Këshilltarët e opozitës në Bulqizë kanë denoncuar procedurat për dhënien në përdorim të pyjeve dhe kullotave.

Përmes një deklarate për opinionin publik dhe mediat, këshilltarët opozitarë theksojnë se dhënia në përdorim e pyjeve dhe kullotave po bëhet me nxitim dhe me fitues të paracaktuar.

Po ashtu, sipas përfaqësuesve të opozitës, një tjetër fakt shqetësues është mungesa totale e transparencës mbi të ardhurat që pretendohet se sjellin këto projekte në buxhetin e bashkisë.

Një apel ata e kishin edhe për bankat dhe institucionet financiare, të cilëve u bënë apel të tregojnë kujdes maksimal dhe të ushtrojnë standardet më të larta të kontrollit përpara, çdo angazhimi financiar në territorin e Bashkisë Bulqizë.

Deklarata nga grupi i anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë:

Nisur nga zhvillimet e fundit dhe tensionet e shfaqura në dëgjesat publike të organizuara në Njësinë Administrative Martanesh më 2 prill 2026, por edhe nga kundërshtitë e mëhershme të regjistruara në Gjoricë dhe Ostren, Grupi i Anëtarëve të Opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë shpreh shqetësimin e tij për mënyrën antiligjore, të nxituar dhe jotransparente se si administrata e Bashkisë Bulqizë po procedon me dhënien në përdorim të sipërfaqeve të konsiderueshme nga fondi pyjor dhe kullosor publik.

Ne, anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi theksuar edhe më parë në deklaratat tona publike dhe në qëndrimet e mbajtura në sallën e mbledhjeve, konstatojmë me shqetësim se dëgjesat e ashtuquajtura publike janë shndërruar në një formalitet administrativ, që nuk respekton as frymën dhe as Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në takime ku vendoset për qindra hektarë kullota dhe pyje, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetesën, ekonominë familjare dhe traditën blegtorale të banorëve, mungon tërësisht organi që ka legjitimitetin përfaqësues dhe detyrimin ligjor për të garantuar procesin: Këshilli Bashkiak.

Prania vetëm e Sekretarit të Këshillit dhe e përfaqësuesve të administratës së bashkisë, pa pjesëmarrjen e këshilltarëve apo të një grupi pune të mandatuar zyrtarisht nga Këshilli, e bën këtë proces të cunguar dhe pa legjitimitet. Sekretari i Këshillit, Klodian Reçi, sipas nenit 57 të ligjit, ushtron vetëm funksione administrative dhe procedurale, por në asnjë rast nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik dhe vendimmarrës të anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Bashkiak. Përfshirja e tij në këto dëgjesa përtej kompetencave ligjore përbën një precedent të rrezikshëm dhe cenon rëndë standardin institucional të përfaqësimit.

Po aq shqetësuese janë mangësitë serioze ligjore dhe procedurale që kanë shoqëruar ankandet e realizuara deri më sot për dhënien në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor për projekte energjetike. Një nga problemet më të mëdha lidhet me mungesën e konsultimit faktik me banorët që preken drejtpërdrejt. Në raste të caktuara, bashkia është mjaftuar me takime formale, ku pjesëmarrja ka qenë kryesisht nga administrata dhe jo nga vetë komunitetet e prekura, ndërsa kanë munguar shpjegimet e detajuara mbi parcelat, kufijtë, aksesin e ardhshëm të banorëve dhe ndikimin real në terren.

Vetë fakti që disa prej këtyre procedurave janë zhvilluar me vetëm një ofertues e forcon më tej perceptimin publik për mungesë gare dhe fitues të paracaktuar. Në çdo proces ku kemi pasuri publike, sidomos toka që lidhen me jetesën tradicionale të komunitetit, mungesa e konkurrencës dhe konsultimit krijon dyshime të arsyeshme mbi drejtësinë dhe integritetin e procedurës. Nëse procesi vijon pa dëgjuar banorët aty ku preken kullotat, stanet, rrugët tradicionale të bagëtive dhe ekonomia familjare, konfliktet në terren nuk janë më një mundësi, por një pasojë e pashmangshme.

Ne, theksojmë qartë se nuk jemi kundër investimeve dhe as kundër zhvillimit ekonomik të zonës. Përkundrazi, investimet serioze dhe të përgjegjshme janë të domosdoshme për të ardhmen e Bulqizës. Por revolta e banorëve në Martanesh, ashtu si në Gjoricë dhe Ostren, dëshmon se frika e tyre për humbjen e kullotave tradicionale në favor të projekteve fotovoltaike apo energjetike është legjitime dhe e bazuar në interesin jetik të familjeve të tyre.

Bashkia në deklarata publike citon VKM nr. 54 dhe Udhëzimin nr. 1 si bazë procedurale, por shmang faktin thelbësor se interesi publik dhe përdorimi tradicional blegtoral duhet të jenë prioritet absolut. Nuk mund të nxirren në ankand sipërfaqe që për dekada kanë qenë baza e ekonomisë familjare të dhjetëra familjeve dhe më pas ky proces të paraqitet si thjesht “procedurë ligjore”. Ligji nuk mund të përdoret si instrument për të rrethuar burimin e jetesës së banorëve.

Ajo që e bën më shqetësuese është edhe fakti se përpara kamerave, sekretari i Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi deklaron se dëgjesa në Martanesh po realizohet për paketën e maleve gjë e cila nuk qëndron në asnjë dokument. Pra, jemi në një mish-mash institucional, që nuk dihet se çfarë bëhet me një çështje kaq të ndjeshme për pronat publike.

Bashkia flet për hallka ligjore, por ka këputur hallkën më të rëndësishme: vetë Këshillin Bashkiak. Sipas nenit 54 të Ligjit 139/2015, është Këshilli organi që miraton parimet e administrimit të pasurive publike. Çdo dëgjesë e organizuar vetëm nga administrata dhe sekretari, pa mandatin dhe pjesëmarrjen e këshilltarëve, është pa legjitimitet përfaqësues.

Pretendimi se “nuk po u merret toka banorëve” nuk qëndron përballë realitetit në terren. Kur një kullotë jepet në përdorim për 10 apo 20 vite për panele fotovoltaike, me rrethim fizik dhe kufizim të aksesit, kemi të bëjmë me një tjetërsim “de facto” të përdorimit tradicional. Për blegtorin që nuk futet më në kullotën e tij, humbja është faktike, pavarësisht formulimeve juridike në dokumente.

Po ashtu, kundërshtojmë propagandën e bashkisë mbi të ardhurat që pretendohet se do të hyjnë në buxhet. Disa milionë lekë qira nga një subjekt privat nuk mund të peshojnë më shumë se dëmi ekonomik që u shkaktohet dhjetëra familjeve blegtore në Martanesh, Gjoricë dhe Ostren. Më e rëndë akoma është bindja e krijuar se këto të ardhura nuk do të kthehen në investime për komunitetin, por do të përdoren për të mbajtur fiktivisht të punësuar një administratë të fryrë dhe klienteliste me paga maksimale, larg nevojave të qytetarëve.

Gjithashtu një tjetër fakt shqetësues është mungesa totale e transparencës mbi të ardhurat që pretendohet se sjellin këto projekte në buxhetin e bashkisë. Përtej shifrave të dhëna për hektar, deri më sot nuk ka asnjë informacion publik dhe të detajuar se sa të ardhura faktike janë realizuar në buxhet nga dhënia në përdorim e tokave të fondit pyjor dhe kullosor për projekte të mëparshme energjetike. Po ashtu, mungojnë të dhënat mbi kontratat ekzistuese, pagesat e kryera faktike dhe ndikimin konkret që këto të ardhura kanë pasur në investimet e bashkisë, çka e bën edhe më të rëndësishme transparencën, auditimin e plotë financiar dhe një debat gjithëpërfshirës.

Në këto kushte, i ribëjmë thirrje organeve të prokurorisë, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) të mbajnë në monitorim të vazhdueshëm këtë proces, pasi ekziston rreziku që të përballemi me skema abuzive në dëm të pronave të përbashkëta, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për komunitetin në të ardhmen.

Kur bëhet fjalë për pasuri që lidhen drejtpërdrejt me jetesën e banorëve, çdo hije dyshimi duhet zbardhur deri në fund.

Një thirrje e veçantë u drejtojmë edhe bankave të nivelit të dytë, institucioneve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe çdo mekanizmi kreditimi që mund të përfshihet në këto projekte.

U bëjmë apel të tregojnë kujdes maksimal dhe të ushtrojnë standardet më të larta të kontrollit përpara çdo angazhimi financiar në territorin e Bashkisë Bulqizë. Financimi i projekteve pa transparencë, me kundërshtim të hapur të komunitetit dhe me rrezik për dëme mjedisore të pakthyeshme, mund t’i ekspozojë këto institucione ndaj riskut reputacional, konflikteve sociale dhe skemave spekulative që synojnë më shumë fryrjen artificiale të vlerës së kredive sesa investimin në terren.

Grupi i Anëtarëve të Opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë mbetet i vendosur në mbrojtje të interesit publik, të pasurive të përbashkëta dhe të së drejtës së komuniteteve për t’u dëgjuar përpara çdo vendimmarrjeje që prek të ardhmen e tyre.