'Këndi i ekspertit'/ Fadil Kepi: Si bëhet transferimi i pensionit nga qyteti apo lagjja

'Këndi i ekspertit'/ Fadil Kepi: Si bëhet transferimi i pensionit nga qyteti apo lagjja

Këndi i ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi.

Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar me detaje se si cilat janë procedurat për transferimin e pensionit nga një qytet në një tjetër ose në rastet kur ndërrohet shtëpia, pra nga një lagje në një lagje tjetër. Profesor Kepi u është përgjigjur edhe disa problematikave të tjera që kanë shtruar qytetarët me pyetjet e tyre live në Report TV.

Na shkruajnë disa pensionistë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe pyesin se cilat janë procedurat për transferimin e pensionit nga një qytet në një tjetër ose në rastet kur ndërrohet shtëpia, pra nga një lagje në një lagje tjetër.

Transferimi i pensionit është në dëshirën e pensionistëve. Pensionistët mund të ndryshojnë vendbanimin e tyre nga një qytet në një qytet tjetër, për arsye familjare. Ose mund edhe të ndryshojnë banesën brenda qytetit, nga një lagje në një lagje tjetër. Atëherë, në këto raste ata mund të vazhdojnë që ta marrin pensionin aty ku kanë dalë në pension dhe kanë marrë librezën e pensionit. Mund ta marrin pensionin çdo muaj duke e garantuar pensionin në lekë bashkë me shtesat që mund të bëhen ose mund të kërkojnë në qendrën e re administrative ku kanë shkuar për të banuar. P.sh. nga Korça një pensionist ka ardhur në Tiranë, pranë fëmijës. Ai mund të shkojë çdo muaj në Korçë për të marrë pensionin, ose një herë në disa muaj, sipas dëshirës së tij. Por, mund të kërkojë që pensioni t’i transferohet nga Korça në Tiranë.

Si veprohet në të tilla raste? Në radhë të parë, pensionisti duhet të shkojë në zyrën e gjendjes civile ku banon, ku është regjistruar. Pra, nëse nga Korça ka ardhur në Tiranë, duhet të shkojë në zyrën e gjendjes civile në lagjen ku banon, në njësinë e qendrës administrative dhe ddo të marrë një certifikatë të gjendjes familjare, që është banor në këtë lagje. Pastaj do të paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore po në Tiranë, duke bashkëngjitur edhe fotokopjen e librezës së pensionit, të cilën e ka marrë në Korçë. Njëkohësisht duhet të paraqesë edhe një fotokopje të kartës së identitetit, një fotokopje të librezës së energjisë elektrike, të kontratës që ka me KESH-in. Dhe në rast se fëmijët e tij vazhdojnë shkollën këtu edhe një fotokopje të vërtetimit se në cilën shkollë fëmijët vazhdojnë studimet. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore e vendit të ri të banimit, p.sh. e Tiranës se këtë morëm për shembull, i bën një kërkesë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Drejtoria Rajonale pasi e studion kërkesën e pensionistit të ardhur rishtas në Tiranë, ia dërgon Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë, duke i paraqitur edhe dokumentet personale të pensionistit dhe i kërkon dosjen e tij të pensionit. Në dosjen e pensionit që pensionisti ka në Korçë, Sigurimet Shoqërore të Korçës do të shënojnë edhe datën deri kur ai ka tërhequr pensionin në Korçë. P.sh. nëse ai pensionin e ka marrë deri në fund të muajit tetor, atëherë kur dosja e tij të vijë në Tiranë, ai do të marrë pensionin e muajit nëntor. Nëse ai ka tërhequr në Korçë pensionin deri në fundin e muajit qershor, atëherë pensionin për muajt në vazhdim, d.m.th. për muajin korrik, gusht, shtator, tetor e në vijim, do ta marrë në Tiranë.

Edhe kur ndërron shtëpinë nga një lagje në një lagje tjetër, p.sh. e njëjta procedurë ndiqet, p.sh. nga Kamza ka ardhur në Tiranë. Ai mund të shkojë në Kamzë çdo muaj për të tërhequr pensionin në datën e caktuar, ose mund të shkojë edhe një herë në disa muaj.

Unë u bëj një sugjerim pensionistëve, që të mos e lëvizin librezën e pensionit. Kanë punuar për shumë vite në një qytet, kështu që në atë qytet e njohin shumë mirë personin. Edhe punonjësit e Sigurimeve Shoqërore e njohin më mirë pasi ka vite që ka dalë në pension në atë qytet. Në qytetin tjetër ku shkon nuk e njohin. Prandaj u sugjeroj që është më mirë që ta tërheqin pensionin në vendin ku e kanë marrë gjithnjë. Mund ta tërheqin edhe një herë në disa muaj. Është edhe një ligj, i cili thotë që kur e transferon pensionin nga një qytet në qytetin tjetër, qyteti i cili merr dosjen e pensionit do ta kontrollojë përsëri me imtësi, ashtu sikurse kontrollohet kur del në pension për herë të parë. Pra, procedura është pak e gjatë dhe ndodhin edhe keqkuptime me dokumentet për sa u përket viteve të punës dhe vendeve ku ka punuar personi. Dokumentet kalojnë nëpër shumë duar specialistësh. Ka shumë pensionistë, të cilët janë penduar që e kanë transferuar dosjen e tyre të pensionit në një qytet tjetër.

Për sa u përket pensionistëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, pensioni i tyre nuk dërgohet në shtetet e tjera, por ruhet në Shqipëri deri në 3 vite, së bashku me shtesat që rrisin pensionet, së bashku edhe me shpërblimet e fundvitit.

Flas nga Shkodra. Pyes për pensionet familjare që marrin gratë kur u ka vdekur burri. Në çfarë moshe merret ky pension? Po për fëmijët e parë që lindin para vitit të ri a do të merret shpërblim?

Në rastet kur ndërron jetë bashkëshorti, i cili duhet të ketë punuar në vendin tonë i siguruar, bashkëshortja merr si pension gjysmën e pensionit të burrit, pra 50%, në moshën 55 vjeçe, nëse është e papunë, nëse nuk është e vetpunësuar dhe nëse nuk ka tokë në pronësi sipas ligjit. Ndërsa fëmijët marrin pension nga dita që kanë lindur, nëse janë të mitur apo vazhdojnë shkollën deri edhe universitetin, 25% të pensionit të babait. Shuma e pensionit familjar nuk mund të jetë më shumë se sa shuma e pensionit të personit që ka ndërruar jetë. Familjarët e personit që ka ndërruar jetë, duhet të çojnë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore certifikatën familjare, librezën e tij të punës, vërtetimin e rrogës që ka marrë personi nga data 1 janar 1994 deri në ditën kur ka ndërruar jetë. Në rast se ky person ka punuar në një institucion buxhetor, atëherë qendra e punës së tij i jep familjes si ndihmë financiare një rrogë të plotë mujore, por jo më pak se 50.000 lekë. Edhe bashkëshortja e personit, në rast se punon në institucion buxhetor, qendra e punës do t’i japë 30.000 lekë ndihmë financiare. Sqarime më të hollësishme zonja mund të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës.

Për sa i përket pyetjes së dytë: sipas deklaratës që ka bërë kryeministri, z. Edi Rama, të gjitha nënat që lindin nga ora 12 e 1 minutë e datës 1 janar 2019, do të marrin shpërblim për një fëmijë 40.000 lekë të reja, për fëmijën e dytë do të marrin 80.000 lekë të reja dhe për fëmijën e tretë 120.000 lekë të reja.

Jam nga Bulqiza. Kam mbushur moshën 55 vjeç dhe kam dalë në pension. Tani banoj në Durrës dhe kur shkoj për të marrë pensionin në Bulqizë ato zonjat më bëjnë fjalë. Më thonë që t’i kaloj dokumentet në Durrës dhe ta tërheq pensionin atje, meqë banoj në Durrës. Unë nuk dua ta tërheq, dua ta lë atje ku kam punuar për 27 vite. Gjithnjë më bëjnë fjalë. Si mund të veproj?

Zotëri, është dëshira juaj që ta lini pensionin në Bulqizë dhe të mos e lëvizni. Zonja atje ku ti tërheq pensionin, ka të drejtë vetëm që të paguajë pensionin dhe asgjë tjetër. Unë mendoj që të mos e lëvizësh nga Bulqiza sepse atje të njohin. Në qoftë se do të kesh sërish shqetësime, të lutem ankohu në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës. Sot njerëzit ashtu siç janë të lirë të lëvizin e të jetojnë ku duan, po ashtu janë të lirë që ta marrin pensionin e tyre ku të duan, kudo në Republikën e Shqipërisë, gjithnjë duke zbatuar ligjet dhe rregullat. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Unë të sugjeroj që ta lësh atje në Bulqizë sepse po e solle në Durrës mund të të hapen telashe.

Zonja Lumturi Zeneli na shkruan një mesazh në linkun tonë Shqiptarja.com dhe na pyet se çfarë duhet të bëjë një person që ka punuar në Itali dhe si mund të përfitojë pension.

Në radhë të parë po e filloj me vitet e punës që ka punuar në Shqipëri. Pavarësisht nga mosha, për të marrë pension në Shqipëri, duhet të ketë të paktën 15 vite punë të siguruara. Ajo mund të jetë p.sh. 40 vjeçe dhe mund të ketë 4 vite punë, duhet të jetë parasysh që kur të dalë në pension, rreth moshës 63 vjeçe, duhet të ketë të paktën 15 vite punë. Pavarësisht se është në Itali, ajo mund të bëjë sigurime vullnetare ose kur vjen vetë në Shqipëri për pushime apo për arsye të tjera, ose me anën e një të afërmi të autorizuar prej saj. Tani të flasim për periudhën që ajo ka punuar apo punon ende në Itali, e siguruar. Aktualisht në Itali burrat dhe gratë dalin në pension në moshën 66 vjeç e 7 muaj. Ajo mund të jetë e re dhe nuk i plotëson kushtet. Po të ketë 20 vite punë të siguruar atje, merr pension. Në qoftë se nuk ka 20 vite punë të siguruar, atëherë do të përfitojë pension sipas legjislacionit italian.

Ende kemi shumë emigrantë nga Shqipëria, të cilët punojnë në Itali, por ende nuk kemi një marrëveshje midis qeverive të të dy vendeve për hartimin e një ligji i cili të njohë njehsimin e viteve të punës midis Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë. Presidenti ynë, zoti Ilir Meta, para disa muajsh ishte për një vizitë zyrtare në Itali dhe këtë problem e ngriti gjatë bisedës me Presidentin e Italisë, i cili u përgjigj pozitivisht. Pra, të dy presidentët u angazhuan që t’u jepnin porositë e duhura qeverive të tyre respektive, për të përgatitur një marrëveshje midis dy shteteve fqinje, pikërisht për këtë çështje. Ende nuk është bërë marrëveshje, por duhet të jemi optimistë, përderisa ekziston dëshira dhe mirëkuptimi midis të dy vendeve. Të tillë marrëveshje ne kemi me shtete të tjerta, si me Gjermaninë, me Turqinë, me Luksemburgun, me Rumaninë. Por në këto vende ka pak emigrantë nga Shqipëria. Ne na intereson që kjo marrëveshje të bëhet me Italinë dhe me Greqinë, sepse në këto dy vende ka shumë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen