Gjatë fjalës së tij Dule tha se Rama ka ndërmarrë aktin më të errët në historinë e të drejtave të njeriut dhe lirisë së besimit, duke shembur kishën e Shën Thanasit.
“Nuk mund të pritej një veprim i tillë. Ju vajtët në Paris dhe i treguat botës që kishit marrë me vete 4 përfaqësues të besimeve fetare dhe respektin ndaj feve. Ngjarja ndodhi më 26 gusht në një kohë që ne ishim vendi që do të organizonim dhe organizuam më 8 shtator konferencën ndërkombëtare me 4 mijë përfaqësues të feve të ndryshme, “Peace is alëays posible” (paqja është gjithmonë e mundur). A mund të imagjinonte ndokush se Kryeministri Edi Rama, mikpritës i një enventi të tillë do të shembte një objekt fetar. Ju e bëtë, në të gdhirë të 26 gushtit, ku errësira ishte e thellë ndërmoret aktin më të errët në lidhje me të drejtat e njeriut, lirisë dhe të drejtat fetare. Cila është baza ligjore e një akti të tillë?” tha Dule.
Në përgjigje të akuzave të kreut të PBDNJ-së, Rama tha se nuk u prish një kishë, por një ngrehinë e rëndomtë e ndërtuar mbi një monument historik. Sipas tij prishja e asaj ngrehine tërësisht të papranueshme, u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të shëmbëlltyrës së kishës së vjetër të Dhërmiut.
“Më keni thirrur në një interpelancë të gabuar por detyrimi im është t’i japë llogari këtij Kuvendi edhe kur gabimisht më adresohen mua për bëma apo të pa bëra që s’kanë lidhje me detyrën time. Për sa më takon mua, prishja e asaj ngrehine tërësisht të paparanueshme jo si kishë por as si stallë, për t’i hapur rrugë kontaktit të njerëzve me historinë është një punë fort fisnike të cilën do kisha pritur që ju ta kishit përshëndetur. Një punë që ngre lart vlerat e fesë dhe të trashëgimisë kulturore. Është hapur rruga që aty të rindërtohet shëmbëlltyra e kishës së vjetër të Dhërmiut, për të rikthyer atë hapësirë rrezatuese të një historie që ne nuk mund ta pranonim të varrosur nën peshën e atij objekti skandaloz,” u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit rikthimi i shëmbëlltyrës së kishës së vjetër ka një rëndësi të veçantë pasi ajo ishte një hapësirë ku mësohej edhe gjuha shqipe.
"Janë studiuesit e historisë që kanë shkruar për historinë e asaj kishe dhe murgut Nil Katalani, i cili ishte misionar i fesë dhe i gjuhës shqipe dhe arsyeja e rikthimit të kishës së vërtetë të Shën Thanasit ka një vlerë të vërtetë sepse ajo nuk ishte vetëm kishë por një hapësirë ku mësohej gjuha shqipe. Unë se kam kuptuar se si ju dhe vëllezërit tuaj me kombësi greke ndiheni pronar të ortodokësisë në Shqipëri. Dua t'iu rikujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë grekë" deklaroi Rama.
Më tej Rama pohoi se Bashkia Himarë ka ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara nga ligji për prishjen e një ndërtimi pa leje, i cili nuk mund të futej në proces legalizimi.
Pas fjalës së Ramës, Dule iu rikthye argumentit duke thënë se banorët tashmë po luten në gërmadhat e kishës së shembur.
“Sot e kësaj dite në rrënojat që ju shkaktuar mblidhen njerës dhe i luten perëndisë. Kurse ti ua quan vendin e shenjtë garazh. Turp zoti kryeministër”, tha Dule.
Por për Ramën fakti që njerëzit bëjnë procesione në vendin e shenjtë, është një nxitje akoma më e madhe që kisha e re të rindërtohet një orë e më parë, në mënyrë që banorët të kenë një vend të denjë për t’u lutur.
“M’u duk pak ekzagjerim për të mos thënë lajthitje, që njerëzit po i luten perëndisë që t’i rikthejë stallën. Njerëzit shkojnë në procesione në vende të shenja. Shkuarja e tyre mua më nxit që një orë e më parë ta kthejmë shëmbëlltyrën e kishës së vjetër”, replikoi kryeministri.
Kisha e Shën Thanasit, u shemb në të gdhirë të 26 gushtit, nga Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Himarës.
Fjala e plote e kryeministrit Rama ne interpelance
I dashur Vangjel!
Më keni thirrur në një interpelancë të gabuar, por detyrimi im është t’i jap llogari këtij Kuvendi dhe çdo deputeti apo deputeteje të nderuar të tij, edhe kur gabimisht më adresohen mua për bëma apo të pabëra që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me detyrën time.
E ja si më poshtë, llogaridhënia ime, përmes së cilës do ta kuptoni edhe ju, pse çështja e ngritur prej jush në nivelin e interpelancës me Kryeministrin nuk hyn fare mes nesh.
Nëse do të frymëzoheshim nga shembulli i Papës Gregori i madh, i fortnderuar edhe nga ortodoksët, i cili në shek. VI i detyroi katolikët e Siçilisë të rindërtonin një sinagogë të shkatërruar prej tyre në emër të fanatizmit, do të duhej të llafoseshim për të ringritur në fakt, kishën e moçme të Shën Thanasit, të shkatërruar prej fanatizmit komunist në vitet ’70-të.
Ndërsa ngrehina e rrëzuar, për të cilën, ju i dashur Vangjel, por dhe shumë të tjerë përfshi edhe të tjerë, bëtë aq shumë potere, nuk është kisha martire e Shën Thanasit. Madje, ngrehina në fjalë nuk ka qenë kishë as dhe një ditë të vetme. Sepse çudi në fakt, sesi një njeri si ju, që fenë e ka përdorur shpesh për të bërë politikë, nuk e ka marrë vesh ende se vërtet çdo ngrehinë mund të jetë një objekt provizor kulti, por kanonet kishtare dhe estetike të përbotshme na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë.
As historianët, as studiuesit, nuk kanë qenë madje në gjendje të thonë, - në mos gabofsha unë, - nëse kjo ngrehinë dhe këndi që i shërben si altar kanë qenë ndonjëherë të shuguruar konform rregullave, nga autoriteti kishtar.
E kjo e vërtetë fillestare që lypset për të folur për një kishë e bën objektin e interpelancës nul, pasi Inspektorati Ndërtimor nuk ka shembur në fakt, ndonjë kishë. Objekti i shembur, të cilët ju vazhdoni t’i referoheni si kishë e shembur, për mua duhet vënë thonjëzat, ishte thjeshtë një ngrehinë e rëndomtë pa leje, një lloj "garazhi” apo “stalle”, ndërtuar në mënyrë skandaloze jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90-të mbi një monument historik.
Nuk do një mendje të hollë për të thënë se asnjë lloj konkursi që mund të organizonim për t’u kërkuar konkurrentëve se çfarë ishte ajo ngrehinë, nuk do të nxirrte dot një njeri të vetëm që të thoshte se kjo këtu është kishë. Kjo që po them është lehtësisht konsensuale me të gjithë ata që e kanë parë shëmbëlltyrën në fjalë dhe me të gjithë ata që mund t’i referohen për të vërtetuar fjalët e mia.
Për më tepër, prishja e objektit në fjalë ishte thjesht një akt i zbatimit të ligjit dhe kryerjes së detyrës nga ana e Bashkisë Himarë, në vazhdën e rilindjes urbane në një zonë pasurish të rralla natyrore dhe historike, rrënuar prej vitesh të tëra abuzimi dhe braktisjeje. E janë faktet që thonë dhe jo unë, se Bashkia Himarë, në zbatim të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore, në zbatim të Ligjit për Inspektimet e Ndërtimit, si edhe të ligjit për Planifikimin e Territorit, ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara dhe të kërkuara nga ligji për prishjen e një ndërtimi të rëndomtë pa leje.
Ky ndërtim pa leje nuk mund të hynte në një proces legalizimi, pasi, siç besoj dhe ju e dini fort mirë, në zonat me interes të veçantë historik, kulturor dhe arkeologjik nuk lejohen legalizimet e ndërtimeve pa leje. Këtë e thotë ligji, pavarësisht se historia e viteve që pararendën ardhjen tonë në qeveri ka dhënë plot shembuj të shkeljes së ligjit në këtë drejtim.
Pjesa dërmuese e banorëve të Dhërmiut duket se kanë qenë dakord me prishjen e këtij objekti, i cili nuk përfaqësonte asgjë në një territor ku ju kujtoj, gjenden 38 kisha të mirëfillta, të vjetra dhe të reja dhe ku padyshim, komuniteti do të vazhdojë të ketë mbështetje të plotë shtetërore për të ndërtuar dhe të tjera, nëse i nevojiten. Sigurisht, në bashkëpunim me autoritetet kishtare që përcaktojnë se ç’është një kishë dhe ç’është një ngrehinë e rëndomtë ku njerëzit edhe mund të falen.
