Koha tregoi se Sali Berisha u rikthye në Partinë Demokratike vetëm për interesat personale dhe për ta përdorur atë për qëllimet e tij dhe jo të elektoratit dhe qytetarëve.
Kështu shprehet deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj pas situatës së fundit politike me Primaret dhe listat e mbyllura të PD-së, ku pati zhgënjim të jashtëzakonshëm mes elitës së deputetëve që mbetën jashtë edhe pse fituan primaret, ku bie në sy përfshirja e besnikëve të Berishës si kandidatë për deputetë të sigurt në zgjedhjet e 11 majit.
Xhaferraj, i ftuar sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, u shpreh se gjatë këtyre tre viteve Berisha nuk ka pasur asnjë qëllim për të riorganizuar partinë dhe fituar zgjedhjet, pasi edhe sulmi ndaj Lulzim Bashës erdhi vetëm pasi ai e përjashtoi nga partia dhe jo për shkak të humbjeve elektorale të ish-kryetarit.

Xhaferraj e quan një “zinxhir gabimesh të PD-së”, teksa listat dhe primaret ishin hallka e fundit e tyre. I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj, ai u përgjigj:
“Një zinxhir gabimesh të PD-së. Primaret dhe listat ishin hallkat e fundit të gabimeve. Nuk ishin të rastësishme por të nisura 3 vite më parë, nuk fillon këtu por tre vite më parë, kur Berisha u rikthye dhe kishte dilema të mëdha, të rikthehej për të forcuar PD-në apo për ta përdorur për interesa të kryetarit. Me argumente dhe fakte rezulton se vendimmarrja ka qenë për ta përdorur partinë për interesa të kryetarit dhe faktet të çojnë këtu. Nuk jam pishman që PD duhej bashkuar, që të ishim faktor opozitar. Kam qenë madje i vetmi që kam pasur metaforën se ‘pa Berishën nuk bëhet, por edhe me Berishën i pari nuk bëhet’. Ne na duhej një parti përtej Berishës si kryetar, që të aktivizonte edhe faktorin ndërkombëtar, si dhe për të pasur reformën në drejtësi si një bombë elektorale”.
Kurse për listat shprehet se në to u zhvlerësuan Primaret dhe u zgjodhën “besnikët e kryetarit”. Për të Berisha ka pasur një axhendë personale dhe me interesa vetjake.
“Ka qenë axhendë që i shërben axhendës së kryetarit, u zgjodhën besnik të kryetarit. Na çoi edhe në kundërshtim me SPAK-un, sepse ashtu donte kryetari fatkeqësisht, sikurse edhe për Primaret që u zhbënë. Kam dëshirë ta them që PD tani është aktualisht më e keqja më e vogël. Sepse lidershipi i PD po ë përdor për interesa vetjake dhe jo për të fituar zgjedhjet. E them me keqardhje këtë”, konstaton deputeti dinamikën politike të partisë në këto tre vite.
I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj se përse Sali Berisha nuk do që t’i fitojë zgjedhjet, por ka interesa personale, deputeti Ferdinand Xhaferraj tha se këtë përgjigje mund ta kishte vetëm kreu i partisë.
Por ai shtoi se dinamika e ngjarjeve politike brenda demokratëve tre vitet e fundit tregoi se ai kishte axhendë personale më shumë sesa elektorale.
“Më i qartë nga të gjithë pse nuk i fitojmë dot zgjedhjeve e di shumë më mirë vetëm Berisha. Ai u largua në 2013, me të mira e të këqija, edhe me kalimin e kohës, se koha bën të sajat, ai u dorëhoq. Tani rikthimi ka gjërat e veta, u rikthye për axhendë personale apo për interesat e PD-së? Ai ishte investitori kryesor i përkrahjes së Bashës humbje pas humbje dhe pastaj e sulmoi dhe e largoi pas 2022 dhe kjo ngre dyshime të forta dhe më bëjnë të mendoj se PD është në funksion të axhendës së kryetarit dhe jo zgjedhjeve dhe partisë. Ai e sulmoi Bashën kur ai e përjashtoi nga partia. Unë nuk i gënjej qytetarët durrsakë se doja një vend në parlament, unë këto vite gjysmën kam qenë brenda parlamentit dhe gjysmën e kohës jashtë tij. Kam qenë konsistent në linjën time politike”, thotë deputeti demokrat për Report Tv.
