Në Katar është zhvilluar dita e gjashtë e Botërorit të Katarit. Sipas mediave ndërkombëtare, veç ceremonisë hapëse dhe ndeshjes së parë mes Katarit dhe Ekuadorit, për sfidat e tjera ka pasur një tkurrje të shikueshmërisë në TV.

Në SHBA interesin më të madh e ka pasur përfaqësuesja e tyre, teksa sfida kundër Uellsit u ndoq nga afro 12 milionë shikues në kanalin që transmetonte në anglisht. 3.7 milionë shikues ndoqën kombëtaren e tyre edhe në Kanada, kjo në gjuhën fërngjisht, teksa në total shikueshmëria e Kanadasë arriti në 8.9 milionë, ose një në katër persona ishte duke ndjekur ndeshjen.

Fitorja e Anglisë nga Iranit u ndoq në BBC nga 8 milionë njerëz, edhe pse në Britani bëhet një ndarje sa i takon skuadrave. Shifrat janë shumë të ulëta krahasuar me Botërorin e Rusisë në 2018. Përjashtim në këtë mes bën Uellsi, me kombëtaren e këtij vendi që u ndoq nga 13 milionë njerëz, kjo edhe për shkak se prej 1958 Uellsi nuk merrte pjesë në Botëror.

Nëse në Kupën e Botës 2018 Gjermaninë e ndoqën 26 milionë persona, sfida me Japoninë këtë Botëror nëpërmjet ARD u ndoq nga vetëm 9.2 milionë tifozë. Gjithçka e ka një shpjegim dhe kjo lidhet me Botërorin që për herë të parë po bëhet në dimër. Pjesa më e madhe e njerëzve këtë periudhë janë në punë dhe kanë mundësi t'i ndjekin ndeshjet gjatë fundjavës. Eksperimenti me Botërorin në dimër duket se po dështon, me tifozët që kanë angazhime të tjera.