Shqipëria po përparon në rrugën drejt BE. Ndërsa është në pritje të përgjigjes së vendeve anëtare për Raportin mbi Piketat e ndërmjetme, vendi po bëhet gati të përmbyllë 10 kapitujt e parë nga 33 në total, deklaroi sot kryenegociatorja Majlinda Dhuka. Gjyqësori dhe drejtësia, janë dy elementë kyç, pjesë e grupit të ‘Themeloreve’, më kritiku në këtë proces. Ministri i Drejtësisë Toni Gogu thotë se sprova është tek ulja e stokut të dosjeve në gjykata, dhe kodet e reja me standarde evropiane.
***
Mazhoranca është e bindur që brenda Krishtlindjes së 2027-ës vendi do t’i ketë përmbyllur detyrat për të qenë pjesë e BE-së. Për momentin, Shqipëria është në pritje të një përgjigje nga vendet anëtare, pasi Komisioni Europian hartoi një raport pozitiv për përmbushjen nga Shqipëria të piketave të ndërmjetme.
Që prej muajit mars, në Grupin e punës për Zgjerimin (COELA) ku marrin pjesë ambasadorët e 27 vendeve të BE-së, po diskutohet mbi qëndrimin e përbashkët, lidhur me çështjet kritike për të cilat do të kërkohet që vendi të avancojë.
Pa u kapërcyer kjo fazë e procesit, ndonëse bisedimet vijojnë, vendi nuk mund të mbyllë asnjë kapitull. Në raportin vjetor për integrimin që qeveria ka dorëzuar në parlament, thotë se vendi është gati që tani që të mbyllë 3 kapitujt e parë, dhe është në fazë të avancuar për të mbyllur dhe 7 kapituj të tjerë brenda këtij viti.
“Ne po punojmë intensivisht me qëllim që të përgatisim teknikisht mbylljen e kapitujve për të paktën 10 kapituj të parë të cilat mbulojnë 27 nga 101 piketa në total teksa punojmë paralelisht me të gjitha fushat ose kapitujt e tjerë. Sa i përket kapitujve 30 marrëdhëniet me jashtë, 25 kërkimi shkencor dhe 26 arsimi, ne vlerësojmë se Shqipëria i ka kryer përgjithësisht të gjitha përgatitje teknike për mbylljen e tyre”, tha Dhuka.
Grupkapitulli i "Themeloreve" më i rëndësishmi, i cili përfshin themelet e shtetit të së drejtës, demokracisë është i pari që është hapur dhe i fundit që mbyllet.
“Themeloret janë prova politike dhe institucionale e seriozitetit të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Dhuka.
Edhe piketat e ndërmjetme lidhen pikërisht me këtë grup, dhe me dy kapitujt (Kapitulli 23 dhe Kapitulli 24) që përfshijnë gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë apo sigurinë.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu vuri theksin tek stoku i dosjeve që presin përgjigje nga drejtësia e re.
“Kemi sfida serioze, janë ende aty dhe e kam fjalën për domosdoshmërinë e eficencës në sistem që duhet ta arrimë. Pra 130.000 çështjet duhet t'i ulim në mënyrë domethënëse”, tha Gogu.
Paralelisht kodet e reja po përgatiten për t’iu përgjigjur standardeve të BE-së.
“Forcimi i garancive procedurale tashmë ka dalë në pah dhe ne jemi duke adresuar, kemi ngritur me kohë një grup pune që po punon për Kodin Penal. E presim që të vijë dhe paralelisht me të është duke punuar dhe me Kodin e Procedurës Penale ku po këta ekspertë grup ekspertësh janë kanë përfunduar ose janë afër përfundimit të një drafti të cilin shumë shpejt ne do ta bëjmë të gatshëm për konsultimin publik”, tha Gogu.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla thekson se vendi është në fazë vendimtare dhe se duhen konsoliduar reformat e ndërmarra deri më tani.
“Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, nuk flitet për pasiguri strategjike, flitet vetëm për avancim, për ritëm, besueshmëri, përkushtim të jashtëzakonshëm për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës së saj evropiane”, tha Balla.
Në mbledhjen e kësaj të premteje, të Këshillit të Integrimit, socialistët ishin të vetëm. Përfaqësuesit e opozitës munguan, ndërsa një ditë më parë kishin kërkuar me këmbëngulje në parlament, diskutime për raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për ecurinë e Shqipërisë drejt Integrimit.
Avokati i Popullit nënvizoi disa pika që ai i sheh ende të papërmbushura në lidhje me procesin e integrimit. Ai kërkoi akses në sistemin gjyqësor dhe problematikat me diskriminimin, ku vlerësoi legjislacionin, por jo zbatimin.
“Një ligj që nuk zbatohet, nuk është më ligj — është dokument”, tha Shabani, duke u ndalur më pas te e drejta e pronës: “E drejta e pronës duhet të jetë baza mbi të cilën mbështetet baza e ekonomisë”, tha ai.
Nisur nga kjo, ai bëri edhe 3 propozime për zgjidhjen e tyre, duke shtuar: “I shohim problemet me synim t'i zgjidhim, jo t'i përdorim, dhe jo t'i fshehim.”
“E para: për fazën para-IBAR, Kuvendi të shqyrtojë rritje të dedikuar buxhetore për sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve. E dyta: ndryshimet e fundit në Ligjin 15/2015 forcojnë rolin mbikëqyrës të Kuvendit në negociata. Ky forcim duhet të reflektohet edhe në një dëgjim të rregullt e të strukturuar të institucioneve të pavarura para çdo vlerësimi të rëndësishëm të BE-së. E treta: institucionet publike të kenë detyrim ligjor për të raportuar brenda afateve specifike shkallën e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura”, tha Shabani.
Hapja e 33 kapitujve të negociatave në 13 muaj u theksua si rekord nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani në Këshillin Kombëtar të Integrimit, por pati edhe rezerva. Shabani tha se integrimi matet nga distanca midis ligjit në letër dhe në praktikë.
“Shqipëria hapi të 33 kapitujt e negociatave brenda trembëdhjetë muajve. Ky është një rekord. Por është edhe një nga ato statistika që duken mirë në një infografik dhe pak më keq në sportelin ku një qytetar pret prej tre vjetësh për një vërtetim pronësie. Sepse matësi i vërtetë i integrimit europian nuk është vetëm numri i kapitujve të hapur, por distanca midis ligjit në letër dhe ligjit në praktikë. Pikërisht kjo distancë është ajo që IBAR-i do të vlerësojë. Le të flasim hapur: IBAR-i aktualisht qëndron në Bruksel, mes shteteve anëtare që po pyesin: a po reformohet vërtet Shqipëria? Kjo është pyetja që po bëjmë edhe ne këtu. Është pyetja që unë e bëj si Avokat i Popullit kur shoh mijëra ankesa që vijnë për administratën publike dhe gjyqësorin”, tha Shabani.
Ministri Toni Gogu, thotë se Shqipëria është drejt standardeve europiane sa i takon drejtësisë. Ai tha se brenda një viti, janë përmbushur 14 pika të ndërmjetme të negociatave dhe theksoi rezultatet e arritura.
“Shqipëria nuk ka shkuar përpara Komisionit Europian, para aprovimit të piketave të ndërmjetme me fjalë e llafe, por me hapa konkretë të masave. Mendoj që ka qenë ushtrimi më kompleks institucional që ka ndërmarrë qeveria. Në fund të ditës, pyetja është si po përfiton qytetari shqiptar nga kjo negociatë? Ka disa tregues që do t’i them shumë shkurt. E para, sistemi po hyn gradualisht në një fazë më të qëndrueshme funksionimi, me gjithë numrin e lartë të stokut të çështjeve, ka një tregues pozitiv që na jep shpresë që mund të adresojmë pikën e dobët të sistemit të eficencës që kaloi sprovën e vettingut dhe është ulja e stokut në Gjykatën e Lartë. Nga 2020 deri sot, stoku në Gjykatën e Lartë është ulur me 60%. Së dyti, po ndërtojmë standarde më të forta profesionalizmi e përgjegjshmërie. Vettingu, që mbyllet më 17 qershor, është projekti më afatgjatë që një vend ka pasur me BE para bashkimit. Mendoj që kjo është provë e qartë e seriozitetit të Shqipërisë në procesin e integrimit”, tha Gogu duke shtuar si pika zgjerimin e ndihmës juridike falas dhe dixhitalizimin e sistemit gjyqësor përmes platformës JURONIX.
Gogu solli në vëmendje edhe sfidat që parashtron për drejtësinë procesi i integrimit.
“Besoj që drejtësia do të jetë më e shpejtë, më e besueshme dhe e aksesueshme për qytetarin. Duhet të rrisim eficencën në sistem, të ulim 130 mijë çështjet në mënyrë domethënëse, kemi adresuar forcimin e garancive proceduriale, kemi ngritur një grup pune që po punon për Kodin Penal, e presim të mbërrijë në ministri dhe kemi siguruar asistencë teknike nga Komisioni Europian që të kemi një rishikim të dytë pas përfundimit të draftit fillestar dhe po punohet me Kodin e Procedurës Penale”, tha Gogu duke nënvizuar se nevojitet “bashkëpunim institucional” dhe jo “spektakël.”
“Ditët, muajt, vitet e mundësisë sonë të madhe”, u shpreh kryenegociatorja e Shqipërisë para Këshillit Kombëtar të Integrimit. Majlinda Dhuka nënvizoi se mbyllja e negociatave është sfida më e madhe që vjen dhe ka nisur një punë intensive për përgatitjen e të paktën 10 kapitujve. Tre prej tyre vlerësohen të realizuar, ndërsa vijon puna për të tjerët.
“Sfida është mbyllja e tyre me dinjitet, cilësi dhe rezultate të pakthyeshme si vend i BE. Po punojmë intensivisht që të përgatisim teknikisht mbylljen e kapitujve për të paktën 10 kapitujt e parë që mbulojnë 27 nga 101 piketa në total, teksa punojmë paralelisht me të gjitha fushat ose kapitujt e tjerë. Sa u përket kapitujve 30, marrëdhëniet me jashtë, 25, kërkimi shkencor dhe 26 – arsimi, ne vlerësojmë se Shqipëria i ka kryer të gjitha përgatitjet. Sigurisht pritet vlerësimi i Komisionit Europian dhe vendeve anëtare”, tha Dhuka.
Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin, Majlinda Dhuka tha se Shqipëria është në një moment kyç. Ndërsa vlerësoi punën e bërë, ajo u shpreh se tani vjen faza më e rëndësishme, mbyllja e kapitujve.
“Shqipëria është sot në një moment kyç dhe të rëndësishëm për rrugën europiane. Vijmë nga çelja e negociatave dhe punës së vlerësueshme dhe shkojmë në një fazë intensive të përgatitjeve teknike, shoqërore e ekonomike të transformimit evropian për të mbyllur negociatat për anëtarësim, të njohur si kapituj, një nga një dhe njëherësh. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re që është njëherësh më e avancuar dhe më kërkuese sa i përket vullnetit në reformim dhe aftësisë në transformim europian. Kjo është faza më e rëndësishme, ajo e të bërit një vend anëtar, një shtet me institucione europiane, drejtësi europiane, treg europian, vend me standarde europian”, tha Dhuka.
Dhuka nënvizoi se kjo fazë vjen me një sërë kërkesash për vendin dhe nevojën për përmirësim të vazhdueshëm.
“Kjo fazë inkurajon dhe teston vullnetin dhe aftësinë europiane të të gjitha institucioneve dhe ka imperativ bashkëpunimin e ngushtë. Kjo fazë vjen me nevojën për rolin emancipues të shoqërisë civile, përmes dijes dhe advokacisë, me nevojën për të bërë zërin e qytetarëve të dëgjohet. Ajo vjen me nevojën për të thithur dhe hapur sa më shumë dijen europiane, për të çuar zërin e Shqipërisë dhe lartësuar profilin e saj në shoqërinë europiane, mundësinë për bizneset për t’u afruar me tregun europian, me përgjegjësinë për të bërë biznes sipas rregullit dhe standardit europian, ndaj në plot raste do të kërkojë përmirësime”, tha Dhuka.
Komente











