Ketro: Hallet personale të Ilir Metës që po fusin në kurth edhe Partinë Demokratike

Ketro: Hallet personale të Ilir Metës që po fusin në kurth edhe Partinë Demokratike

Sapo ish-presidenti Topi kërkoi të nesërmen e ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011 që nga ana e prokurorisë të bëhej një hetim i plotë dhe të nxirreshin përgjegjësitë, ai u etiketua si “puçist” nga vetë Sali Berisha, kryeministër i kohës. Termi ishte intimidues me qëllim që ai dhe të tjerë të mos avanconin në nxjerrjen e shkaktarëve të vrasjeve.

Kur një kërkesë normale institucionale për të kryer hetime pas 4 vrasjeve quhet puç, pyetja që shtrohen nëse ngjarjet do ta lidhim me situatën aktuale politike është: Ç’do ta gjente zotin Topi nëse pas 4 muajsh, maj 2011, do t’i shtynte zgjedhjet vendore me kokë të vetë dhe të hidhte në diskutim shpërndarjen e Kuvendit?

Atij do t’i shkonte në zyrë ajo skuadër policie që nuk zbatonte urdhërat e prokurorisë për arrestimin e vrasësve në bulevard dhe do t’i hidhte prangat në presidencë si shkelës në flagrancë i Kushtetutës. Mos mendoni se fantazia ime shkon larg. Thjesht zoti Topi nuk e çoi nëpër mend ta bënte, dhe meqë ai nuk e bëri, ky skenar që parashtrova nuk ndodhi.

Në ndryshim nga zoti Topi, i cili vinte president si numri dy i PD-së, në ndryshim nga Bujar Nishani që vinte president si një ushtar i bindur i Berishës, Ilir Meta po tejkalon çdo militant të verbër partiak që mund të imagjinohej në presidencën shqiptare. Në këtë pikë Edi Rama gaboi në parashikim ku qysh në krye të herës shprehej se Ilir Meta ishte i prerë si kryetar Kuvendi, kur në fakt ai ka qenë kryeparlamentari më i keq që ka pasur Kuvendi i Shqipërisë në 29 vjet.

Gjatë drejtimit të tij, legjislatura 2013 – 2017 do të mbahet mend si periudha më e tmerrshme e parlamentarizmit, ku ligjin e xhunglës në çdo seancë e bënte PD-ja dhe ku kurrë një projektligj nuk u diskutua në normalitet. Ajo mënyrë funksionimi e Kuvendit ishte pasqyra më e qartë se Ilir Meta jo që nuk kishte autoritet për të vendosur rregull, por e kishte si normë pune anarkinë.

Ajo anarki pastaj iu kthye në bumerang edhe atij vetë kur Partia Demokratike kërkoi kokën e Ilir Metës pas akuzave se ai kishte organizuar vrasjen e dy deputetëve. Aq keq shkoi situata në ato çaste saqë kryeparlamentari Ilir Meta u detyrua t’i drejtohej ministrit të Shëndetësisë me fjalët: “Zoti Beqja, lajmëroni urgjencën dhe shërbimin e shëndetit mendor, ne do kujdesemi për opozitën, pesë minuta pushim, merrni edhe ilaçet dhe qetësohuni”.

Atëbotë Ilir Meta konsideronte të çmendur opozitën për hallin e vet, sot shpall të çmendur mazhorancën po për hallin e vetë.

Atëbotë Ilir Meta ishte i gatshëm të hidhte në votim mocionin e opozitës për shkarkimin e tij, sepse i kishte votat në Kuvend, kurse sot ku po diskutohet shkarkimi i tij si president dhe ai nuk i ka votat bllokuese, nuk po e pret këtë gjë me qetësi dhe dashuri, por po përshpejton të shpërndajë Kuvendin.

