GJITHÇKA që ju duhet nga eksperti mbi pensionet ushqimore, çfarë janë dhe kush i përfiton

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka sqaruar këtë javë çështjen e pensioneve ushqimore. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë janë pensionet ushqimore, kush i përfiton ato dhe çfarë dokumentesh duhen për të fituar një pension ushqimor. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet ushqimore. Çfarë janë pensionet ushqimore? Kush i përfiton ato? Kjo është një temë delikate sepse kemi të bëjmë me raste të veçanta, siç janë divorcet në familje dhe përfitimi i pensionit ushqimor prej fëmijëve.

Sipas nenit 192 të Kodit të Familjes, i cili është botuar në “Fletoren Zyrtare”, pensionet ushqimore janë detyrime financiare që kanë prindërit ndaj fëmijëve, kur ata divorcohen, por që i ka edhe bashkëshorti ndaj bashkëshortes apo bashkëshortja ndaj bashkëshortit. Janë detyrime familjare, të cilat i kanë edhe fëmijët ndaj prindërve të tyre, pra fëmijë që janë në punë dhe me të ardhura të mira, por që prindërit e tyre, për arsye të ndryshme, mund të jenë pa pension e pa të ardhura të tjera për të jetuar. Atëherë, ligji i detyron këta fëmijë, që nga të ardhurat e tyre, të ndihmojnë prindërit e tyre. Po kështu janë edhe detyrime financiare edhe për prindërit, të cilët janë në marrëdhënie pune dhe braktisin fëmijët e tyre. Problemi mund të arrijë edhe deri në sekuestrimin e pasurisë ose me heqjen e lirisë deri në 3 muaj.

Siç e thashë këto janë përcaktuar në Kodin e Familjes. Ka edhe përjashtime, për faktin se pensionet ushqimore nuk caktohen nga Sigurimet Shoqërore, megjithëse quhen pensione. Këto pensione caktohen nga gjykatat, sipas të ardhurave që kanë bashkëshortja dhe bashkëshorti, të cilët divorcohen. Marrim disa shembuj konkretë: p.sh. dy bashkëshortë divorcohen dhe kanë një fëmijë të mitur. Në përgjithësi, fëmija në moshë të mitur i lihet nënës. Në moshën 10-vjeçare e lart, fëmijës i merret mendimi se me kë dëshiron të jetojë.

Në të gjitha rastet ndodh kështu?

Këtë e gjykon Gjykata. Ka edhe përjashtime, por gjithmonë duke u bazuar mbi bazën ligjore.

Kur vendoset që fëmijën do ta mbajë nëna, bashkëshorti, pra babai i fëmijës, është i detyruar që t’i paguajë pension ushqimor fëmijës deri në moshën 18 vjeç. Nëse fëmija vazhdon arsimin e lartë, pensioni ushqimor nga babai do t’i paguhet deri në moshën 25 vjeç.

Si caktohet ky pension? Kur bëhet divorci, përveç shkaqeve për të cilat çifti divorcohet, dy bashkëshortët janë të detyruar që të dorëzojnë edhe vërtetimet e pagave të tyre mujore ose vërtetimet nga Zyra e Punës nëse janë të papunë, apo vërtetime për pensione apo pagesa të tjera që mund të marrin. Atëherë gjykata, duke pasur parasysh të ardhurat që ka nëna, së cilës i lihet në ngarkim fëmija apo fëmijët, si edhe të ardhurat e babait, cakton një shumë mujore, e cila do të ndalohet nga rroga e babait, kur ai është në marrëdhënie pune, ose nga pensioni kur ai është në pension.

Pensionet ushqimore, nuk rriten në varësi të rritjes së koeficientëve me të cilët llogariten apo rriten pensionet e pleqërisë. Këto pensione nuk pësojnë ndryshime të tilla. Vlera e pensioneve ushqimore rritet ose ulet në varësi të rritjes apo të uljes që pësojnë të ardhurat e babait, i cili e paguan këtë pension ushqimor për fëmijën.

Ndalesa e pensionit ushqimor bëhet nga paga mujore, gjithnjë në rast se babai është i punësuar, por asnjëherë nuk mund të jetë më shumë se 50% e kësaj page. Shuma e pensionit mund të jetë edhe më pak se 50% e pagës. Caktimi i vlerës së pensionit ushqimor caktohet nga gjykata dhe është kompentencë vetëm e gjykatës.

Në rastin kur babai, i cili i paguan pensionin ushqimor fëmijës del në pension, atëherë ai duhet të paraqitet sërish në gjykatë, e cila në varësi të shumës së pensionit që ai do të përfitojë, do të llogarisë sërish sasinë e pensionit ushqimor, sepsse natyrisht që vlera e pensionit del më e ulët se vlera e pagës mujore, kështu që rrjedhimisht, do të ulet edhe vlera e pensionit ushqimor.

Pensioni ushqimor ndërpritet kur babai, i divorcuar nga nëna e fëmijës, ndërron jetë. Në këtë rast nëna e fëmijës mund të kërkojë ndihmë ekonomike, sepse pension ushqimor për fëmijën nuk mund të marrë më. Gjithashtu një rast tjetër kur fëmijës i ndërpritet pensioni ushqimor që ai merr nga babai, është kur ky fëmijë mbush moshën 18 vjeç dhe nuk e vazhdon më shkollën. Fëmija duhet të punojë vetë dhe punonjëset e zyrave të punës duhet t’i trajtojnë me përparësi raste të tilla. Pensioni ushqimor gjithashtu u ndërpritet fëmijëve në moshën 25 vjeç, kur ata mbarojnë studimet në shkollat e larta.

Në përgjithësi prindërit që marrin rrogë apo pension mujor, e zbatojnë vendimin e gjykatës për t’u paguar pensionin ushqimor fëmijëve të tyre. Në ato raste kur prindërit nuk e zbatojnë këtë vendim, atëherë ndërhyn Zyra e Përmbarimit, e cila mund të sekuestrojë pasurinë e personit ose mund ta dënojë personin deri në 3 muaj me privim lirie.

Flas nga Tirana. Jam i verbër. Dua që të përfitoj përkujdesje. Deri tani nuk ma kanë dhënë përkujdesjen, me arsyetimin se ka një urdhër të brendshëm. Unë jam me 0% shikim. I kam bërë sërish dokumentet dhe i kam dorëzuar në datën 23 nëntor 2018. Ende nuk kam marrë përgjigje. Dua të di se sa kohë vonohet kjo përgjigje?

Shkalla e verbërisë për të marrë pension invaliditeti të plotë ose të pjesshëm, caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili në Tiranë ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”. Mjekët, të cilët e përbëjnë këtë komision, janë nga mjekët më të mirë specialistë që kanë spitalet në vendin tonë. Në qoftë se zotëria ka marrë përgjigje negative, në fakt pensionin e verbërisë natyrisht që ai e merr së bashku me një shtesë nga Bashkia e Tiranës, por nuk i kanë dhënë të drejtën për të pasur një kujdestar, atëherë edhe caktimi i një kujdestari është në kompetencën e KMCAP-it, në Sigurimet Shoqërore. Në rast se zotëria nuk është i bindur për vendimin e KMCAP-it, atëherë ka të drejtë që po nëpërmjet KMCAP-it, t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit Epror të Caktimit të Aftësisë për Punë, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Vendimi që do të dalë nga Komisioni Epror i Caktimit të Aftësisë për Punë, do të jetë i formës së prerë. Në anën e majtë të vendimit të Komisionit Epror shkruhet: “Ky vendim është i formës së prerë”. Pra, nëse zotëria nuk do të jetë përsëri dakord me vendimin e Komisionit Epror, nuk ka më të drejtë që të ankohet në asnjë institucion tjetër. Mjekët specialistë përcaktojnë përqindjen e shikimit dhe në varësi të kësaj, japin vendimin nëse pacienti ka apo nuk ka nevojë për kujdestar. Asnjë institucion tjetër nuk mund ta zgjidhë këtë problem.

Flas nga Tirana. Gruaja ime ka fituar në gjyq në shkallën e parë për rritjen e pensionit. Sigurimet Shoqërore e çuar çështjen në Gjykatën e Apelit. U bënë 2 vite që dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit. Në datën 7 mars i erdhi radha për t’u gjykuar dhe gjyqtarja vendosi që ta dërgonte dosjen në Gjykatën Administrative. A kishte mundësi kjo gjyqtare që ta merrte vendimin vetë?

Kemi një vendim qeverie me nr. 482, i qershorit 2016, ku thuhet: “Për njohjen e viteve të punës do të merren parasysh të gjitha dokumentet që ka personi, të shkruara qoftë edhe me laps të zakonshëm, si edhe çdo dokument tjetër, i cili vërteton se ka punuar”. P.sh., përveç librezës së punës, një dokument tjetër që vërteton se një person ka punuar është edhe vërtetimi i Komitetit Ekzekutiv, me anën e të cilit personi është emëruar në një vend të caktuar pune. Ose meshkujt që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ata i ka thirrur në këtë shërbim Dega Ushtarake. Nëse një personi i ka humbur vërtetimi i Degës Ushtarake ose është bërë i pavlefshëm nga koha e gjatë, atëherë personi mund të marrë një vërtetim tjetër.

Për sa i përket rastit të zotërisë, në vendimin nr. 482 thuhet shprehimisht kështu: “Kur Sigurimet Shoqërore nuk binden nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, atëherë mund ta dërgojnë çështjet në Gjykatën e Shkallës së Dytë”. Kjo është në kompetencën e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Sipas mendimit tim, gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Dytë është treguar e paaftë. Unë nuk e di se sa mund të vonohet shqyrtimi i dosjes në Gjykatën Administrative dhe se çfarë vendimi do të marrë ajo. Natyrisht, që unë nuk jam në gjendje që të vlerësoj vendimet e gjykatave, të çfarëdo lloj shkalle qofshin ato, por përfitoj nga rasti që t’u kërkoj punonjësve të Sigurimeve Shoqërore që të jenë të kujdesshëm ndaj vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë, në mënyrë që pensionistët të mos presin pas dyerve të gjykatave për një kohë të gjatë, për të gjetur të drejtën e tyre. I këshilloj zotërisë që t’i dërgojë një ankesë me shkrim Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado. Ligji ka edhe interpretim logjik.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Suela Likometa: 04/12/2019 20:33

    Jam e divorcua prej 8 vjetesh dhe i ati i goces qe prej ndarjes ne 2013 ku dhe Gjykata Fier ma dha kujdestarine e femijes e cila ishte afro 2 vjece dhe te atit i caktoi per te dhene pensionin ushqimor prej 10000 te reja Nuk e ka zbatuar.Cfare ndodh ne kete rast.ku mund te drejtohem dhe a ka mundesi ti mar leket qe Me detyrohet prej vitesh ku dhe nga Zyra Permbarimore Fier ku kam bere dhe nje ankese ne Janar 2019 vertetoi se Nuk eshte zbatuar nga i ati goces ate cka caktoi Gjykata

    Përgjigju
    • Adelina: 28/01/2022 17:06

      Permbarimi Fier ka haruar se si do ushqehen keta femije.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen