TIRANE-Komisioni i Sigurisë miratoi projektligjin për ndryshimet në Policinë e Shtetit që ka qëllim hapjen e këtij institucioni për të pranuar elementë me cilësi më të lartë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen Akademisë, pasi Policia e Shtetit ka nevojë për mbi 315 n/komisarë. Ai tha se Policisë së Shtetit i duhet një cilësi e re. “Kriteret e pranimit do të jenë shumë të rrepta për t’u inkurajuar që të futen në polici kapacitete të larta, kemi nevojë për cilësi të re.

Ndoshta është rasti për të laçuar një nismë; së shpejti do të kemi mundësi për të adresuar te akademia e policisë për një trajnim modern për të filluar një karrierë në policinë e shtetit. E fillojnë direkt me gradën n/komisar. Numri nuk do të jetë i vogël, përkundrazi, pasi na duhen 315 n/ komisarë të rinj. Studentët pas kursit do të dalin direk me këtë gradë. Studentë të talentuar ti bashkohen policisë së shtetit. Sot kemi me diplomë universitare edhe ushtarë në ushtri për shkak të prodhimit të madh të universiteteve” tha ai.

Pika kryesore e ligjit për ndryshimet që parashikohen që të bëhen është ajo për pranimin e ushtarakëve në Policinë e Shtetit. Referuar kësaj pike, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se “Ata që vijnë në policinë e shtetit nuk duhet të jenë ushtarakë aktivë, pra duhet të jenë civilë që të pranohen, të kenë hequr dorë nga ushtria.  Qëllimi i kësaj dispozite lidhet me nevojën e përhershme që Policia e Shtetit ka për specialitete të veçanta të cilat nuk mund të përgatiten as universitetet e vendit, dhe as nga Akademia e Policisë.

Specialitete të tilla, të rralla, si ato të fushave kanë të bëjnë me lëndët plasëse dhe eksplozive, me lëndë kimike, me operacione speciale, etj., mund të ofrohen vetëm nga pjesëtarë të forcave të armatosura qofshin aktiv apo në rezervë, për arsye se vetëm forcat e armatosura i prodhojnë këto kategori profesionesh, të cilat ndërkohë Policia e Shtetit ka nevojë”tha ai. 

Në këtë pikë mes anëtarëve të komisionit, vetëm nga shumica, pasi opozita nuk ishte e pranishme, kishte një debat. Deputeti i PS, Pjerin Ndreu u shpreh se projektligji ka ngjallur reagime dhe shqetësime në radhët e policisë së shtetit, prandaj kërkoi që të specifikohet pozicioni ku do të punësohen ushtarakët. Socialisti kërkoi që të përcaktohen kuotat dhe funksionet e veçanta, që nuk ofrohen nga akademia dhe pozicionet që do të marrin ushtarakët, pa rrezikuar pozicionet e punonjësve të policisë.

“Ka qindra punonjës të policisë së shtetit që janë të shqetësuar për këtë. Ne e hapëm rrugën, por aty ku kanë mundësi të japin kontribut dhe jo kudo. Ata që vijnë në polici të shkojnë atje ku janë profilizuar, jo si dukur, pasi e hedhim në erë si dikur. Punonjësit e policisë nuk mund të konkurrohen nga këta që do të vijnë, pasi kanë një jetë në luftë me kriminelët. Pra, të japin një kontribut, por jo kudo”.

Debati dhe ngritja e tonit nga Ndreu nuk kaloi pa batuta nga Xhemal Qefalia i cili tha se “Nuk jemi duke folur si punonjës policie, por si deputetë”. Gjithashtu ministri Lleshaj duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PS, Spartak Braho, pranoi se në radhët e Policisë së Shtetit mund të pranohen edhe individë që më parë kanë qenë pjesë e Shërbimit Informativ.

FJALA E PLOTË E MINISTRIT TË BRENDSHËM SANDËR LLESHAJ
Policia jonë trashëgon një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me profilizimin e saj. Ndërmjet Policisë Kriminale, asaj të Rendit apo Kufirit sot ka ndryshime shumë të vogla për sa i përket arsimimit, kualifikimit apo karrierës. Të gjitha kategoritë e punonjësve të policisë marrin sot të njëjtin arsimim dhe përgjatë jetës profesionale kanë mundësi shumë të reduktuara për të marrë kualifikim dhe specializim sipas natyrës së veçantë të shërbimit që ato kryejnë. Për shkak të profilit shumë të ngjashëm profesional, gjatë zhvillimit të karrierës punonjësit e policisë lëvizin rëndom nga njëra kategori në tjetrën. Një punonjës i rendit mund të kalojë në fushën kriminale, ai i kriminales tek kufiri, tek qarkullimi rrugor etj. Këto transferime kanë krijuar rrezikun e humbjes së qëndrueshmërisë, humbjes së ekspertizës, humbjes së specializimit dhe humbjes së kujtesës institucionale.

Me ndryshimin e propozuar synohet që të tri kategoritë e Policisë së Shtetit të kthehen në institucione të mirëfillta, që do të thotë që përveç arsimimit të përgjithshëm, punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin edhe arsimim special sipas fushës, do të diplomohen sipas fushës dhe do të bëjnë karrierë brenda fushës. Kështu, një oficer i diplomuar në fushën e policisë kriminale do ta zhvillojë pjesën më të madhe të karrierës së tij, pas diplomimit si i tillë, brenda kësaj fushe dhe vetëm pas një arsimimi tjetër në një periudhë të vonshme të karrierës, arsimimi në fushën e menaxhimit policor, ai do të mund të shërbejë në funksionet e larta të drejtimit të cilat do të jenë të përgjithshme dhe jo të lidhura domosdoshmërisht me kategorinë apo fushën speciale policore.

Një çështje tjetër është ajo që ka të bëjë me hapjen e njësie për pranim nga radhët e ushtarakëve në Policinë e Shtetit. Është parashikuar një nen parashikon sa më poshtë: “Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ,të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 (që janë kriteret e përgjithshme për pranim në Policinë e Shtetit). Për ushtarakët e shërbimit aktiv pranimi realizohet mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe midis ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Brendshëm ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen ushtarakët. Në çdo rast pranimi bëhet me vullnetin e lirë të ushtarakëve pas nxjerrjes së tyre në lirim nga Forcat e Armatosura, pra pas shndërrimit të tyre në civilë.

Sipas përcaktimeve përkatëse të ligjit, pranimet do të realizohen në bazë konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura në Policinë e Shtetit do të bëhet duke e njohur vjetërsinë e tyre të shërbimit në këtë forcë.  Dhe një çështje tjetër ka të bëjë me faktin që krahas njohjes së vjetërsisë së shërbimit, do të njihet edhe grada, e cila do t’i ekuivalentohet me një gradë korresponduese policore me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra Këshilli i Ministrave do të bëjë një ekuivalentim. Pra nëse një nëntoger i ushtrisë do të vijë dhe të bëhet nënkomisar i Policisë, ky ekuivalentim do të bëhet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Qëllimi i kësaj dispozite lidhet me nevojën e përhershme që Policia e Shtetit ka për specialitete të veçanta të cilat nuk mund të përgatiten as universitetet e vendit, dhe as nga Akademia e Policisë. Specialitete të tilla, të rralla, si ato të fushave kanë të bëjnë me lëndët plasëse dhe eksplozive, me lëndë kimike, me operacione speciale, etj., mund të ofrohen vetëm nga pjesëtarë të forcave të armatosura qofshin aktiv apo në rezervë, për arsye se vetëm forcat e armatosura i prodhojnë këto kategori profesionesh, të cilat ndërkohë Policia e Shtetit ka nevojë. 

Hapja e kësaj mundësie, në të vërtetë do të thoja rihapja e kësaj mundësie, e cila ka ekzistuar historikisht për Policinë e Shtetit krijon kushtet që të krijohet një kapacitet shumë i çmuar, ndonëse shumë i limituar në numra, ekspertizë nga forcat e armatosura të cilët kanë krijuar një nivel shumë të lartë në këto fusha, nivel i cili që çmohet gjerësisht edhe në kuadër të operacioneve që ata kryejnë në NATO apo në BE. Të nderuar deputetë, sigurisht që ligji ka edhe disa përmirësime që janë të karakterit teknik ligjor, me të cilat nuk besoj se ka nevojë të ndalem dhe duke përfunduar, ju falënderojë për vëmendjen dhe ju kërkoj mbështetjen tuaja për këto ndryshime të cilat ndonëse janë shumë të vogla, shpresojmë të sjellin impakt të shpejtë dhe të rëndësishëm për funksionimin e strukturave të Policisë së Shtetit.