Kitara magjike
e Vaçe Zelës

Kitara magjike<br />e Vaçe Zelës
TIRANE- Ajo quhej nëna e tradhëtarit, armikut të Partisë. Bashkëshorti i saj kish qenë prefekt në vitet e mbretërisë dhe ky, për pushtetarët, ish gabim i dënueshëm, nga brezi në brez. Biri i saj ish në burg, që nga viti 1957 dhe s’dihej deri në ç’vit do të rrinte, në një strehë të gatuar nga satanajt.

Nëna ecte nga një shtëpi në tjetrën dhe kërkonte: “një kitarë për Gëzimin.Ta blej.Të jap shtëpinë...” Por gjithkund shtrihej heshtnaja, indiferenca, ankthi i çensurës. Shkoi nga një qytet në tjetrin, prapë ndiqej nga përgjigja e ftohtë: “Kitarë...Ç’është kjo kitarë!”. Vendosi atëherë nëna të takonte një person me kitarë, që kishte bërë bujë në Lushnjë, Tiranë e dëgjohej në radio si këngëtare me zë të jashtëzakonshëm, që trondiste dynjanë. Iu drejtua studentes Vaçe Zela, me të cilën familjet e tyre kishin patur miqësi të hershme.

Në një vend, ku nëna ish zëvendësuar me emrin e një force politike, vështirë se mund të gjeje Njeriun, por Vaçja e përqafoi dhe e pyeti “Si është Gëzimi?” Hera e parë që pyetej për të birin me emër. Ashtu e përlotur pohoi: “Gëzimi kërkon një kitarë” Vaçja u drithërua, siç përfshihen nga drithmat artistët dhe ashtu rebele, e prerë, e shkathët, çapkëne, duke lënë shumë larg paradoksin e kohës, e qafoi:-Jepi timen! Të fala Gëzimit!...Me të njëjtën shkathtësi, 15 vite më parë, në moshën 9 vjeçare, ndërsa 5 vjeçari Bert Kokona (sot nëpunës në SHIK-Tiranë) rrezikohej të mbytej në ujin e një përroi në Lushnje, u hodh me nxitim dhe e nxori.

Të nesërmen shkoi në Lidhjen e Shkrimtarëve pa kitarë. Rikard Ljarja i ra pianos dhe ajo këndoi rebelisht një këngë të Amerikës Latine. Hidhte flokët mbi ballë, përfshinte planetin me hapjen e plotë të krahëve; shtrëngonte diellin me pentagramin e gishtave. Ndoshta po kujtonte Gëzim Çelën atje në kampin e Tiranës. Studentët e Institutit të Arteve thërrisnin me duartrokitje frenetike: “Vaçe... Zela... Vaçe... Zela...”
 
Pas 52 viteve
Vaçe Zela ishte në Bazel të Zvicrës me bashkëshortin e saj, Pjetrin dhe vajzën, Irma, që nga viti 1997. Meditonte mes luleve, që i ka përzemër, mbante pranë poezitë e Eseninit dhe Agollit, si dikur. Kurohej për mushkëritë e lodhura. Një grup nga shoqata shqiptare e Këshillimores i dhuroi, me rastin e 60 vjetorit të lindjes, një kitarë, të bindur se ajo nuk mund të kuptohej pa kitarën. E vendosi në mur, e ledhatoi tek telat, e afroi, e puti mikeshën e madhe të njeriut, perëndeshën e Jetës.

Ndoshta kujtoi historinë e një kitare të dhënë një të burgosuri politik, diku...dikur. Nga Shqipëria, në celular fliste bashkëshortin, Pjetrin, i cili vinte. Është një burrë, që karakterizohet nga korrektësia dhe mirësia. Ai më tregoi:
- Vaçe, isha në Durrës. Më kish ftuar Gëzim Çela, personi që nënës së tij i ke dhënë një kitare në vitin 1962.
- Gëzimi?... Ai djali i prefektit?
- Dëgjom! Mos më ndërpre- ngre zërin urdhërues Pjetri, që vështirë se duron të ndërpritet.
- Hë, pra, po të dëgjoj. Si është puna?

- Kish qenë në disa burgje të Shqipërisë me atë kitarë. Në vitin 1973, në revoltën e Spaçit, mezi e kishin shpëtuar të burgosurit kitarën, që quhej prej të tërëve si “Kitara e Vaçe Zelës”. Fiqiri Muho e kish nxjerrë jashtë me mbeturinat dhe e kish futur në armaturë në zonën tre. Gëzimi ish futur dy herë në burg. Kur kish dalë herën e parë në vitin 1970, ua kish lënë shokëve. U fut për herë të dytë dhe kish gjetur prapë kitarën, e cila qëndroi 22 vite në burg

...Në Zvicër dëgjohetj një britmë, që nuk shpreh nocionin e habisë, trishtimit apo të lumturisë.
Pjetri thotë fjalinë e fundit me zë të lartë, të prerë, si të dojë të mos kundërshtohet nga askush:
-      Vaçe... dëgjo...e pash vet kitarën ... E kish të varur në mur dhe në fotografi në librin e tij me kujtime.
Ishte data 22 qershor 2006  kjo bisedë.. Njerëzit hidheshin drejt detit, që i ngjante një kitareje të madhe të kaltërt.
 
Çmimi “Kitara”
 Vaçe Zela është vlerësuar me mjaft tituj brenda dhe jashtë vendit, por çmimi më i lartë është padyshim çmimi “Kitara”. Ajo kitara që, për 22 vite, u dha tinguj shprese atyre që si kishin, u dha pak dritë atyre që u duhej, u dha pak dëshirë atyre që e meritonin.  Kur meridianët të shndërrohen në tela kitare, në duart e Vaçe Zelës, bota do të tjetërsohet. Padyshim Gëzim Çela do të dhurojë në muzeun e Artit kitarën,e dhuruar nga një vajzë 22 vjeçare, 52 vite më parë...

Ndoshta Zoti luan me ne, me jetën, me kitarën në aritmetikën e tij të çuditshme.
Bashkëshorti i saj Petër Radiq, një patriot i përmasave të mëdha,ka qenë dhe personi që investuar më tëpër  se kushdo për Vacen,jo vetëm si bashk short por dhe për ta mbajtur të integruar që Zvicra në Tiranë duke i krijuar atmosferën e domosdoshme për një artist.

Nuk e tepëroj të them se disa vite jetë më shum(duke patur parasysh llojin e sëmundjes) janë produkt i shërbimit të tij.Prej tij  m’u dhurua magnetofoni i perdorur prej 20 vjet prej Vace Zelës si dhe një bluzë të cilat me vdekjen e saj marrin vlerë tjetër dhe e ndjej veten të privilegjuar në universin e kryezonjës së tingujve...Kënga e kënduar prej saj për Selam Musa Salarinë, me tekst të Agim Shehut e kompozim të Feim Ibrahimit,më shtojnë detyrimin të vendos një trandafil në emër të fisit në shtratin që po nis drejt Parajsës...Që dhe Agimi dhe Vacja kanë banuar në Zvicër,ndoshta është një trill i Zotit...


Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane