Kisha e Përmetit, policia private
rimerr Pallatin e Kulturës

Kisha e Përmetit, policia private<br />rimerr Pallatin e Kulturës
PERMET-  Një ditë pasi besimtarë dhe priftërinj pushtuan Pallatin e Kulturës, sot herët në mëngjes policia private është rivendosur aty, për të ekzekutuar vendimin e gjykatës për t'i kthyer bashkisë së këtij qyteti godinën. Prej disa vitesh godina ishte kthyer në Kishë dhe dje pas pushtimit të Kishës nga besimtarët e priftërinjt u mbajt meshë. 

Korrespondenti ynë Piro Nase informon se policia private ka ndërhyrë në orët e para të mëngjesit duke larguar objektet që ishin vendosur përkohësisht dje nga besimtarët dhe priftërinjtë ortodoksë, madje fillimisht ka rrethuar dhe ndërtesën me shirita. 

Më  pas efektivët e policisë kanë larguar nga Pallati i Kulturës flamurin e verdhë, i cili është edhe simbol i Kishës Autoqefale Shqiptare, ndërsa dyert dhe dritaret janë izoluar me murë tulle për të penguar hyrjen e priftërijnve dhe besimtarëve në rast të një tentative të dytë.

Burime pranë Mitropolisë së Gjirokastrës pohojnë se presin orientime nga qëndra për mënyrën se s’i do të veprohet dhe nëse do ketë një tjetër tentativë për të hyrë në ambientet e Pallatit të Kulturës, ndërkohë që priftërinjtë kanë pasur një takim me kryebashkiakun e Përmetit, Gilbert Jaçe, i cili pas takimit është shprehur se "kërkesa e priftërinjve u rirefuzua".

Dje besimtarë dhe priftërinj të ardhur me autobusë nga Gjirokastra, Këlcyra dhe Saranda pasi u përleshën trup me trup me policinë private hynë brenda kishës dhe zhvilluan meshën e shenjtë.
 
Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare i ka kërkuar Athinës që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin.

ORA 15:00 - KRYEBASHKIAKU JAÇE-PRIFTËRINJVE: DO RESPEKTOJMË VENDIMIN E GJYKATËS
Rreth orës 13:30 minuta priftërinjtë kanë nisur një takim me kreun e bashkisë, Gilbert Jaçe në zyrën e tij në bashki. 

Priftërinjtë kërkuan të arrihet një marrëveshje për përdorimin e pallatit të kultutës si kishë. Pas takimit, rreth orës 15:00 ka reaguar mbi rezultatet kryetari i bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe. 

Sipas tij, vendimet e gjykatës duhet t’i respektojmë të gjithë dhe kërkesa e priftërinjve për të marrë ata nën administrim ish-Pallatin e Kulturës nuk pranohet. 

Sipas Jaçes, takimi u bë për të qetësuar situatën, pas dhunës që shpërtheu mes klerikëve ortodoksë dhe policisë private, teksa të parët kërkuan të marrin nën administrim Pallatin e Kulturës.

Gjatë takimit nuk u diskutua rreth incidentit të djeshëm dhe u kërkua mirëkuptim nga komuniteti ortodoks për godinën. “Harmonia në qytetet duhet të jetë mbi gjithçka”, përmbylli Jaçe.

 Çfarë i tha zv/ambasadorja shqiptare MPJ greke

ÇFARE NDODHI DJE NE PERMET: BESIMTARET PUSHTOJNE KISHEN
(Shkrimi i Telnis Skuqit, botuar sot në Shqiptarja.com)

Plas në Përmet. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, objekti që ka ndezur luftën midis kishës ortodokse dhe pushtetit vendor për më shumë se një dekadë, po mban të mbërthyer mbarë opinionin publik.
Të dyja palët po tregojnë forcën. Toleranca për ta është zero.

Objekti dykatësh me sipërfaqe mbi 6000 metra katror, që ndodhet në qendër të qytetit të vogël jugor, dje është “zaptuar” nga besimtarët ortodoksë. Luftë e madhe u bë. Rreth orës 11:30, qindra besimtarë të ardhur nga Gjirokastra, Këlcyra dhe Saranda, janë përleshur trup me trup me policinë private. Në fund, ata u dorëzuan pa kushte.

Armando Koçi, djaloshi 27 vjeçar nga Gjirokastra, ishte njëri prej tyre. Ai udhëtoi në agim drejt Përmetit. Erdhi për t’u lutur dhe befas u përplas me policët trupmëdhenjë. “Ndodhi sa hap e mbyll sytë. Dyluftimi nisi si me “shaka”. Më pas turma nuk u kontrollua”, rrëfen Koçi.
Për të, “lufta” midis policisë private dhe besimtarëve ishte e drejt. “Ata kanë të drejt të ruajnë objektin, jo të provokojnë besimtarët”, flet Koçi. Sipas tij, katër policët u tërhoqën përballë turmës. “Për ne policët privat ishin të vdekur. Shpëtuan fal ndërhyrjes së Policisë së Shtetit”, tregon Koçi, i cili shton se pallati i kulturës i përket Kishës Ortodokse.

“Është e pafalshme që një objekt kulti të dhunohet nga policia private. Ne nuk duam “luftë” me ta, por shteti duhej të respektoj institucionet fetare”, vijon Koçi. I këtij mendimi është edhe Elena M., nga Përmeti. Ajo thotë se ka udhëtuar gjithë natën nga Greqia për të marrë pjesë në protestën e sotme.

“Gjatë gjithë rrugës kam menduar vetëm për kishën. Nuk e mendoj dot se si institucionet ligjzbatuese vendosin dorë mbi kultet fetare. Në Greqi kjo nuk do të ndodhte kurrë”, shprehet Elena, 45 vjeçare, nëna dy fëmijëve të rritur.
Elena mendon se konflikti mund të zgjidhet me mirëkuptim.

