(Keq)përdorimi i 100 vjetorit

(Keq)përdorimi i 100 vjetorit
Përvjetori i 100 i një shteti është e mbetet gjithnjë një rast për të dëshmuar krenari, maturi dhe respekt për vlerat dhe arritjet më të mëdha përgjatë një shekulli. Për një vend si Shqipëria, ku shënohet shekulli i parë historik i ekzistencës së pavarur 100 vjetori merr konotacion të veçantë, dhe meriton sjellje të veçantë. Debati mbi 100 vjet shtet apo pushtet, qeverisje ose sundim, progres apo humbje të shanseve, ecje përpara apo mbetje në fundin e listës së shteteve rajonale, - mbetet shoqërues dhe përcaktues në bilancin cilësor të jubileut. Gjithsesi ky koment ka një objekt tjetër: sjelljen tonë politike e shoqërore në 100 vjetorin e shtetit, si dhe leximi prej tyre i konkluzionit nëse kemi të bëjmë me një festë kombëtare, moment krenarie apo një festë simbolike dhe moment spekulimesh tradicionale.
Ky 100 vjetor u proklamua me të madhe si momenti kur shteti dhe kombi shqiptar do të festonin si asnjëherë tjetër më parë, me projekte gjigante politike, kulturore, historike dhe infrastrukturore. U bënë dhjetëra pompoze paralajmëruese për kompleksin e parlamentit të ri, kompleksin e stadiumit të ri, kompleksin e ri të pavarësisë, kompleksin e muzeut të ri kombëtar, qendrës së re të kryeqytetit, botimit të historisë së re e të plotë të Shqipërisë, organizimin e koncerteve të mëdha me pjesëmarrjen e Shakirës apo Rihanes, shndërrimin e Tiranës në vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët në botë, një qytet me tramvaj dhe parajsë ekonomike, etj, etj. U fol dhe u duartrokit pafund projekti i 100 vjetorit për digjitalizimin e të gjithë vendit, internetit në çdo shkollë e banesë, kthimin e elitave të emigruara, ardhjen në vend të shpatës së Skënderbeut apo librit të Barletit, kthimin e eshtrave të Nënë Terezës apo Ahmet Zogut, etj, etj.
Pafundësisht projekte, mokete, spote, fjalime patetike, mbledhje, dhe në fund, në muajin e shtatë të vitit të 100, pra katër muaj nga data e pavarësisë, asnjë prej këtyre projekteve madhështore ende nuk ka filluar, jo më realizuar. Ndërkohë që akti i papërgjegjshëm i braktisjes së eshtrave të imzot Kaçorrit në Rinas, mbeten foto-simbol e një sjellje të padenjë shtetërore për 100 vjetorin e pavarësisë. I vetmi akt dinjitoz zyrtar është vlerësimi presidencial i I.Qemalit dhe sidomos i 40 etërve themelues me urdhrin "Nder i Kombit", edhe ky, nga një institucion që zyrtarisht është përjashtuar nga komiteti shtetëror për 100 vjetorin. Në këtë mënyrë, gjendja paradoksale midis premtimeve të mëdha dhe rezultateve minimale dëshmon se ky 100 vjetor do të festohet vetëm me mokete, me zyrtarë që na shfaqin show në publik një Tiranë dhe Shqipëri me ndërtesa e projekte që nuk ekzistojnë, nuk janë jetësuar, nuk kanë nisur të realizohen dhe as të projektohen, thjesht janë imazhe, propagandë dhe vizione utopike.
Sikur të mos mjaftonte kjo tallje zyrtare me jubileun e shtetit dhe shoqërizimi me duartrokitje, fatkeqësisht, nga media e publiku, duket se shoqëria shqiptare po e (keq)përdor 100 vjetorin si një rast përfitimi, pazaresh dhe abuzimesh nga më qesharaket dhe absurdet. Dikur Ernest Koliqi fliste për tiparin tonë si tregtarë flamujsh, por me siguri se as ai nuk do ta kishte menduar se ky tipar gati ndëshkues e fyes për një shoqëri do të shfaqej edhe 100 vjet më pas. Mjafton të shohim se çfarë po ndodh në Tiranë, në media, në TV, në jetën e përditshme rreth nesh për të kuptuar se Koliqi kishte të drejtë, dhe sot, ai do të kishte qenë edhe më i hidhur në kritikën e tij.
Çdo ditë prodhohen lajme, ngjarje, reklama që përdorin 100 vjetorin e shtetit, flamurin dhe identitetin tonë kombëtar, për qëllime përfituese, duke abuzuar me to, me historinë, me shtetin, me simbolet dhe me etërit tanë themelues. Përdorimi banal nis nga orientimet partiake se kush duhet nderuar dhe kush jo, vendimi i politikanëve (jo i artistëve apo historianëve) se cili bust duhet ngritur e cili jo, se ku duhet vendosur ai se cila ngjarje historike është pozitive dhe cila negative. Arroganca e politikës shkoi deri atje sa tentoi të na imponojë disa figura mediokre të sotme të politikës si pasardhësit e shquar të etërve themelues të shtetit, dhe kështu të imponojnë iluzionin se këtë vend po e qeverisin fisnikët, ata që bënë shtetin dhe pinjollët e tyre! Dhe kush, pikërisht ata që në 100 vjetorin e shtetit, për interesa thellësisht personale dhe përfitimi, po e dënojnë për herë të tretë Shqipërinë duke mos e lënë të bashkohet me Bashkimin Evropian!
Më tej, jashtë politikës, por me sponsorizimin e saj të shfrenuar, shohim se në emër të 100 vjetorit të shtetit organizohen miss-e me 14-15 vjeçare (përbën shkelje ligji), koncerte folklorike në fshatra e qytete, seminare e konferenca "shkencore" në çdo universitet (24 ka në Tiranë) e shkollë, për të arritur tek reklama e bankave për kredi konsumatore me rastin e 100 vjetorit, reklama e supermarketeve për ulje çmimi për detergjent dhe sallamet e mishit për 100 vjetor, reklama e një kompanie telefonike për oferta verore në 100 vjetor, ca parulla të moshës së gjimnazit për Çamërinë në lulishtet e Tiranës apo reklama e portit të Durrësit për një fasadë të re për udhëtarët! Se çfarë lidhje ka biznesi i koncertit, konkurseve të bukurisë, produktet telefonike, ato të sallamit, detergjenteve apo kredisë bankare me 100 vjetorin, një zot e merr vesh. Dhe ajo që është më shqetësuese, këto sjellje joserioze e gati fyese për kujtesën historike dhe etërit themelues nuk refuzohen, por pranohen apriori nga publiku, bëhen pjesë e të përditshmes, shënohen në bilancin zyrtar si aktivitete të kryera dhe krijojnë kështu, një tragji-komedi shumë më therëse sesa tregimi i Koliqit.
Shteti shqiptar po mbush 100 vjet. Ai meriton të jetë 100 vjeçar, pra i matur, i përgjegjshëm, serioz, dinjitoz, madhështor, dhe reflektues për një jetë të vështirë, me ulje e ngritje, me suksese e dështime, me ditë të gëzuara e të trishtuara. Natyrisht që ishte utopike që të prisnim që këtë 100 vjetor ta festonim si pjesë integrale e vlerave dhe standardeve demokratike evropiane, si vend në BE, si partner serioz i aleatëve historike perëndimorë, si një vend ku qytetarët jetojnë në demokraci funksionale dhe në mirëqenie sociale. Gjithsesi do të ishte e pritshme, që ditët e 100 vjetorit të mos i humbasim me debate parademokratike për përbërjen e KQZ apo vjedhjen e votave të radhës, të mos e tregtojmë historinë dhe ushqejmë publikun me mokete e premtime folklorike, dhe kështu, politika e mbrapshtë dhe sjellja orientale që i bëri këtij vendi të 99-tat të paktën të mos i bëjë "100-in" në jubileun e tij.
Më e pakta që pritej e pritet është që në kohën e mbetur, të ketë një ndjenjë reflektimi, vetëkontrolli dhe vetëkritike, për të qenë sa më qytetarë, sa më modestë, sa më tokësorë dhe sa më të aftë për të parë tej xhepit, interesit dhe familjes personale, për tu sjellë si shtet, bashkësi dhe shoqëri e lirë, me destinacion të ardhme të përbashkët evropiane. Minimalisht pritej e pritet që politika e vendimmarrësit të mos vijojnë të tallen, të mos jenë edhe më tej shkaktare të trefishta penalizimi në raport me BE-në; minimalisht të refuzojnë praktikat bipolare të konfliktit permanent, dhe së fundi, të mos premtojnë gjëra që nuk ka aftësi dhe as nuk ka ndërmend t'i realizojnë. As këtë nuk e ka bërë dhe kam frikë se nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Sepse, siç Koliqi shkruante, dekada më parë, tregtarët e flamurit nuk kanë moral, atdhe e përgjegjësi, por shitën e shesin flamuj "tue ba pare, tue tregtue mbi ndiesit t'ona".

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar

Dumani në Kuvend, Braçe: Turp, seanca kaloi në kontroll politik, u mor në pyetje nga personat që po heton! PS s’duhej ta kishte lejuar