Këndi i Ekspertit/ Pensionet e diplomatëve, si përfitohen dhe dokumentat

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për pensionet e punonjësve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai ka shpjeguar se si e përfitojnë diplomatët pensionin dhe se cili është dokumentacioni që u nevojitet për të. Gjithashtu profesor Fadil Kepi sqaron se si përfitohen pensionet suplementare nga familjarët e diplomatëve dhe si llogariten ato. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet e punonjësve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Si e përfitojnë diplomatët pensionin? Cili është dokumentacioni që u nevojitet për pension? Si përfitohen pensionet suplementare dhe si llogariten?

Të gjithë personat, të cilët kanë kryer apo vazhdojnë të kryejnë funksione diplomatike, si ambasador, konsull, atashe, sekretar ambasade dhe punonjës të tjerë pranë ambasadave tona, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore edhe për pension pleqërie edhe për pension suplementar. Nga rroga që ata marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, 3%-5%, sipas funksioneve që ata kryejnë si funksionarë në ambasadat tona, u mbahen nga rroga për pensionet suplementare, përveç kontributeve që u mbahen për pensionet e pleqërisë.

Pasi këta persona mbarojnë së kryeri funksionet, në përgjithësi, ose përpara se të shkojnë ambasadorë apo në detyra të tjera, siç thashë, konsuj, atashe, këshilltarë në ambasada, punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pra, kualifikohen, përveç studimeve të larta që kanë kryer dhe gjuhëve të huaja që kanë mësuar.

Të gjitha këto shërbime apo funksione që ata kryejnë, përkthehen në pensione në të ardhmen?

Të gjitha këto vite shërbimi apo funksione, atyre u njihen si vjetërsi pune për pension sepse paguajnë dy lloje kontributesh. Mirëpo ka raste, kur burri emërohet ambasador dhe gruaja, detyrimisht, ndërpret punën e saj dhe e shoqëron atë. Ose ka raste kur gruaja është pa punë dhe e shoqëron bashkëshortin. Në këtë rast Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore edhe për bashkëshorten. Natyrisht që ajo nuk do të përfitojë pension suplementar sepse nuk kryen ndonjë funksion.

Po në rastin kur gruaja në Shqipëri ka qenë e papunësuar?

Përsëri Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 411, të vitit 2017, për ato gra që nuk kanë filluar punë ose që e kanë ndërprerë punën në momentin që largohen nga Shqipëria për të shoqëruar burrin, kontributet e sigurimeve shoqërore u paguhen mbi pagën minimale, e cila është 26.000 lekë të rinj. Këto pensione i cakton vetëm Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ku është ngritur një drejtori e veçantë për pensionet suplementare.

Pensionet suplementare, bashkë me pensionet e zakonshme, kanë një kufi. P.sh., në qoftë se një punonjës e mbaroi detyrën si ambasador dhe kthehet të punojë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si inspektor i thjeshtë, i mbahen nga paga 1,1% kontribute për pension suplementar, përveç kontributeve për pensionin e zakonshëm.

Në rast se personi është kryetar dege ose drejtor, atëherë i mbahet 1,3% e rrogës për pension suplementar. Në rast se është zëvendësministër, i mbahet 1,5% e rrogës. Ndërsa pozicioni i ministrit futet në rangjet më të larta. Në dy vitet e para të funksionit si ministër i mbahet 20% e pagës për pension suplementar etj.

Kur ndërpriten pensionet suplementare?

Pensionet suplementare ndërpriten vetëm në rastet kur vendos gjykata, me vendim të formës së prerë. Por kemi edhe raste kur si ambasadore caktohet gruaja. Atëherë burri, nëse është pa punë, e shoqëron gruan në ambasadë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet që t’i paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore të paktën mbi pagën minimale që është 26.000 lekë të rinj. Në rast se burri ka punuar në Shqipëri dhe e ndërpret punën për të shoqëruar gruan, atëherë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vazhdojë t’i paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore mbi bazën e rrogës që ai merrte në momentin kur e ndërpreu punën.

Jam një qytetare nga Elbasani. Jam 67 vjeçe. Kam punuar në shtypshkronjë, me plumb, në linotyp. Meqë punoja në profesion të vështirë, kam dalë në pension të parakohshëm, me 60%. Kisha 23 vite pune. Pastaj e fillova sërish punën sepse ndërmarrja u kthye në aktivitet privat dhe kam paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2003. U shkëputa nga puna në vitin 2007, kur mbusha moshën dhe mora pensionin e plotë. A e përfitoj shtesën prej 20%, që qeveria e ka vendosur tani?

Jo, zonjë, nuk e përfitoni. Arsyeja është se sipas ligjit, i cili është miratuar në datën 23 maj dhe që ka shkuar për t’u dekretuar te Presidenti i Republikës, dhe pritet që të dalë në “Fletoren Zyrtare” gjatë këtyre ditëve dhe që do të hyjë në fuqi në muajin shtator, pra 3 muaj pasi e firmos Presidenti, nuk do ta përfitojnë shtesën as minatorët e tokës, as punëtorët e naftës dhe të gazit, as punëtorët e metalurgjisë. Por do të hyjë në fuqi pas 3 muajve. Në një pikë të veçantë të këtij ligji thuhet se pension suplementar do të përfitojnë vetëm këto tri kategori punonjësish dhe asnjë kategori tjetër. Mos mbaj shpresë. Asnjë fjalë nuk thuhet në “Fletoren Zyrtare” për pensionet suplementare të këtyre tri kategorive: të minatorëve të nëntokës, punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit, dhe ata që kanë punuar në metalurgji në punë të vështira, të kategorisë së parë. Pra, edhe këtyre kategorive do t’u jepet pensioni suplementar në muajin shtator, 3 muaj pasi e dekreton Presidenti i Republikës. Kjo ndodh sepse Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë intensive, me specialistët më të mirë që ka, duke bashkëpunuar edhe me speecialistët përkatës të industrisë së naftës e të gazit, dhe duke bashkëbiseduar edhe me specialistët e metalurgjisë së zezë, janë duke hartuar listat se kush do të përfitojë nga ky ligj. Do të përfitojnë, në radhë të parë, të gjithë ata që kanë punuar në minierë nën tokë dhe që kanë dalë në pension, pavarësisht se kur kanë dalë në pension. Edhe profesioni në të cilin ka punuar zonja është profesion i vështirë, por nuk përfshihet në këtë ligj dhe nuk trajtohet me pension suplementar.

Jam nga Kukësi. Jam 54 vjeç. Kam punuar 11 vite nën tokë. Nuk kam paguar asnjë lloj siguracioni. Tani trajtohem me ndihmë ekonomike. A do të marr pension?

Minatorët e nëntokës ndahen në dy kategori. Minatorët e nëntokës të cilët kanë dalë me trajtim të veçantë në vitin 2000, sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000, deri më 31 dhjetor të vitit 2001. Ky ligj ka qenë në fuqi 4 muaj e gjysmë. Nga data 6 nëntor 2014 kanë dalë në pension 55 vjeç, kur kishin gjithsej 30 vite punë, përfshirë këtu edhe vitet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, edhe periudhën e trajtimit me asistencë, dhe nga të gjitha këto vite, 11 vite e gjysmë duhej të kishin punuar nën tokë. Zotëria ka 11 vite punë në nëntokë. Të paktën duhet të ketë 12 vite e gjysmë sepse zotëria nuk ka dalë në trajtim të veçantë si minator i nëntokës, në vitin 2000, nga 9 nëntori 2000 deri më 31 mars 2001. Me të dhënat që na tha zotëria, ai del në pension në moshën 65 vjeç, as edhe 1 ditë më parë, ose duhet që të punë edhe 1 vit e gjysmë nën tokë. Ditën që do të plotësojë 12 vite e gjysmë punë nën tokë dhe ka moshën 55 vjeç, dhe gjithsej ka 30 vite punë, atëherë del në pension si minator i nëntokës. Sqarime të hollësishme zotëria mund të marrë edhe në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës.

Jam nga Lezha. Unë jam invalid i grupit të dytë që nga viti 2002 dhe jam 59 vjeç. A më quhen si vjetërsi pune për pension vitet e trajtimit me pension invaliditeti dhe a përfitoj nga ligji i ri?

Zotëria do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra në vitin 2025. Vitet gjatë të cilave ai është trajtuar me pension invaliditeti, do t’i njihen si vjetërsi pune për pensionin e pleqërisë, sipas nenit 58 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore. Në rast se mosha 65 vjeç, zotërinë do ta gjejë si invalid, atëherë ai do të vazhdojë të marrë pagesën prej 3.300 lekësh të rinj nga Bashkia, por do të zgjedhë për të marrë ose pensionin e invaliditetit ose pensionin e pleqërisë, cili do t’i leverdisë më shumë, pra cili do t’i dalë më i lartë. Gjithashtu do të përfitojë falas edhe barnat mjekësore të rimbursueshme qoftë si invalid, qoftë si pensionist. Por, nëse zotëri nuk është sqaruar, atëherë ai mund të marrë sqarime më të hollësishme në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Lezhë.

Flas nga fshatrat e Fierit. Jam 41 vjeç. Kam filluar të paguaj kontributin e sigurimeve shoqërore për pension që para 15-16 vitesh. Në fillim pagesa ka qenë më e ulët dhe tani është rritur. Si do të vlerësohet pensioni?

Zotëria ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore si i vetëpunësuar në bujqësi. Është e vërtetë që fillimisht vlera e kontributeve ka qenë më e ulët. Tani, krahas me rritjen e indeksimit të pensioneve, shtohet edhe pagesa e kontributeve. Aktualisht për zonat malore është 29.400 lekë ose 80 lekë në ditë, sa një kafe. Ndërsa për zonat fushore ku hyn edhe Fieri vlera është 38.400 lekë. Sqarime më të hollësishme zotëria duhet të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Fier.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda