Një 23-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e Policisë Kufitare në Muriqan, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria.

I riu, me inicialet E.M, banues në Francë, u ndalua pas kontrolleve të shtuara nga shërbimet e policisë dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën,

I riu rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës, i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Pas ndalimit, ai është arrestuar me qëllim ekstradimin. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, ka nisur procedurat për dërgimin e tij drejt Kosovës, ku do të përballet me drejtësinë.

Njoftimi i plotë i Policisë Kufitare 

"Kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Kosovë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në dalje të RSh-së, shtetasin E. M., 23 vjeç, banues në Francë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale “Prodhim dhe shitje tëlëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.   Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 23-vjeçarit, në Kosovë"