkoi përjashtimin e tre deputetëve Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho si autorë të kaosit dje në Kuvend.

Sekretariati i Etikës u mblodh online  

Të përjashtuar nga mbledhja online e sekretariatit ishin deputetët Saimir Koreshi dhe Bledion Nallbati, për shkak të trazirave të seancës së kaluar.

Ndërkohë Policia dhe Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbledhur provat për pamjet filmike të kamerave të sigurisë të sallës së parlamentit ku në seancën e 2 nëntorit deputetët e Rithemelimit krijuan kaos duke marrë karriget dhe i vendosur para foltores, mëson Report Tv.

Dje, pasi seanca u mbyll në ambientet e Kuvendit shkoi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj si dhe dy oficerë të BKH të kryenin verifikim në lidhje me incidentet e shkaktuara brenda sallës plenare të Kuvendit nga deputetët e opozitës. Verifikim do të ketë për hedhjen e tymueseve dhe aktet e dhunës në sallë. 

Ende nuk dihet akuzat konkrekte që do të ngrihen, apo emrat e deputetëve që do të jenë në verifikim dhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK ende nuk kanë dalë me një qëndrim.

Grupi i Rithemelimit është shprehur i vendosur se do të vijojë skenarin e kaosit me qëllim moslejimin e zhvillimit normal të punimeve në parlament pasi akuzojnë maxhorancën se po kërkon të asgjësojë opozitën duke iu refuzuar e drejta e tyre kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, dhe vendosjen e bashkëkryetarit Oerd Bylykbashi në vend të Enkelejd Alibeajt në Komisionin e Reformës zgjedhore. 

Skenat e kaosit në parlament nga mbështetësit e Sali Berishës, në hetim pasi është i akuzuar për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, janë të përsëritura prej 19 tetorit kur dhe u mor vendimi për përjashtimin e 10 deputetëve të grupit të Rithemelimit.

Ndërkohë pas seancës së djeshme në një mbledhje urgjente me grupin parlamentar grupi i Rithemelimit paralajmëroi se do të paraqesë kallëzim penal në SPAK për Lindita Nikollen duke e akuzuar se lejoi punonjësit e Gardës të futen të armatosur në sallën e Parlamentit. Vetë Garda përmes një reagimi për Report Tv e mohoi.  

Lajmi ne perditesim 

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:11
'Veprimet guerrilase bëhen në mal jo në parlament!' Sali Berisha zihet ngusht për kaosin në parlament, i kujtojnë deklaratën e 2015

1698915466_39884331213915777547710617083175325532277359n.jpg

Sali Berisha zihet ngushtë dhe përpiqet të justifikojë aktet e kaosit në seancën e djeshme parlamentare, veprime të cilat në 2015 kur deputetët e Vetëvendosjes i bënë në parlamentin e Kosovës, i quajti veprime guerrilase dhe madje këshilloi Kurtin duke i thënë se nëse donte të bënte guerrilasin të dilte në mal.

Në konferencën e sotme për median Berisha u pyet: Më 3 dhjetor 2015 ka pasur zhvillime në Kosovë ku deputetët e Vetëvendosjes bënin trazira përfshi dhe gazin lotsjellës. Ju zoti Sali Berisha deklaruat: "Më thoni mua në cilin parlament të botës hidhen bomba me gaz dhe kryhen veprime guerrilase. Nëse do të bësh guerrilasin dil në mal. Çfarë po bën Sali Berisha në kuvend?" 

Sali Berisha: Dakord por më thuaj pak cila e drejtë kushtetuese iu mohua deputetëve të Vetëvendosjes? Nëse deputetëve të Vetëvendosjes nuk iu lejohej krijimi i komisioneve hetimore parlamentare.

Iu mohua atyre e drejta e komisionit hetimor parlamentar, a ishte paralizuar e drejta e iniciativës ligjvënëse?  Iu caktonte atyre kryeministri i vendit përfaqësuesit në komisionin e reformës zgjedhore. Nëse kanë ndodhur Sali Berisha publikisht do i kërkojë të falur. Por në dijeninë time nuk kanë ndodhur.

Kjo që ndodh sot është një aksion i detyruar për të mos bojkotuar parlamentin. Është një betejë për të rikthyer normalitetin dhe kushtetutshmërinë. Prapa protestës së deputetëve në opozitë duhet të shikosh shëmtinë e pafundme të qeverisë që u mohon atyre të drejtat kushtetuese në sallë. Në çdo moment kjo protestë ka vetëm një qëllim, garantimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Ideja e krahasimit me qëndrimet që kam mbajtur ndaj Vetëvendosjes nuk qëndron. Megjithatë ai që më thotë shkaqet që kanë qenë në kushtet e shkeljes së kushtetutës i tërheq fjalët e mia." 

 

Lajmi ne perditesim...