Kapitullimi pa kushte i shtetit shqipta

Kapitullimi pa kushte i shtetit shqipta
Tetë vjet të shkuara, pas një lobimi të gjatë nga një sërë emrash të njohur të kulturës europiane, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi unanimisht të pranonte Gjirokastrën në gjirin e saj për vlerat universale që mbart ky qytet. Shqipëria përveç Butrinti mund të krenohej tashmë edhe me Gjirokastrën.

Hyrja në një klub të tillë prestigjioz, sigurisht që ka edhe detyrimet e veta. Por fatkeqësisht shteti shqiptar, më saktë Ministria e Kulturës ka dështuar në mënyrë spektakolare për të përmbushur detyrimet ligjore të këtij Klubi Elitar. Institucionet tona Kulturore nuk janë të afta për të mbrojtur, jo vetëm Trashëgiminë Kulturore Shqiptare por edhe atë Botërore një angazhim që kanë marrë në emër të shqiptareve kur kërkuan të anëtarësoheshin në UNESCO.

Dje ishte 8 vjetori i pranimit të Gjirokastrës në UNESCO. Festë e madhe dhe shumë të rinj. Ndoshta si asnjëherë tjetër, rinia kishte ardhur në Gjirokastër. Po dje në Gjirokastër bashkë me një sërë miqsh të mitë isha edhe unë për të folur mbi rëndësinë e madhe të vlerave që ka ky qytet. I ftuar nga deputeti i ri Erjon Veliaj, së bashku me Artan Shkrelin, Artan Lamen, Pëllumb Xhufin dhe Dr.Koçollarin sollëm për njerëzit që kishin ardhur të na dëgjonin dëshmi historike të këtij qyteti.

Meqenëse kam qenë personalisht në një debat publik me Institutin e Monumenteve dhe me ministrin që iku dhe atë që erdhi për një ndërtim skandaloz që po kryhet në sheshin qendror të qytetit, vajta për ta parë se ç’po bëhej me të. Nuk mund të besoja se, ndërkohë që si unë si të tjerë që debatonin mbi këtë shkelje flagrante të Ligjit, ndërtuesit ditën për diell vazhdonin të lartësonin godinën e tyre, pa ua bërë syri tërr.

Kjo godinë mu në sheshin kryesor të Gjirokastrës, aty ku dikur ishte vendosur Shtatorja e Enver Hoxhës është simboli më i qartë i falimentimit të shtetit shqiptar në fushën e Trashëgimisë. E ngritur në mënyrën më flagrante të shkeljeve të Ligjit dhe konventave të Trashëgimisë, me leje të shkruar nga ish-ministri i Kulturës. Aldo Bumçi, me aprovimin e heshtur të poetit ministër Zhiti, me firmat e një sërë profesorësh të tredhur të Këshillit të Lartë të Restaurimeve, godina simbolizon falimentimin e shtetit shqiptar.

Falimentin përpallë klientelizmit, korrupsionit, ndërhyrjes së deputetëve për një grusht votash e kështu me radhë. Kjo godinë dhe simbolika e saj u debatuan në mbledhjen e fundit të UNESCO-s ku qartësisht iu kërkua Ministrisë së Kulturës të ndërhynte për të ndaluar ndërtimet në Sheshin e Qytetit. Por JO, mu në mes të ditës punëtorët vazhdonin të ndërtonin pa asnjë problem, pa përballjen me Ligjin, pa reagimin e komunitetit, dhe ajo që më çudit më shumë nën dritaret e Bashkisë se Qytetit.

Unë iu heq kapelën pronarëve të truallit të cilët kanë guximin e vazhdojnë të ndërtojnë në një shtet rrumpallë si ky yni, përse të mos e bëjnë? Kur dy deputetë gjirokastritë që janë në qeveri, Genc Ruli e Spiro Ksera nuk flasin, kur poeti Zhiti nuk flet, kur Drejtori i Trashëgimisë që i punon babi këshilltar tek Sali Berisha nuk di gjë, kur profesorët e tredhur të IMK firmosin falsifikimin e projektit, kur Drejtori i IMK-së,profesor Baçe thotë “përse të mos bëhet”, a thua se ai vjen nga Marsi dhe nuk i di ligjet në fuqi, kur vetë IMK, institucioni që ka detyrë ligjore të ruajë monumente ua harton projektin pronareve, përse këta njerëz që kanë pronat të mos ndërtojnë? Ky shtet është han pa porta dhe në një rrëmujë të tillë, përse të mos shfrytëzosh rastin dhe të bësh ç’të duash?

Unë personalisht nuk kam asgjë kundër këtyre pronarëve, por edhe kundër të gjithë atyre që po ndërtojnë në zona historike. Ata janë në të drejtën e tyre të pushtojnë, zaptojnë, ndërtojnë, lartësojnë çfarëdolloj ndërtese që duan. 
Dikur kundër këtij takëmi bota e qytetëruar ndërtonte mure mbrojtëse, pastaj Kala dhe Fortifikime të sofistikuara. Më vonë në kohët tona u shpikën edhe institucionet mbrojtëse, të cilat e mbrojnë civilizimin nga këto shkatërrime. Mirëpo duket se përpos mureve, kalave e fortifikimeve, këta njerëz kanë pushtuar edhe institucionet. Kështu që nuk ka asnjë dyshim se shteti shqiptar sot është i kapitulluar përfundimisht.

Këtë përfundim e kanë nxjerr, mesa duket edhe shqiptarët që votuan kundër këtij kapitullimi. Prandaj pas shtatorit e tutje, në Gjirokastër nuk shkohet më për t’u treguar njerëzve histori, por për t’u treguar sesi bëhet shteti. Drejtësia në Trashëgimi duhet të fillojë pikërisht nga simbole të tilla korrupsioni, ku të gjithë ata që kanë lejuar që Shteti të kapitullojë të përballen me drejtësinë. Besoj se ky do të jetë thelbi i leksioneve të ardhshme, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Krujë, Butrint apo Apoloni, Tiranë apo Korçë, e kështu me radhë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
                       
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor