Nuk ka një datë se kur, por çështja e pagave të magjistratëve në Shqipëri, do të zgjidhet me nisjen e këtij sesioni parlamentar. Garancinë e jep ministri i Drejtësisë Toni Gogu, pasi parlamenti nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, ndryshimet në pagën e magjistratëve që duhej të ishin reflektuar brenda 31 korrikut.

"Detyra ime është që kjo të bëhet sa shpejt, sa më mirë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen", tha Gogu. 

Por kjo zgjidhje sipas tij duhet të vijë duke pasur paralelisht parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar një formulë të re për pagat e magjistratëve, por edhe mundësitë reale nga buxheti i shtetit.

"Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën, zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë në zbatim të vendimit të Kushtetueses, por të plotësohet në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit", vijoi ai.

Një përgjigje që lë të kuptuar, se zgjidhja do të vijë, por se pikërisht formula që do të përcaktojë pagën, mund të ndajë mazhorancën me dy qeveritë e magjistratëve, KLP-në dhe KLGJ-në.

Pa pritur Kuvendin, KLGJ dhe KLP, rritën pagën referuese të magjistratëve, duke nisur nga 1 gushti, por që Ministria e Financave i bllokoi listëpagesat në Thesarin e Shtetit, pa i kaluar paratë në llogaritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

"Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi", u shpreh ministri. 

Në përcaktimin e pagës KLGj e KLP u bazuan si referencë në rrogën e drejtorit në Kryeministri, duke e argumentuar këtë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por vetë kushtetuesja thoshte se paga referuese duhej si zgjidhje për pagesat e prapambetura dhe i linte dorë të lirë Kuvendit ta caktonte vetë formulën, me kushtin që të rregullonte uljen e fshehtë të ligjit pararendës.  Këtë pjesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pasur parasysh Partia Socialiste kur përmes dy deputetëve depozitoi në Kuvend një draft që mbante si bazë të pagave në sistemin e drejtësisë atë të presidentit, me një rritje me 0.2 përqind nga ajo e mëparshmja, gati 8-fish më pak nga referenca që përcaktuan vetë KLGJ e KLP.