/ATSH-AFP/ - Një anije u mbyt dje në mbrëmje me më shumë se 450 persona në bord në lumin Jance, në jug të vendit, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve, Hsinhua.
"Anija "Dongfangzhixing" (Ylli i Lindjes) u mbyt gjatë kohës që bënte linjën mes Nankinit, në lindje dhe Chongqingit, në pjesën qendrore", theksoi agjencia.
Shkaku i mbytjes nuk dihet ende. Stacioni televiziv publik CCTV deklaroi se bëhej fjalë për një aksident, pa dhënë më shumë detaje.
Tetë persona kanë shpëtuar, prej të cilëve kapiteni i anijes dhe kryeinxhinieri, të cilët kanë deklaruar se shkak i mbytjes së anijes ka qenë cikloni, ndërsa fundosja ishte e shpejtë.
"Kur anija është mbytur dje në orën lokale 21:28 kishte 458 persona në bord, 406 prej të cilëve pasagjerë kinezë, pesë punonjës të një agjencie udhëtimesh dhe 47 anëtarë të ekuipazhit", theksoi CCTV.
Sipas televizionit zyrtar, anija, e gjatë 76 metra dhe me një kapacitet prej 534 personash, është në pronësi të një kompanie që organizonte udhëtime në rajonin e "Tre Grykave".
Sipas agjencisë kineze të lajmeve "Hsinhua", operacionet e shpëtimit ishin vështirësuar nga erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut.
Agjencia kineze e lajmeve shtoi se edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, ishte nisur për në vendin e ngjarjes./