FIER - Nga ekspertiza e bërë në Greqi për të gjetur pasojat e vdekjes së 40-vjeçarit Ilia (Ilir) Kareli, rezulton se është rrahur prej dy javësh dhe dhunuar me elektroshok vazhdimisht në 10 ditët e fundit. Por ekspertiza e bërë në Greqi për vdekjen e shqiptarit nuk është e saktë, pasi mungojnë shumë detaje. Ndaj, po kryhet një riekspertim në Shqipëri. Ndërkaq janë marrë në pyetje 15 gardianë të burgut të Malandrinos dhe Nigritas në Geqi, lidhur me vdekjen e Ilia Karelit.

Lidhur me ekspertizën e bërë në Greqi, burime zyrtare nga Prokuroria e Fierit thanë se, “nga 15 shenja dhune që ndodhën në trupin e Ilia (Ilir) Karelit dhe qe i kanë shkaktuar vdekjen, janë raportuar në akt ekspertimin e palës greke, vetëm disa prej këtyre”.

Kjo ka qenë edhe arsyeja e një riekspertimi të ri. Për këtë arsye dhe pas kërkesës së familjarëve, Prokuroria e Fierit e cila ka nisur dhe një hetim për këtë ngjarje të rëndë, ka kërkuar një tjetër riekspertim, këtë herë nga ana e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të Tiranës.

Burime nga ky institucion kanë bërë të ditur se, Kareli ka fraktura të kafkës, thyerje të saj. Ndërkohë që atij i janë hequr edhe thonjtë.

Burime nga Prokuroria e Fierit kanë bërë të ditur sot se, kanë nisur një procedim penal për vdekjen e të burgosurit Ilia (Ilir) Kareli në qelitë e burgut të Nigritias në Greqi. Kallëzimi penal është bërë nga familjarët e Karelit, ose siç njihet në fshatin Zhupan të Fierit, Kudret Kume.
 
Pas kallëzimit nga ana e familjarëve, prokuroria ka kërkuar një riekspertim të trupit të viktimës, pasi sipas tyre, akti i ekspertimit të sjellë nga Greqia ishte i paplotë.

Nga ana tjetër halla e Karelit ka akuzuar ka deklaruar se, “nëse i kani hequr organet gjenitale, grekët do të mbajnë përgjegjësi”.

Një prej të afërmve ka treguar për A1Report se, Kareli ishte i masakruar, ndërsa ishte i dëmtuar edhe në organet gjenitale.
 
"Viktima ishte i goditur në të gjitha pjesët e trupit, bile syri i djathtë ishte pothuajse i plasur. Gjoksi i majtë komplet i shtypur, komplet mbrapa shpatullat. Ishte i shtypur edhe në pjesët gjenitale të njeriut”, thotë i afërmi i Ilia (Ilir) Karelit.

Ndërkaq që ditën e djeshme në Fier ka qenë edhe vetë drejtori i Mjekësisë Ligjore, i cili ka kryer ekspertime.