Prandaj le të kemi shumë më tepër respekt për vendet e kultit dhe mbi të gjitha le të kemi shumë respekt, në këtë rast konkret, për një vend ku ndodhen rrënojat e kishës që ju e përmendët, e kishës së vërtetë të Shën Thanasit, e cila ka qenë e shpallur monument kulture në vitin 1963 e më pas është hequr nga lista në vitin 1969 dhe i është lënë në dorë gjithë prurjes barbare, në suazën e asaj lufte për ateizëm, që edhe ju e sollët këtu, përpara nesh.
Për sa më takon mua, në këndvështrimin tim, prishja e asaj ngrehine, tërësisht të papranueshme, jo si kishë, por as si stallë në atë vend, për t’i hapur rrugë kontaktit të njerëzve me historinë, është një punë fort fisnike që unë sinqerisht do kisha pritur, që ju, i dashur Vangjel, ta kishit përshëndetur, si njeri lidhur me çështjet e fesë dhe të historisë. Një punë që ngre lart vlerat e fesë, vlerat e historisë dhe të trashëgimisë kulturore të atij vendi dhe të asaj toke.
Me iniciativën e Bashkisë së Himarës është hapur rruga që aty të rindërtohet shëmbëlltyra e kishës së vjetër të Dhërmiut, jo për të bërë shërbime fetare, por për të rikthyer atë hapësirë rrezatuese të një historie që ne nuk mund ta pranonim të varrosur nën peshën banale të atij objekti skandaloz. Kjo meriton përgëzime për bashkinë e Himarës, në synimin për ta bërë atë zonë, përçuese të një jehone për të cilën, ne të gjithë besoj, këtu nuk ka dallime, me të drejtë duhet të ndihemi krenarë, por edhe që kemi detyrimin t’ua lëmë ta ndiejnë, ta prekin së afërmi edhe gjeneratat e tjera, por edhe vizitorët që vijnë, të cilëve nuk mund t’u tregojmë për kisha, objekte aq shpërfytyruese të çdo vlere besimi, për të mos folur pastaj, historie apo estetike.
Sigurisht që kërkimi historik dhe shpjegimi i fakteve historike nuk është detyra e Kryeministrit as e qeverisë. Historinë e shkruajnë historianët, ne e jetojmë atë dhe pavarësisht se ç’mendojmë për çfarë shkruajnë historianë, nuk mund të përdorim, mendoj unë, detyrën për të ndikuar mbi shkrimin e historisë. Dhe janë studiuesit e historisë që kanë shkruar për origjinat e asaj kishe, siç kanë shkruar edhe për murgun Nilo Catalano, që ashtu si Filoteo Zassi, Zef Skiroi etj., krijonin vatra arsimore dhe kulturore që frekuentoheshin edhe nga besimtarë të feve të tjera.
Nil Katalani ishte jo vetëm një misionar i fesë, por edhe misionar i gjuhës shqipe. Arsyeja se pse rikthimi i shëmbëlltyrës së hershme të kishës së vërtetë të Shën Thanasit ka një vlerë të madhe historike, lidhet pikërisht me këtë, sepse ajo nuk ishte vetëm kishë, por ishte një hapësirë ku mësohej gjuha shqipe. Gjuha e asaj toke atje, denbabaden, që kur Zoti bëri njeriun dhe bashkë me njeriun bëri dhe himarjotin. Unë nuk e kam kuptuar dot asnjëherë, i dashur Vangjel, se si e qysh, ju dhe sivëllezërit tuaj me kombësi greke ndiheni pronarë të temës së ortodoksisë dhe të komunitetit ortodoks në Shqipëri. Vëllazërisht dua t’ju rikujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë grekë. Ashtu sikundër, hapësira e besimit të tyre, liritë dhe të drejtat e tyre fetare nuk janë nën asnjë juridiksion tjetër, përveç juridiksionit të Republikës së Shqipërisë.
Thënë kjo, nuk duhet harruar edhe se përkatësia e kishës së Shën Thanasit, po të përcaktohej nga riti, nuk do të ishte medoemos ortodokse, pasi riti bizantin është përcaktuar tutje tëhu, në kohëra të largëta, nga besimtarë katolikë, në kungatë me kishën e Romës së vjetër. Mbi këtë dëshmojnë vetë nismëtarët e ndërtimit të këtij tempulli, dedikuar patriarkut Shën Thanas të Aleksandrisë, korifé i besimit të krishterë, tamam atëherë, kur integriteti i këtij besimi cenohej nga herezi apo sulme që historia përsëri tregon se jo rrallë, zanafillën e kishin në mjediset bizantine të Kostandinopojës dhe fatkeqësisht jo rrallë ishin të lidhura jo vetëm me fenë por edhe me gjuhën e njerëzve të atyre zonave.
Nilo Katalano ka qenë italian. Ka lindur në 1637 në Terra di Massa një fshat i Siçilisë. Në moshën 22 vjeçare veshi petkun e murgut bazilian në manastirin e famshëm të Grotaferrates afër Romës, manastir i dëgjuar katolik i ritit bizantin, dhe ka vdekur në Himarë më 3 qershor më 1694. Ka predikuar në fshatrat e bregdetit, pastaj në Dukat, në Shën Vasil, në Nivicë, në Tërbaç, në Kuç, në Zhulat, që bënin pjesë në krahinën e quajtur të Himarës, - e bashkisë së re të Himarës, - e cila në atë kohë përmblidhte tërë Labërinë, me gjithsej 40 qendra të banuara, siç del në dokumentet e shkruara të shekujve XI - XVII. Predikimi i këtij misioni bëhej në gjuhën shqipe. Ai shkroi libra dhe manuale në shqip. Ai sa zbriti në Dhërmi krijoi shkollën e të rinjve dhe të fëmijëve duke i mësuar të gjithëve në shqip Doktrinën e Krishterë.
Dhërmiu më 1694-n kishte 1850 shtëpi. Shkolla shqip e Katalanit kishte 80 nxënës, gjë shumë e madhe për kohën. Dhimitër Shuteriqi, por edhe Jup Kastrati i kanë studiuar dorëshkrimet e Katalanit dhe i kanë vlerësuar shumë lart. Këta e tregojnë Katalanin si një dijetar të një formati të madh. Kisha e Shën Thanasit është një kishë pasbizantine, siç janë jo të pakta në atë zonë, për të cilat kanë shkruar arkeologët dhe studiuesit e trashëgimisë, përfshirë Aleksandër Meksi apo Piro Thomo. Pa dyshim studiuesit do të vazhdojnë të shkruajnë e të thellohen në historinë e saj dhe të priftit i cili u dergj po në atë tokë, ku as eshtrat nuk ia lanë në paqe. Por historia e eshtrave të atij njeriu tw madh është një bisedë për një ditë tjetër. Kështu që le ta themi troç dhe qartë. E gjitha kjo s’ka të bëjë as me fenë as me politikën. Ortodoksia e cila përderisa si kisha e Romës i përmbahet “katolicitetit” të saj, pra karakterit të saj të përbotshëm dhe universal konform Koncilit Ekumenik të Nikesë, nuk ka parapëlqim për një kombësi të caktuar, ortodoksie. Të paktën, kështu thuhet prej motesh të tërë e këtë dua me patjetër unë që të besoni dhe ju. Se unë këtë besoj i dashur mik Vangjel. Këtë ta besojmë të gjithë sëbashku.
Përpjekja për t’i dhënë ortodoksisë një komb është një përpjekje që nuk ka lidhje me ortodoksinë vetë. Por që në të kundërt siç na mëson historia ka sjellë në një dy apo më shumë raste dëme deri në jetë njerëzish për kombe të tjera. Të tjerat mendoj se duhet t’ia lëmë lirisë së besimit dhe ne le të qëndrojmë aty te kufiri që ndan shtetin nga feja dhe nga kisha. Të tjerë preferojnë t’i kenë bashkë. Ne këtu në Shqipëri kemi bërë një zgjedhje të qartë që është e shkruar në Kushtetutën që ti, ju kishit në dorë. Feja dhe punët e fesë nuk kanë lidhje me politikën dhe punët e shtetit.
Detyra jonë si shtet është të bëjmë patjetër dy gjëra, e para të ruajmë, të ringjallim të kujtojmë vlerësojmë historinë kombëtare dhe momentet kulturore historike si dhe figurat që kanë kontribuar në të edhe përmes fesë dhe posaçërisht si figura të fesë që kanë qenë përhapësit e gjuhës në këtë vend që për të kanë dhënë jetën shumë njerëz dhe për të cilën janë organizuar jo rrallë në mjedise jashtë këtyre trojeve, shumë skenarë dhe operacione me pasoja deri në gjakderdhje.
Kështu që ne t’ua përcjellim brezave këtë kujtesë, sepse origjinat duhet të njihen jo vetëm nga historianët, po dhe nga ne, nga fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, për të kuptuar vlerën e madhe të gjuhës sonë, gjuhës shqipe dhe të bashkëjetesës sonë fetare dhe kulturore. Bashkëjetesë që në komunitetin ortodoks mes ortodoksëve shqiptarë dhe ortodoksëve grekë, si njerëz të thjeshtë dhe besimtarë, nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje dhe mbi të cilën, pikëpyetjet janë vendosur sa herë politika apo interesa të përçuara përmes politikës kanë ndërhyrë në çështjet e thella të zemrës, siç janë çështjet e besimit.
Ne na takon sot, aq më tepër në këtë kohë të trazuar, aq më tepër në këtë botë që gjithmonë e më pak e sheh qartë shtegun e arsyes për të bashkëjetuar me dikë tjetër që një fe tjetër ka, të jemi bashkërisht promotorë të asaj që Papa Françesku e zbuloi këtu dhe e quajti “Vëllazëri fetare”. Vëllazëri fetare duke ndërtuar simbole kujtese, simbole edukimi, simbole referimi në çdo vend ku ky vend ka krijuar kulturë. E dyta, të respektojmë ligjin dhe rregullat në zhvillimin e territorit. Kur ngrehina, - ca më shumë si ajo që unë nuk e kuptoj dot, duhet një kurojë prej fanatiku, që duke të njohur fanatik nuk je, për t’i dalë zot asaj përçudnie si Kishë, - të mos mbijë në territor, qoftë edhe në emër qëllimesh të mëdha fisnike, se kemi parë shumë ndërtime pa leje që mëkatin e kanë të shprehur, e dini ku? Tek ngulja e flamurit kombëtar në çati; Unë e ndërtova pa leje, por unë jam patriot.
T’i lëmë punët e politikës jashtë. Kemi boll dhe edhe kur si kemi, gjejmë siç e kemi parë, arsye për t’u përleshur dhe për t’u ngërdheshur. Por çështjen e fesë të mos e prekim dhe të mos e ngatërrojmë me çështjet e ligjit. Përsa i përket kujdesit për kishat ortodokse si një vlerë e jashtëzakonshëm e kulturës shqiptare dhe po ashtu e artit shqiptar, unë ju sfidoj ju dhe të gjithëve ju që jeni këtu, të bëjmë një llogari, çfarë kemi bërë ne, me këto mundësi të kufizuara, në kaq pak kohë, - ku edhe Gjanicën, tani na e faturojnë si veprën tonë. Gjanica është motra e Lanës e zhvilluar nën të njëjtin shembull, por me një ndryshim shumë të madh, se Lana ishte siç i thonë para Krishtit, mbas Krishtit, ishte para Shabanit. Gjanica erdhi mbas Shabanit. Kështu që aty janë edhe të legalizuara, janë bërë edhe pronarë, duhen edhe shpronësuar dhe histori të tjera.
Në këto dy vjet, kujdesi jonë për kishat, ortodokse, katolike, për bazilikat, për xhamitë nuk krahasohet konkretisht me çfarë është bërë në gjithë periudhën përpara.
Në zonën e Dhërmiut ka 38 kisha. Kisha më e vjetër është ajo e Shën Stefanit, e ndërtuar në shek. XII. Dhe pjesa më e madhe e kishave të Dhërmiut janë ndërtuar në shek. XVI-XVIII.
Ato kisha që janë monumente kulture për herë të parë pa shembjes së komunizmit i janë nënshtruar një kontrolli të imët. Përherë të parë janë pjesë e një inventari me të gjitha problematikat specifike kishë për kishë. Për herë të parë janë pastruar dhe nuk janë pastruar nga kisha, - flas nga autoritetet e kishës, - por nga punonjësit e IMK dhe të ministrisë së kulturës dhe për herë të parë kanë hyrë në proces restaurimi. Sapo ka mbaruar së rindërtuari Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno që iu shemb çatia dhe e lanë në mëshirë të fatit. Vetëm dy javë më parë kemi shpallur Monument kulture Kishën e Shën Nikollës në Dhërmi, të harruar, pa çati, ndërkohë që, - të paktën këta të tjerët kanë të drejtë ta bëjnë këtë por ti duhet ta dëgjosh këtë fjalë. Gjanica hyri si objekt i antikultit në një bisedë për kultin, - kjo kishë është në proces. Ashtu sikundër, nuk ju ka ftuar Shkëlqim Selami, unë do ta nxis t’ju ftoj, që bashkë të shkoni të vizitoni kishën e Shën Andreas në Karaburun, një tjetër mrekulli. Ose shkoni në Berat shikoni Kishën e Kozarës. E cila një vit më parë u dogj pas shërbesës fetare sepse ishte lënë copë-copë. Po ashtu kishën e Ristozit në Korçë, kishën e Evengjelizmoit, që është edhe kisha jote në Berat. Kemi gati projekti për kishën e Mesopotamit. Erjon Braçe është shumë krenar që më fund Shën Thanasit i Karavastasë do të hapet për Krishtlindje pas kaq vitesh degjenerimi dhe është kthyer që tani në pikë turistike të privilegjuar, ndonëse është ende kantier restaurimi. Dhe jam i bindur që Erjoni të mirëpret. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë ndërhyrje në vepra të mëdha të historisë dhe të kulturës dhe të artit tonë por janë ndërhyrje në objekte kulti që iu shërbejnë besimtarëve. Të cilët nuk i pret tek dera një lopë që ka humbur rrugën dhe kujton se është stalla aty ku ti thua është kisha por i pret autoriteti përkatës me nderimet më të mëdha.
Dhërmiu dhe besimtarët e tij meritojnë kisha dinjitoze dhe ne do i mbështesim fuqimisht komunitetet me të gjitha mundësitë, sado të kufizuara, që kemi.
Po të them edhe një gjë.
Të paktën në këta dy vjet që kur kemi filluar të gjithë kantieret, Kisha ortodokse nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për të restauruar kishat ortodokse, që ishin të rrënuara e të harruara. Për këtë nuk e fajësojmë, burimet e saj mund të jenë krejtësisht të kufizuara. Por po ju siguroj që dialogu im me Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkop Anastasin, është një dialog i vazhdueshëm qysh në krye të herës dhe kemi bërë edhe një marrëveshje që Kisha ortodokse të kontribuonte financiarisht, nuk i ka qëndruar dot marrëveshjes por ky nuk është mëkat. Shpirtërisht është në marrëveshje me ne dhe unë jam i bindur që shpirtërisht i qëndron marrëveshjes. Dhe ne kjo na mjafton për të vazhduar më tutje.
Ndërkohë që, tek Kisha e Shën Mërisë në Delvinë na është dashur të shkulim një pemë që ishte mbirë brenda në kishë e i kishte dalë mbi çati. Pa folur pastaj për kishat e Beratit që aq sa u ruajtën ashtu si u ruajtën i ruajti perëndia. Dhe janë vërtet provë që ka Zot. Sot kemi një listë të kishave në rrezik. Dhe unë do isha shumë i lumtur nëqoftëse ju të gjithë autoritetin tuaj në botën kishtare do ta vendosnit në dispozicion të lobimit dhe të promovimit të kësaj qasje të re të qeverisë për këtë rilindje edhe në këtë fushë në mënyrë që të mund të tërhiqnin investitor të interesuar. Që në vend se të paguanin për të lobuar nëpër kanceleri të caktuar për të nxjerrë nëpër raporte se si po luftohet feja në Shqipëri mund të paguanin për të shpëtuar shpirtin e tyre nga mëkati i lobingut.
Përfundimisht sot që flasim, janë 6 kantiere në punë në kishat ortodokse. Të gjitha këto që thashë me buxhetet e qeverisë. Kisha ortodokse në Shqipëri është një kishë e lirë në një vend të lire dhe nën juridiksion të përcaktuar nga njerëz të lirë me votën e tyre të lirë. Kështu thuhet që prej shpalljes së autoqefalisë së saj më 1937. Partneriteti mes të dy entiteve kërkon një bashkëpunim thellësisht të sinqertë bazuar në ligj dhe në transparence mbi të gjitha të bazuar në prezumimin se kur flasim për kishën nuk flasim me votuesit, kur restaurojmë kisha nuk kërkojmë vota besimtarësh dhe kur ngremë zërin për gjendjen e rënduar të kishave nuk e bëjmë që të marrim vota të inatosurish. Ky duhet të jetë një prezumim shumë i qartë.
Këtë jemi përpjekur të bëjmë, do vazhdojmë të përpiqemi ta bëjmë.
Ata që Zotin e përmendin për ditë të diele dhe pastaj merren me punë të tjera ditët e javës, unë i mirëkuptoj. Por nuk mirëkuptoj ata që Zotin e përmendin për punë pune
Shumë faleminderit!
***
Unë fola për Shën Thanasin, ti fole për mua. Unë nuk jam Shenjt, mëkatar si ti jam dhe si të gjithë në këtë sallë, por besoj se një mëkat që unë nuk e bëj është të përziej punët e fesë me punën time. Më ler të them shkurtimisht çka besoj se nuk qëndronte në replikën tuaj. Së pari, e gjithë fjala ime ishte sikur ta kishte lexuar atë që ju lexuat në fund. Kam thënë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Dhe as nuk kam pretenduar që në atë vend do hapet një kishë arbëreshe. Por kam pretenduar ekzaktësisht krijimin e një hapësire ku i bëhet jehonë atyre fjalëve të atij njeriu të nderuar të kishës arbëreshe në takimin me Fortlumturinë e tij kryepeshkopin Anastas, i bëhet jehonë një historie, për të cilën fatkeqësisht shumë pak njerëz dinë në Shqipëri dhe askush nga fëmijët tanë s’di asgjë, pikërisht sepse shtresë pas shtrese nga gërmadhat e barbarisë ateiste, tek përçudnitë e barbarisë fanatike ajo histori u varros. Zhvarrosja e asaj historie është një gjë e mirë për të gjithë, edhe për të gjithë ortodoksët, qofshin shqiptarë, qofshin grekë, sepse është ilustrimi i pikërisht atij paragrafi që pate mirësinë ta ndash me ne dhe që unë e ndaj me ju plotësisht. Nga ana tjetër mu duk pa ekzagjerim për të mos thënë lajthitje, sepse kam shumë respekt për ju që ta konsideroj lajthitje që njerëzit shkuakan në procesione, që ti luten Perëndisë që ti kthejë stallën. Unë besoj që njerëzit shkojnë atje në procesion dhe do të vazhdojnë të shkojnë atje, sepse ai është një vend i shenjtë. Ai është një vend i shenjtë dhe njerëzit shkojnë në procesione në vende të shenjta ku s’ka asnjë objekt kulti, por ku ka një histori të fesë dhe të besimit që përcillet brez pas brezi.
Kështu që shkuarja e tyre në procesion, mua personalisht më nxit që ne një orë e më parë ta rindërtojmë shëmbëlltyrën e kishës së vërtet të Shën Thanasit dhe ta kthejmë në një pikë referimi, ku ata që duan të falen, le të falen. Ata që duan të dinë më shumë për historinë e atij vendi dhe për sesi gjuha shqipe në atë vend u kultivua, u mboll dhe u përhap, ata që duan të shkojnë dhe të shikojnë se si ishte ajo ngrehinë, ta bëjnë dhe këtë. Pra të jetë një vend i lirë dhe jo një objekt kult për të kaluar nga një autoritet tek një autoritet tjetër. Abolutisht jo. Ajo duhet të jetë një hapësirë për historinë, për kulturën dhe natyrisht për besimin. Nga ana tjetër, nuk e di se për çfarë arsye, ju i sollët në vëmendjen time dhe tonë kishat, si perla. Pikërisht shkëlqimi i atyre perlave e bën absolutisht absurd pozicionin për mbrojtjen e asaj ngrehine të përçudnuar. Nga ana tjetër, ju cituat, ligjin apo Kushtetutën lidhur me të drejtën e kishës apo të kishave. Jam shumë dakord, por nuk është as në atë pjesë që cituat ju dhe në asnjë pjesë tjetër gjëkundi mandati për kishën që të ndërtohej pa leje. Nuk e ka kisha këtë mandat, siç nuk ka mandat të marri në mbrojtje ngrehina pa leje dhe të thotë dale njëherë se kjo është kishë. Që një objekt kulti të quhet Kishë, ka rregulla të përcaktuara kanonike dhe estetike. Për me tepër nuk ka asnjë gjurmë se ajo ngrehinë banale ka patur ndonjëherë shugurim siç do të duhej të kishte. Edhe sikur pa pritur e pa kujtuar të ishin çmendur të gjithë dhe të thoshin po e pranojmë edhe këtë objekt si pjesë të thesareve të kishës ortodokse, e cila ka rregulla aq strikte, e cila qoftë katedralja e Korçës, qoftë kjo e Tiranës, megjithë përpjekjen për të bërë diçka që ti afrohet kohës mbeten prapë shumë të lidhura me të shkuarën sepse janë rregullat të tilla. Si ka mundësi që për një rit ku ka rregulla shumë strikte të mënyrës se si ndërtohet një kishë, ne bëjmë këtë debat këtu? Nga ana tjetër u përmend ajo policia natën.
Së pari njëherë, unë nuk jam i prirur të besoj se ata njerëzit e shkretë që kishin dalë aty, për të mbrojtur me trupat e tyre atë ngrehinë, që për të cilën nuk duhet ti kërkoj falje unë, por duhet ti kërkojnë falje ata që i lanë të hynin e të dilnin nga ajo ngrehinë, që për vite të tëra duke ua shitur për kishë. Vetëm kishë nuk mund të jetë! Është një turp!
Nga ana tjetër, nuk kam vënë asnjëherë në dyshim dhe nuk kam përmendur ndonjëherë marrëdhëniet tuaja me besimin Vangjel, por gjithnjë kam pasur një problem që e kam shprehur. Nuk kuptoj, për çfarë arsye sa herë ka një problem në komunitetin ortodoks, qoftë kjo një tullë, një gardh apo çështje tjetër, duhet që Shqipëria të marrë mesazhe nga fqinji. Se kuptoj dot. Ç’punë kanë fqinjët tanë në çështjet e komunitetit ortodoks në Shqipëri? Çfarë lidhje kanë?
E nga ana tjetër, çfarë lidhje ka një parti politike me një komunitet fetar? Çfarë lidhje ka? Se po t’ju kisha dëgjuar që do të ishit po kaq pasionant edhe për xhamitë, dhe për kishat katolike, edhe për teqetë, do të thosha që jeni një kryetar partie që mbi të gjitha keni një marrëdhënie speciale me kultet, edhe nuk do ta merrja për çështje politike.
Mbi të gjitha, ne këtu jetojmë miku im. E dimë mirë se si përçohen mesazhet dhe se si kamuflohen mesazhet. Madje edhe se si nuk arrijnë më të kamuflohen dhe shpërthejnë, siç shpërthyen në Konispol. Nuk isha unë, nuk ishte as deputeti që ti e përmend për të fituar simpatinë e kujt do këtu në sallë, por ishin të tjerë ata që i frynë një zjarri pervers mbi bazë fetare, për zgjedhje vendore.
Të gjitha këto, na mbledhin përsëri në një pikë. Nuk kemi pse të ndahemi në një çështje të interesit të përbashkët. Interesi ynë i përbashkët, në mos qofsha i gabuar në interesin tuaj, është që ne të bëjmë gjithçka që këtë histori, këtë kulturë, këtë trashëgimi ta ruajmë, të mbrojmë, ta shpëtojmë, ta ringjallim, ta bëjmë të rrezatojë vlera që janë përtej fesë. Nuk i çon feja vizitorët e panumërt që vijnë për të parë kishat ortodokse të vjetra, por i çon historia e një riti që i ka dhënë shumë artit dhe kulturës.
Të mos bëjmë banalitete këtu me deklarata. Sigurisht, patjetër një asamble, aq më tepër partish popullore mund të thotë çfarë t’i thuash, mjafton që t’i bjeri ndesh një qeverie socialistësh. Kjo dihet. Njësoj janë të gjithë ata që e kanë zemrën djathtas në këtë botë. Por jam i bindur, që nëse edhe atyre do tu ishte treguar fotografia e do tu thoshim, “ja si ka filluar lufta e ateistëve të rinj kundër fesë në Shqipëri”, do të merrnin për të çmendur atë që kishte fotografinë, jo atë që kishte prishur kishën në fjalë.
Nuk thashë, se fatkeqësisht më citove gabim disa herë. Nuk e di, a nga mungesa e vëmendjes, a nga emocionet, a nga përpjekja për t’ia dalë në një interpelancë që është e vështirë për ty. Nuk thashë që ke bërë ndonjëherë lobing për të nxirë imazhin e Shqipërisë. Kurrë. As nuk e kam thënë dhe as e mendoj. Por që të lëshohet një batare e tërë për këtë çështje dhe të akuzohet Shqipëria se ka një problem me fenë dhe me objektet e kultit, ndërkohë që kjo është pasuria më e madhe që ne kemi. Këtë njeriu e bën o për para, o sepse nuk e do këtë vend. Dhe ky nuk je ti. Absolutisht.
Ndërkohë që, besoj të gjithëve na takon ti japim fund kësaj farse. Pastaj ç’ma solle Fyle-n këtu sot. Ç’lidhje ka Fyle me Shën Thanasin e Dhërmiut? S’ka lidhje fare. Fyle ka me CEZ-in, por jo me Shën Thanasin! Pse e solle Fyle-n këtu? Po atë historinë e Përmetit për çfarë e solle këtu? Je dëshmitar vetë, se si unë personalisht, dhe nuk isha as kryetar qeverie, zëvendës kryeministri si një ortodoks i mirë i krahut tënd, dhe të gjithë bëmë ç’mos që të zgjidhej ajo situatë në mënyrë paqësore. I kemi dhënë alternativa konkrete edhe kishës. Për çfarë na i solle këto këtu? Për të inflamuar plagën e hapur nga ai sulm që iu bë fesë në Dhërmi nga ateistët e rinj? Këto janë gjëra që, më pengon shumë fakti që jeni ju për të thënë gjithçka që mendoj dhe ndiej këtë moment, se të ishte dikush tjetër do të kishte dëgjuar shumë më tepër. Por ju nuk meritoni të dëgjoni shumë më tepër! Ju meritoni të dëgjoni vetëm kaq, dhe do t’ju lutesha ta mbyllim këtë, se nuk është folklorizëm të bësh këtë që bëj unë, por është folklorizëm të vazhdojmë të rrimë këtu e të flasim për një ndërtim pa leje, që të jeni të bindur edhe në Bathore do ta konsideronin përçudnim estetik. As në Bathore nuk pranohet më ai lloj ndërtimi, se edhe aty është rritur cilësia, është zgjeruar vizioni, ka ndryshuar kuptimi dhe po ndodh një transformim i vazhdueshëm. Edhe atje ta çosh, ata jo për kishë që nuk ta pranojnë, po thonë të shembet urgjent, se mos guxojë njeri ta legalizojë.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)