KORCE - Një person është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës këtë të mërkurë pasi ka tentuar të kalojë 9 pako me 9.3 kilogramë kanabis drejt Greqisë.
Personi i arrestuar gjatë operacionit të koduar "Maskimi" është identifikuar me inicialet R.T, 49 vjeç, banues në fshatin Drenovë të Korçës, pasi dyshohet se do trafikonte drogën me automjetin e tij tip “Benz” në drejtim të Greqisë.
Ndërkohë sipas asaj që deklaron policia pakot ju gjetën në mjet me të cilin udhetonte drejt Greqisë.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë dhe autoritetet doganore në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Maskimi". Si rezultat i këtij operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: -R. T., 49 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë. Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Policia Kufitare ka kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin R. T. Gjatë kontrollit të detajuar, në pjesën e bagazhit, tek bombola e gazit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 9.3 kilogramë, sasi të cilën 49-vjeçari synonte t'a trafikonte në drejtim të Greqisë", njofton policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.