Në një karrierë më shumë se 32 vjeçare në sistem, Irena Gjoka ka që prej vitit 1993 gjyqtare në vend. Pas diplomimit në Universitetin e Tiranës për drejtësi, Irena Gjoka ka punuar në Gjykatën e Fierit deri në korrik 2014, kohë kur është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjyqtare e shkallës së parë. 

Nga dhjetori i vitit 2019, që prej themelimit, ajo është emëruar si gjyqtare në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  ndërsa për tre vite mars 2021-mars 2024, shërbeu edhe si zv. Kryetare e kësaj gjykate.

Gjatë kësaj periudhe Irena Gjoka ka pasur në dorë çështje shumë të mëdha objekt gjykimi në GJKKO. Çështja më e rëndësishme është ajo e aferës Partizani, ku Gjoka ka qenë gjyqtare e hetimit paraprak. Ajo ka caktuar masat e sigurisë për ish Kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, tashmë në gjyq për korrupsion dhe pastrim parash. Për këtë ajo ka qenë gjithnjë objekt i sulmeve të vazhdueshme të Berishës. 

Gjoka është gjyqtare e seancës paraprake në gjykimin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të dy nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Edhe gjyqi ndaj ish ministrit Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit po gjykohet nga Irena Gjoka. Një prej dosjeve që e ka vënë në qendër të debatit gjyqtaren Gjoka ka qenë edhe dënimi i Fredi Belerit, i shpallur fajtor për blerje votash. Ajo po gjykon gjithashtu ish zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj për çështjen “Buka” apo sterilizimin me të pandehur ish ministrin Ilir Beqaj.

Ajo ka qenë në trupat gjykuese që kanë dhënë vendime të forta edhe në çështje të lidhura me krimin e organizuar, si dënimi i ish deputetit socialist Jurgis Çyrbja apo vendimet për dosjen e bujshme ‘Metamorfoza’ dhe shumë çështje të tjera.

Sa i përket procesit të vettingut, Irena Gjoka është konfirmuar në detyrë në të dy shkallët e verifikimit, nga KPK në shkurt 2020 dhe në KPA më shumë se 2 vite më pas, në qershor 2022, ku pavarësisht dyshimeve të komisionerit publik për deklarimin e pasurisë, Kolegji arriti në përfundimin se gjyqtarja ka arritur në nivel të besueshëm të pasurisë, në nivel të besueshëm kontrollit të figurës dhe profesionalizmit.

Në KPA çështja u dërgua nga Komisioneri Publik Dariel Sina, por pas zgjedhjes së këtij të fundit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë ai u zëvendësua nga komisionerja Irena Nino. Fillimisht Nino i qëndroi argumenteve të ankimimit të ish kolegut të saj se Gjoka nuk justifikonte të ardhurat dhe nuk kishte bërë deklarim të plotë të pasurisë në disa raste.

Mosdeklarimi i parë lidhej me pjesën në apartamentin e prindërve në Patos. Gjyqtares i takonte ¼ e këtij apartamenti dhe nuk e kishte deklaruar.  Edhe dy mosdeklarime të tjera për pasuri të bashkëshortit u vunë në diskutim në procesin e vettingut të gjyqtares Gjoka. I pari një shumë prej një milionë lekësh të reja që i kishte marrë nga e bija, së cilës ia kishte huazuar për të bërë studimet. Paratë ishin deklaruar më pas për blerjen e dy garazheve, por KPK doli në përfundimin se mosdeklarimi i kësaj shume e nxirrte bashkëshortin me minus 500 mijë lekë të ardhura nga burimet e ligjshme në vitin 2011. Po ashtu, një tjetër mosdeklarim kishte të bënte me depozitimin e një shume prej 12 mijë eurosh në vitin 2007 në bankë. Rastet gjyqtarja Irena Gjoka i pranoi, por i justifikoi mosdeklarimet me keqnjohjen e legjislacionit për deklarimin e pasurisë dhe në disa raste si harresa të paqëllimshme.

Në seancën e fundit të vettingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit më 31 maj 2022, komisionerja Nino u tërhoq edhe nga qëndrimi i saj për shkarkim të Irena Gjokës pasi sipas saj bazuar në provat e reja të paraqitura në Kolegj nga subjekti, rezulton se kjo e fundit “ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë”.

Më 14 qershor 2022, KPA konfirmoi përfundimisht në detyrë gjyqtaren e GJKKO, që në atë kohë ishte edhe zv. Kryetare, Irena Gjokën.