Kërkuan pezullimin e masave për Berishën, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për padinë e deputetëve të Rithemelimit: Ja pse nuk u pranua

Kërkuan pezullimin e masave për Berishën, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për padinë e deputetëve të Rithemelimit: Ja pse nuk u pranua

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë duke argumentuar rrëzimin e padisë së deputetëve të Rithemelimit të cilët kërkonin ta shpallnin të paligjshëm masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas argumentit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se deputetët e Rithemelimit megjithëse janë pjesë e pushtetit ligjvënës, duke mos qenë subjekt i konfliktit, nuk mund të veprojë në emër dhe kompetencat e Kuvendit. 

"Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se nëse kërkuesi pretendon se ka një konflikt, në të cilin nuk është palë apo nuk e cenon në ushtrimin e funksioneve të tij, që është në kundërshtim me normat kushtetuese, në këtë rast ai nuk mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet kërkimit të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave midis dy organeve. Mbrojtja e kushtetutshmërisë, si qëllimi final i kontrollit kushtetues, është një e drejtë/detyrë e subjekteve të përcaktuara në dispozitat kushtetuese, në të cilat përcaktohen edhe rastet konkrete kur ata mund të vënë në lëvizje Gjykatën".

"Në kuptim të sa më sipër, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se Kushtetuta ka parashikuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete kushtetuese (midis të cilave një e katërta e deputetëve në rastet e komisioneve hetimore dhe një e dhjeta e deputetëve në rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit). Në këtë drejtim, një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme, që nuk mund të barazohen me njëri – tjetrin. Prandaj, referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, kërkuesi nuk është subjekt në konflikt, si dhe nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Pavarësisht se kërkuesi, grupi jo më pak se një e pesta e deputetëve, është pjesë e pushtetit ligjvënës, kjo nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës (Kuvendi). Ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit dhe as të barazohet me të, për këtë arsye kërkuesi, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet organeve kushtetuese, Kuvendit, nga njëra anë, dhe Prokurorisë së Posaçme e Gjykatës së Posaçme, nga ana tjetër. Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se antikushtetutshmëria e vendimeve gjyqësore që pretendohet se përbën shkakun e lindjes së konfliktit të kompetencave, nuk mund të merret në shqyrtim", thuhet në vendim.

Mbledhja e gjyqtarëve vlerësoi se kjo padi për shkak të mosplotësimit të kushteve nuk mund të merret në shqyrtim.

“Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se vendimet gjyqësore të kundërshtuara, duke qenë se i drejtohen një deputeti konkret janë ngushtësisht personale, për rrjedhojë kundërshtimi i tyre eventualisht edhe pranë Gjykatës, pas shterimit të mjeteve të zakonshme të ankimit, është në të drejtën e atij individi interesat e të cilit cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë se deputeti, në cilësinë e individit, gëzon të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar kësaj Gjykate kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, në përputhje me parashikimet e nenit 131, pika, 1, shkronja “f”, të Kushtetutës. 27. Në përfundim, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se kërkesa e paraqitur nga kërkuesi një e pesta e deputetëve, nuk plotëson kriteret ligjore për kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare. Në kushtet kur kërkuesi nuk legjitimohet për pretendimet e tij, Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000, vlerëson se edhe kërkimi për pezullimin e masave shtrënguese nuk mund të merret në shqyrtim”, nënvizohet më tej. 

Gjykata Kushtetuese vlerëson se kur një grup deputetësh vë në lëvizje Gjykatën për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, duhet që ai të argumentojë se është subjekt i parashikuar nga Kushtetuta dhe se i është cenuar një kompetencë e caktuar e parashikuar po nga Kushtetuta. Gjithashtu, sipas gjykatës ai duhet të pretendojë se është subjekt në konflikt ose është cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë.

"Në përmbajtjen e kërkesës kërkuesi ka identifikuar si bazë ligjore shkronjën “e” të nenit 131 të Kushtetutës, e cila parashikon juridiksionin e Gjykatës për të vendosur për çështjet që lidhen, ndër të tjera, me zgjedhshmërinë e papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre. Në lidhje me këtë të fundit, kërkuesi nuk ka paraqitur ndonjë fakt ose argument për të treguar lidhjen midis kësaj dispozite kushtetuese dhe kërkesës së paraqitur, prandaj Mbledhja e Gjyqtarëve nuk do ta marrë atë në shqyrtim."

Tashmë Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 për aferën “Partizani”. Ai ka kërkuar nëpërmjet avokatëve Sokol Mëngjesi e Genc Gjokutaj, pjesëmarrje në seanca plenare, por nuk është refuzuar nga prokurorët, ndaj Berisha do të vazhdojë të jetë në arrest shtëpie pa mundur të largohet nga banesa. Por pavarësisht masës, ai nuk i ka ndërprerë komunikimet me mbështetësit e tij duke mbajtur fjalë nga dritarja e banesës.

(Kliko për të parë vendimin e plotë)

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë