TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë të ndalimit të daljes jashtë shtetit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ndërkohë, Apeli nuk ka shqyrtuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar ndaj Ballukut në shkallën e parë, në pritje që Gjykata Kushtetuese të shprehet për ankimin e kryeministrit Rama më 22 janar.

Belinda Balluku kërkoi nga Apeli i Posaçëm zhbërjen e masave të sigurisë ndaj saj, atë të pezullimit nga detyra dhe bllokimin e ndaljes jashtë vendit. Avokatët e Ballukut argumentuan se për pezullimin është shprehur Gjykata Kushtetuese.

Por, burime për Report Tv bënë me dije se në seancë Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjyqtares Miliana Muça lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë përfshirë pezullimin nga detyra me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet, por jo masën e sigurisë në vetvete. Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqiten prova të reja të cilat sipas tyre, rëndojnë pozitën penale të zëvendëskryeministres.

Dy të pandehur e tjerë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe vendosjen e një masë më të butë, pasi pengohen të ushtrojne funksionet e tyre. Por Apeli nuk i ndryshoi masat ndaj tyre.

Kjo seancë u zhvillua në një kohë kur SPAK kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut. Kërkesë kjo e imponuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rikthyer në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Rama, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes GJKKO-së dhe Këshillit të Ministrave. Në kërkesën drejtuar Parlamentit, SPAK ka bërë të ditur se Balluku edhe pas është njohur me akuzën ka ushtruar presion ndaj një prej personave të përfshirë në këtë çështjë, që është vartëse e saj. 

Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 190 mln euro. Ndërkohë, SPAK zyrtarisht ka nisur hetimet ndaj saj jo vetëm për lotin 4, por për të 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin janë prokuruar 450 mln euro.

Drejtori i KESH Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Ndërsa, kreu i ARRSH, Gentian Gjyli akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.

Lajmi në përditësim...