Argjentina fitoi 2-0 me Meksikën për Kupën e Botës, duke u rikthyer në garë për kalimin e grupit. Pas ndeshjes foli edhe trajneri i Albicelestes, Lionel Scaloni. Trajneri në fillim tregoi për dashurinë që kanë fansat për ekipin dhe frikën e kundërshtarëve kur luajnë përballë Argjentinës.
"Është një lojë futbolli. Ndjenja që po luajmë më shumë se një ndeshje futbolli nuk është e bukur dhe kjo mua nuk më pëlqen. Ne do të përpiqemi t'i bëjmë tifozët tanë të ndihen sikur është thjesht një lojë futbolli. Pavarësisht se është e vështirë t'i bësh njerëzit të kuptojnë se nesër dielli do të lindë sërish nëse fiton apo humbet. Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët e mi dhe i emocionuar për atë që kemi bërë", tha fillimisht Scaloni.
Më pas trajneri i Argjentinës tregoi edhe mënyrën e lojës së ekipit të tij, si edhe ndryshimin e kundërshtarëve me Messin në fushë.
"Do të jetë e vështirë. Të gjitha skuadrat luajnë me stil të ndryshëm loje dhe çdo ekip ndryshon kundër nesh, jo vetëm sepse luan Messi, por sepse kanë përballë Argjentinën dhe kanë frikë. Kjo e rrit vështirësinë e ndeshjes. Ne duam ta fitojmë sfidën e fundit në grup përball Polonisë, këtë duam të gjithë", përfundoi Scaloni.
Komente