“Nuk besoj se kryebashkiaku i Përmetit dhe kryepeshkopi i kishës janë “armiq” të betuar. Ata mund të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, për të kënaqur të dyja palët në konflikt”, thotë Elena, e cila gjatë protestës për të rimarrë godinën e “zaptuar” nga Zyra e Përmbarimit nuk u angazhua.
“Personalisht i urrej revoltat. Besoj tek Zoti dhe ligji, por e përkrah veprimet e besimtarëve. Ata u provokuan nga policia private”, thekson Elena. At Vasil Thomollari, prifi i Përmetit, një ndër më aktivët në protestën, thotë se revolta erdhi si pasoj e pakënaqësisë ndaj katër policëve të “Aulonës”.

“Nuk besoj se një njeri mund të duroj ofendimet pafund të policëve. Ata na provokuan. Përmeti është qytet i kulturës, por ku revoltohemi dimë t’i përgjigjemi”, thotë At Vasili.
Revolta, vijon At Vasili, tregoj se ishte e drejtë. Njerëzit nuk duan dhunë, por lutjet e Perëndisë. At Vasili tregon se gjatë protestës disaminutëshe policia private përdori mjete të forta për të shpërndarë turmën.

“Besimtarët u goditën me sende të forta, disa prej tyre u lënduan. Më pas gjithçka doli jashtë kontrollit”, specifikon At Vasili, ndërsa nënvizon se situata u qetësua kur besimtarët dhe klerikët të ardhur nga Gjirokastra, Këlcyrë dhe Saranda, nisën një meshë në ambjentet e brendshme të godinës.
“Ne kurrë nuk do të largohemi nga kisha. Do të qëndrojmë natë e ditë të mbrojmë besimin tonë. Ata që na prekin do të ndërshkohen nga Zoti”, thekson At Vasili.

Bledi Mane, drejtori i kulturës pranë Bashkisë së Përmetit, i cili gjatë katër ditëve të fundit ka ndjekur nga afër konfliktin, në një dalje publike, i ka kërkuar klerikëve ortodoksë të ndalin mallkimet dhe shkishërimet ndaj komunitetit.
“Policia e Shtetit të mos qëndroj indiferente dhe të marrë dorë situatën. Kryebashkiaku i qytetit, Gilberto Jaçe, të kthehet urgjent nga pushimet në Itali dhe të marrë situatën në dorë, ndërsa policia private “Aulona” të tregohet më tolerante në zbatimin e ligjit dhe komunikimin me qytetarët e përmetit”, ka deklaruar Mane.

Më tej, pëfaqësuesi i bashkisë, i ka bërë thirrje komunitetit përmetar të ngrihet mbi palët e konfliktit dhe të ruajnë qetësinë. “Banorët pwrmetarw duhet të bashkëpunojnw me palët për të vendosur qetësinë publike. Qyteti është i vogël, por ka vend për të gjithë”, nënvizon Mane. Konflikti midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse lindi 16 vite më parë, pas një vendimi të Komisioni i Pronave rrethi Përmet, më 26 maj 1997.

Pushteti vendor reagoi, por me kalimin e viteve u zbeh. Në vitin 2002, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Bashkisë së Përmetit, por prej 11 vitesh ky objekt mbahet forcërisht nga Kisha Ortodokse. Përfaqësuesit e Kishës Ordotokse pretentojnë se objekti fetar në Përmet është ndërtuar në vitin 1830, ndërsa pas 130 vitesh (1960), ky kult u shkatërrua nga regjimi komunist.

“Objekti ndryshoi destinacion. Ambjenteve të brendshme u kthyen në sallë kulture”, pohon At Ikononi, përfaqësuesi i Mitropolisë së Gjirokastrës. Ndërkohë, pushteti vendor pretendon të kundërta. Ata shprehet se ky objekt me nr. pasurie 16/9, është pronë e qytetit të Përmetit. Bashkia e Përmetit në bashkërendim me Zyrën e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kanë dështuar.
 
REAGON KRYEPESHKOPI
Kryepeshkopi Anastas Janullatos, nuk ka qëndruar në heshtje, por ka reaguar ndaj situatës së krijuar në qytetin e Përmetit. Ai i ka cilësuar sulmet mbi kishën në Përmet, si të vitit 1967, kur komunizmi nisi çmontimin e fesë në Shqipëri.

“Nje grup gjoja i sigurisë përdhosi të shenjtat e të shenjtave brenda Kishës Ortodoske. Ata morrën pagwn për këtë, por ne nuk e dimë kush janë prapa tyre", deklaroi kryepeshkopi Janullatos. Sipas tij, çdokush mund të pyesë, nëse jetojmë në vitin 2013, ku të gjithë kemi shpresën të shkojmë në Europë.

"Ne nuk e dimë kush ka të drejtën për të bërë këtë përdhosje, sakrilegj. Ata njerëz duhet të jenë të feve të tjera, ose të pafe. Si mund të tolerohet që në shekullin e 21, këta njerëz të përdhosin kishën e shenjtë, në një kohe kur bëhet fjalë për një Europë të bashkuar dhe demokratike", vijoi Janullatos, ndërsa shtoi se kisha e Përmetit është ndërtuar në shekullin e XVII.

"Qeveria shqiptare e di shumë mirë se cilat Kisha Ortodokse ka konfiskuar. S’ka nevojë për komisione se ka foto të qarta, që kjo kishë ka qenë më parë në qendër të Përmetit. Ne nuk mbajmë mëri, po lutemi që ata të kuptojnë gabimin”, përfundon deklartën Kryepeshkopi Janullatos.

Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban