Kryeministri Edi Rama thotë se gjykatësit, me kërkesën e tyre për rritje pagash, duan t'i imponohen parlamentit dhe qeverisë, dy pushteteve të tjera. Sipas Ramës, ata duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.
“Tjetri thotë të na vini vlera fikse, si mund t’i lihet ekzekutivit dhe legjislativit, sa herë t’u teket për ta rritur. Pra duhet një sistem reference. Si mund t’i lihet parlamentit, qeverisë, kur ne kemi në dorë çekiçin dhe i bien si të duam ne, thotë ky gjykatësi. Dhe thotë, sistemi i referencës më i mirë është ai që pasqyron ndryshimet reale, dhe rritjen e çmimeve si ai në 2016. Në 2016 kur zgjidhëm një sistem reference, me qëllimin e mirë që gjykatësve t’u jepnin paga më të larta se të tjerët, për të mbështetur e shpallur me reformën e tyre dhe i ngritëm mbi të gjithë të tjerët, për t’u dhënë sinjal të fortë të vullnetit, për të pasur drejtësi të pavarur, por dhe gjykatës që të ndihen të respektuar, ky thotë, ta bëjmë tani përgjithmonë. Pra, Shqipëria të bëhet vendi ku përjetësisht të marrin paga mbi të tjerët. Kërkojnë 1800 euro rritje për gjyqtarin e Shkallës së Parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe 3000 euro rritje për gjykatësit e SPAK, BKH. SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht. Këtu jemi, jemi në një situatë ku gjykatësit duhet të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera, duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.", theksoi ai.
Lajmi kryesor:
Gjyqtarët kërkojnë rritje page, Rama: Duan 37 mln euro nga buxheti për t'i çuar në stratosferë, shpresoj që Kushtetuesja mos t'ia lërë këtë turp Shqipërisë (VIDEO)