Dhe në fund ai është i qartë për përfundimin e kësaj historie elektorale duke parë situatën. Edhe pse shpreson që opozita të arrijë rotacionin më 11 maj, Xhaferraj thotë se nëse Berisha humbet, ai duhet të largohet përfundimisht nga lidershipi dhe partia te ketë emra të rinj.
“Kam qenë edhe më parë kundër zotit Berisha, bashkë me Genc Pollon. Berisha u rikthye më 2005, përqafoi parimet e krijuara në atë kohë, në qëndrimet djathtas. E mbështetëm dhe u bënë gjëra. Nëse Berisha në këto zgjedhje del edhe më keq se Basha në 2021, atëherë kjo duhet të çojë në lënien e lidershpipit të PD-së, se na duhet lidership i ri që të mos humbim në 2009. Do e kuptoja një fushatë të fortë dhe rezultat të ngushtë me pak mandate dhe listën e deputetëve. Do kisha dëshirë që të fitonte këto zgjedhje opozita, por prevalojnë interesat e vendit dhe qytetarëve.
Por unë mendoj se Berisha dhe Rama duhet të ngrihen në nivelin e Fatos Nanos në 2005, të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, të lënë retorikat dhe të largohen”, përfundoi Xhaferraj.
Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj u shpreh në ‘Studio Live’ se përtej mërzitjes së tij se nuk u bë pjesë e listave, ndihet i keqardhur për ata që u përfshinë në listat e mbyllura dhe për më tepër farsën që rezultuan primaret e PD, pasi u zhgënjyen shumë figura që fituan garën por u lanë jashtë.
Deputeti tha se e meritonte që të ishte në listë pasi i ka përfaqësuar më së miri qytetarët dhe elektoratin demokrat në Durrës, por Berisha preferoi interesat e individit.
“Interesat e individit qëndrojnë në politikë. Unë mendoja se e meritoja të isha deputet, sepse i kam shërbyer interesave të qytetarëve të Durrësit. Ka qenë pro apo kundër SPAK janë brenda asaj që përshkrova në këtë rrjedhë politike dhe e thashë, rikthimi i Berishës ka qenë për ta vendosur partinë në shërbim të kryetarit, jo për të fituar. Ne u bashkuam me të në 2023 sepse menduam se ai mund ta faktorizonte opozitën, por humbi me Ramën, edhe pse mundi Bashën. Ne mendonim se ai mund të shkonte te elektorati gri dhe këto 3 vite nuk i pamë këto, por pamë se i shërbenin vetëm kryetarit, njëherë poshtë ballkonit dhe një herë para SPAK. Në 3 vite nuk investuam me lidershpip e parti përtej PD-së, nuk e bëmë gjënë e duhur”, thotë Xhaferraj.
Ligjvënësi vijon duke shpjeguar se tani është e qartë se kjo parti nuk përfaqëson më interesat e elektoratit apo qytetarëve dhe se ai nuk mund të bëhet pjesë e saj, por do vijojë të punojë për të.
“Me dhjetëra takime me anëtarë të partisë në Durrës, e kam thënë se unë nuk bëhem pjesë e një fushate ku vendimmarrja nuk përfaqëson. E kam mbështetur 2005-2009 kur i shërbehej vendit dhe kundër Berishës, kur nuk ka qenë për interesin qytetar dhe të partisë. E gjithë vendimmarrja e PD-së në 3 vite, këto tani janë hallka e fundit, kanë qenë të gabuara. Nuk i shërben fitores së zgjedhjeve”, thekson deputeti.
Komente


Ca ka bo ndonjehere ndonje gjo ky pervec rregullimit te cilesise se diellit qe e dime te gjith
Përgjigjuhahaha o diell, po ku je mo se jkishe humbur fare./ njeri pa asnje kontribut ne pd, vec ke perffituar
Përgjigju