Një Kuvend të cilin ai, pas miratimit të Rezolutës me 100 vota, e quan ilegjitim dhe këtë e bazon tek fakti se ai nuk ka 140 deputetë, ndërkohë që ka 21 vjet që seancat parlamentare çelen kur prezent janë 71 deputetë.

Por për ata që besojnë se ai do ta shpërndajë, u them se ai nuk do mund ta bëjë dot këtë. Nuk është vetëm çështja se ai s’ka bazë ligjore ku të mbështetet. Dhe as fakti se mungesa e Gjykatës Kushtetuese e avantazhon për të nxjerrë dekrete që s’i ankimon dot mazhoranca. Unë eci me vijën logjike se kur Kuvendi shpërndahet vendi shkon në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë nga data e shpërdarjes.

Pyetja që mund të bëhet rëndom në këtë situatë është: A do të jetë e gatshme Partia Demokratike të futet në zgjedhje të parakohshme me Edi Ramën kryeministër? Nëse e bën këtë gjë, i bie që ajo të vërtetojë katërcipërisht edhe ndaj atij grushti përkrahësish ndërkombëtar që i kanë dalë në krahë këto kohë, që Lulzim Basha e ka pasur luftën vetëm për pushtet e jo për principet demokratike të zgjedhjeve e votës së lirë.

Kur PD-ja refuzon të futet në zgjedhje vendore, të cilat kanë një diapazon më të gjerë dhe janë me sistem mazhoritar, si mund të pranojë ajo të futet në zgjedhje parlamentare?! Çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme nuk e zhbën 30 qershorin si datë zgjedhjesh vendore, por edhe nëse mazhoranca do t’ia merrte të mirëqenë shpërndarjen dhe zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin në një nga katër të dielat e gushtit, sa garanci ka Ilir Meta që opozita do të marrë pjesë në to? 

Kur ajo bojkoton zgjedhjet vendore, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare do quhet vetëvrasje politike dhe e vetmja shpresë e Ilir Metës është që pas zgjedhjeve Partia Socialiste të mos zotërojë shumicën kushtetuese që e shkarkon atë. Pra, hapi që do mendohet të hedhi është tërësisht për hallin e vet, ndërkohë që dëmton tmerrësisht dhe fut në qorrsokak Partinë Demokratike pasi duke e vënë përpara faktit të kryer, e nxjerr atë qesharake në kulm sepse e vë përpara dilemës: të futet apo jo në zgjedhje. 

Duke u nisur nga bazat morale, nuk besoj se Lulzim Basha do futej në zgjedhje të parakohshme parlamentare me Ramën kryeministër. Kësisoj PS-ja do merrte e vetme së paku 100 deputetë të vetët dhe s’do kishte ndërkombëtar që s’do t’i njihte këto zgjedhje. Askush prej tyre nuk do mund të përkrahte një opozitë që bojkoton në mënyrë sistematike zgjedhjet. 

Nëse Lulzim Basha do i hidhte tutje principet morale që ka reklamuar deri më tani dhe do vendoste të hynte në zgjedhje, sërish ai do të dilte i humbur prej tyre. Kjo, jo vetëm për faktin se PS-ja ka kohë në është në fushatë dhe i ka strukturat të organizuara, kurse PD-ja është e tulatur e pa asnjë organizim elektoral, por sepse do ishin vetë demokratët në bazë të cilët nuk do t’i shkonin pas për faktin se ata do ndjeheshin të tallur nga mos marrja pjesë në zgjedhjet vendore. Kësisoj, edhe në këtë rast, Partia Socialiste do siguronte shumicën e cilësuar me së paku 84 mandate.

Duke dalë në këto konkluzione, besoj se presidenti Meta nuk do e hedhë këtë hap, pra shpërndarjen e Kuvendit. Mbase dielli i fortë i këtij qershori ka bërë të vetën dhe duke qenë se Shqipëqria është vend i çudirave, çdo gjë bën vaki, edhe e shpërndan. Në këtë rast s’na mbeten veçse t’i themi: T’u shtoftë inati!

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave