Kërkesa e SPAK ndaj Kuvendit për arrestimin e Berishës, Haklaj: Të gjithë deputetët e PD do ta votojnë! Karaj: Basha s’do ketë burrëri të jetë në seancë

Kërkesa e SPAK ndaj Kuvendit për të autorizuar arrestimin e Sali Berishës për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, ka sjellë në qendër debatin nëse deputetët e PD-së do të votojnë pro apo kundër kësaj kërkese.

Sa i takon këtij debati në studion e ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga, ish-deputeti i PD Azgan Haklaj e cilësoi ditën e sotme si të shënuar dhe u shpreh i sigurt se deputetët e Partisë Demokratike do të jenë të pranishëm në Kuvend për të votuar pro kërkesës së SPAK për udhër-arresti ndaj Berishës.

“Sot është një ditë e shënuar e demokracisë shqiptare. Ato pamje aty tregojnë se trekëndëshi i Bermudës ka patur një besëlidhje për t’u përballur me SPAK-un. Goditja e njërës prej brinjëve, nëse e quajmë të tillë, dëshmon se ka filluar çbërja e sistemit neodiktatorial. Nëse dëgjuat Berishën tha se e respekton Kushtetutën, atë të cilën nuk e ka njohur kurrë. Edhe Alibeaj do jetë aty te Këshilli i Mandateve, edhe nëse janë 5 veta mund ta votojnë. Ne si PD do e votojmë në Kuvend. Kryefjala e dhjetorit të dytë është SPAK-u”- tha Haklaj.

Ndërsa avokati Leonard Karaj tha se Basha nuk e ka një burrëri të tillë sa të jetë i pranishëm në Kuvend ditën kur të votohet kërkesa e SPAK për arrestin e Berishës.

“Unë them se Basha nuk e ka aq burrëri sa të jetë në Kuvend atë ditë.  Shpresoj që Basha të bëhet burrë dhe të shkojë. Por besoj se nuk do shkojë vetëm për shkak të kompleksit që ka ndaj Berishës. Por uroj të gaboj”- tha Karaj.

Më tej avokati i cili argumentoi se ish-kryeministri nuk mund të vihet në arrest me burg pasi ligji nuk e lejon diçka të tillë për personat që janë mbi 75 vjeç, tha se Berisha mund të humbasë mandatin e deputetit nëse SPAK do t’i caktojë masën “arrest shtëpie” pasi nuk do ketë mundësi të paraqitet në Kuvend dhe kur të mungojë për 6 muaj, automatikisht humbet mandatin.

“Nëse i vendosin një arrest shtëpie dhe për 6 muaj nuk ka mundësi të shkojë në Kuvend në nenin 71 pika d, thuhet se e humbet mandatin nëse mungon për një periudhë të tillë. Unë mendoj se nëse Berisha do mungojë 6 muaj në parlament, do e humbasë mandatin”- tha avokati.

Ndërsa sekretari i PD-së për Reformën Zgjedhore, Rezart Kthupi u shpreh se situata do të qetësohet pas datës 21 dhjetor, pasi Berisha të vihet nën arrest shtëpiak nga SPAK për aferën e privatizimit të komplaksit ‘Partizani’.

Sot Prokuroria e Posaçme dërgoi në SPAK relacionin ku kërkohej autorizimi për heqjen e lirisë së Sali Berishës duke qenë se ky i fundit nuk respektoi 3 herë rradhazi vendimin e GJKKO “detyrim paraqitje” si person nën hetim për korrupsion pasiv për aferën “Partizani”. Ndaj Berishës mund të caktohet masë “arrest me burg” ose “arrest shtëpie”. Ndërsa vetë ish-kryeministri la të kuptohej se deputetët të cilët e mbështesin nuk do ta votojnë kërkesën e SPAK. Këshilli i Mandateve do të mblidhet në datën 18 dhjetor në orën 12:00  për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e heqjes së lirisë së Berishës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Sekretari i PD-së, Kthupi: SPAK do të vendosë arrest shtëpiak për Berishën! Ish-kryeministri bashkërendon veprimet me Ramën

 

Sekretari  PD-së për Reformën Zgjedhore, Rezart Kthupi ka deklaruar se pas datës 21 dhjetor Berisha do të vihet nën masën e arrestit shtëpiak. Kthupi tha në studion e ‘Repolitix’ se deri më tani, Rama dhe Berisha kanë bashkërenduar veprimet dhe se bashkërendimi i tyre do të përfundojë pas marrëveshjes së detit që do kalojë në Kuvend.

“Sot jemi në ditën kur ai që ndiqet nga SPAK thotë kryeministri ka të drejtë SPAK është produkt i PS. Nuk ndodh rastësisht që dy njerëz të arrijnë në një konkluzion të tillë. Ky bashkërendimi i veprimeve do përfundojë kur të kalojë edhe marrëveshja e detit, me datë 21. Pastaj ai zotëria do shkojë në arrest shtëpie, gjërat do qetësohen”- tha Kthupi.

Ora 22:08
Avokati Karaj zbulon pse Berisha mund të humbasë mandatin e deputetit: Ja sesi situata mund të arrijë deri në këtë pikë

 

Avokati Leonard Karaj në emisionin “Repolitix” me gazetarin Denis Minga tha se Sali Berisha mund të humbasë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë nëse mungon për 6 muaj  në seanca. Ai tha se nëse votohet pro kërkesës së SPAK për masën e arrestit ndaj tij, ish-kryeministri nuk do ketë mundësi të paraqitet në seancë për shkak se do jetë në arrest shtëpiak.

“Mund të ndodhë të humbë edhe mandatin, nëse i vendosin arrest shtëpie dhe nuk shkon për 6 muaj në Kuvend, humbet mandatin. Pra nëse Berisha mungon 6 muaj në parlament, do humbasë mandatin e deputetit.Para një muaji e kam thënë se nëse Berisha nuk shkon në SPAK, mund të vijmë këtu ku jemi dhe them që mund të ndodhë të humbasë edhe mandatin. Nëse i vendosin një arrest shtëpie dhe për 6 muaj nuk ka mundësi të shkojë në Kuvend në nenin 71 pika d, thuhet se e humbet mandatin nëse mungon për një periudhë të tillë. Unë mendoj se nëse Berisha do mungojë 6 muaj në parlament, do e humbasë mandatin”- tha avokati.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!