'Hemoragjia' e largimeve nga LSI gjatë javëve të fundit edhe pse të rënda për votat elektorale në zgjedhje, po mundohet të shihen me një sy indiferent dhe si të parëndësishme nga strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas Monika Kryemadhit, e cila tha tek '5 pyetjet nga Babaramo' se këto largime nuk prek partinë, përkundrazi ajo është e fokusuar te figurat e reja që do sjellin ndryshim për vendin, edhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi ka qenë në të njëjtën linjë.

Gjatë një interviste në Report Tv,  Kërpaçi u tregua indiferente kur u pyet në lidhje me largimet e figurave me peshë elektorale nga LSI, duke thënë se kjo parti është e rinisë dhe ndryshimit dhe se për këtë është fokusuar në afrimin e rinisë dhe prurjeve të reja.

Ndërsa largimet nga LSI i cilëson si pa rëndësi dhe jo problematike, Kërpaçi i shikon si shpresëdhënëse afrimet e socialistëve që janë zhgënjyer nga Rama për t'iu bashkuar LSI-së për 25 prillin.

"Unë nuk i hyj fare procesit të largimeve, ne duhet të fokusohemi që të gjithë tek qëllimi primar që është ndryshimi dhe një alternativë e re. Shqiptarë krahasuar me 4 vite më parë janë më keq. Bizneset janë mbyllur dhe shumë të rinj largohen. Në raport me këtë mendoj se 25 prilli është një ditë vendimtare referendumi për ndryshim që ne duam. LSI do të jetë e fokusuar tek arsimi dhe investimet me të dhe për ta lidhur atë me tregun e punës. Në këtë mënyrë do të mbajmë rininë në vend dhe do të rikthejmë shpresën. Ka ardhur një moment që të diskutohen në parim dhe në atë që ne do të sjellim. Duhet të ketë një mendësi të re dhe mënyrë të re të bërit politikë. Këto diskutime me rrjedhjet e individëve nuk i shërbejnë qytetarëve. Në situatën ku ndodheni ne sot, fokusi nuk është tek lëvizjet individuale të individëve. Strategjia e LSI ka qene e qatë, ka një mision kombëtar për atë që do të ofrojmë tek shqiptarët dhe ka një vizion që mbështet rininë duke i dhënë hapësira atyre për të qenë pjesë e politikës dhe vendimmarrjes. Ne e kemi angazhimin tonë të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë. Kemi takuar shumë socialiste që përqafojnë sot programin tonë, ashtu sikurse ka dhe shumë të rinj edhe pse janë të pashpresë po punojnë çdo ditë në këto zgjedhje dhe janë  angazhuar tek çdo njeri për të folur dhe për ti bindur se ky është një moment që duhet të marrin fatet e vendit të tyre në duar", tha Kërpaçi.

Aktualisht LSI i janë larguar figura të njohura, ku dy janë nga qarku i Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, si dhe Ish-drejtori i portit të Durrësit dhe ish-drejtori i Aviacionit Civil, Aleksandër Lipivani duke iu bashkuar PS. Të larguarit i kanë cilësuar largimet e tyre si të imponuar nga sjella politike e LSI dhe përfundimi i eksperimenteve politike të kësaj partie.