Report Tv ka zbardhur hartën e re gjyqësore. Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i prokurorisë dhe Ministria e Drejtësia kanë rënë dakord për një hartë të re, që është ende propozim. Edhe pse ka shumë kundërshti harta e re parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej. 

Shkrihen 10 gjykata të shkallës së parë: Tropoja, Puka, Mati, Kruja, Kavaja, Lushnja, Përmeti, Saranda, Pogradeci, Kurbini. Ndërkohë nga 6 gjykata Apeli të shkallës së parë që janë aktualisht propozohet vetëm një në Tiranë. Do të shkrihen gjykata e Apelit në Korçë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër. Pra, nga propozimi konludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16. 

Ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela kërkoi që të sqarohej se cila do të jetë koha kur do të vihet në zbatim kjo hartë e re gjyqësore.

“A do të jetë kjo përfundimtare dhe kur të plotësohen numri i plotë i gjyqtarëve dhe prokurorëve pas vettingut a i kanë kapacitetet e duhura këto gjykata për t’i mbajtur të gjithë”, këto ishin pyetjet që ngriti Çela.

Gjykatat e propozuara të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm: Berat; Elbasan; Tiranë; Vlorë; Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit); Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës); Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës); Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit); Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës); Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit); Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit); Shkodër (bashkuar me Gjykatën e Pukës). 

Gjykata e propozuar të Apelit të juridiksionit të përgjithshëm: Tiranë

Gjykatat e propozuar të shkallës së parë të juridiksionit Administrativ: Tiranë  (për gjykatat e shkallës së parë në Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë) dhe Lushnjë (Për gjykatat e shkallës së parë në Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër)

Gjykata e propozuar e Apelit të juridiksionit Administrativ: Tiranë

Gjykatat e propozuara të Shkallës së Parë Administrative

 

Propozimi per gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm

 

(Kliko këtu për të parë hartën e re gjyqësore për Shqipërinë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:19
Harta e re gjyqësore, Ministri i Drejtësisë: Do ta bëjmë cilado të jetë kostoja politike

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh i vendosur për të bërë hartën e re gjyqësore, pavarësisht kostove politike që mund të ketë. Për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, Manja u shpreh se kanë gjetur gjuhën  e përbashkët  edhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

"Cilado të jenë kostot politike, harta  ere gjyqësore është mekanizimi i duhur dhe një nga zgjidhjet më të mira të mundshme. Ne kishim shqetësim për ofrimin e shërbimeve administrative gjyqësore, do ngelin sekretaritë dhe arkivat në ato struktura ekzistuese ku janë sot. Harta ka në thelb përqendrimin e trupës gjyqësore.  Sot jemi para faktit që për shkak të stokut të krijuar, qytetarët nuk e marrin drejtësinë në kohë, harta e re gjyqësore është një nga mekanizmat për të rritur aksesni e qytetarëve në drejtësi. Me KLGJ jemi në rezonancë të plotë", tha Manja.

Ora 11:12
Kryeprokurori Çela: Është e domosdoshme harta e re gjyqësore

1640686186_Screenshot1.jpg

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, në përfundim të aktivitetet ku u prezantua propozimi për hartën e re gjyqësore, i pyetur nëse është gati Shqipëria për ta vënë në zbatim këtë hartë tha se një riformatim është domosdoshmëri.

“Ka domosdoshmëri për hartën gjyqësore. Nevoja sot është ekstreme, për shkak të reformës në drejtësi që po zbatohet sot, procesit të Vettingut. Kemi një numër gjithnjë e më të paktë të magjistratëve në disa nga gjykatat e prokuroritë kryesore. Te prokuroria problemi është i mprehtë në shumë prej tashmë, ndaj harta është domosdoshmëri për të pritur deri në plotësimin e sistemit me magjistratë. Ndaj kjo është e vetmja zgjidhje. Së dyti, sa i përket infrastrukturës, mendoj se ka opsione për zgjidhje. Mendoj se mund të përballohet në fazën aktuale me përdorimin e godinave, që mund të jenë të disponueshme. Ne do të bashkëpunojmë me KLGJ, apo ministrin e Drejtësisë. Besoj se do të kemi mbështetjen e plotë, që do të sigurohen nevojat e prokurorisë, të paktën në fazën kalimtare, derisa në një plan afatgjatë të vlerësojmë edhe nevojat për ndërtimin e godinave të reja. Këto janë çështje që ngelen për t’u zgjidhur, por e nevojshme në planin afatshkurtër nevojat imediate mendoj se mund të realizohen dhe prokuroritë do të kenë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar detyrën”, tha Çela

Ora 10:04
Harta e re gjyqësore, Llagami: Koncepti ynë është që të kemi më pak gjykata, por më shumë cilësi

 

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, teksa prezantoi propozimin për hartën e re gjyqësore, u shpreh se koncepti është që të ketë më pak gjykata dhe më shumë cilësi. Sipas Llagamit, propozimi është bërë për të rritur eficiencën në gjykata shqiptare, teksa theksoi se janë të hapur për diskutime.

"Koncepti ynë është më pak gjykata, më shumë cilësi. Qytetarët do na përkrahin në këtë reformë që t'i shkojmë deri në fund. Jemi të hapur për të diskutuar shqetësime që janë parimore, por nuk duhet të na pengojnë në gjetjen e zgjidhjeve. Këto vendime të vështira duhet t'i marrim të gjithë bashkë. Jemi të hapur për të diskutuar këtë propozim që grupi i punës e ka bërë për të rritur eficiencën në gjykatat tona", u shpreh ajo.

Ora 09:58
Harta e re gjyqësore/ Ministri i Drejtësisë: Afron njeriun me gjykatat, rrit cilësinë dhe do të sjellë përdorim më të mirë të burimeve publike

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur se harta e re gjyqësore është një balancim shumë i mirë i tre prej kritereve kryesore. Sipas tij, kjo hartë do të afrojë gjykatat me njeriut, do të rrisë cilësisë dhe do të përdoren më së miri dhe burimet publike.

"Grupi i Punës ka kryer një punë të lavdërueshme, të garantohet afërsia e individit me gjykatën. Ne jemi kujdesur për të garantuar që ky propozim të përmbush objektivat e ligjit, por të ketë një hartë gjyqësore që i paraqitet realitetit shqiptar. KLGJ të kujdeset që të ruajë një sportel ku të parashikojnë një gjykatë, ministria e drejtësisë në analizën që ka kryer, ka shqyrtuar edhe kriterin e garantimit të aksesit në drejtësi dhe nevojën që gjykata të jetë sa më afër qytetarit. Ky propozim është balancimi më i mirë, afërsisë së gjykatave me njeriut, rritja e cilësisë dhe përdorimi sa më i mirë i burimeve publike. Edhe në nivel Apelit, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë askes në Apelin e Tiranës. Kjo është zgjidhja më e balancuar për të pasur një hartë gjyqësore, do të realizohet thelbi i së drejtës, se do të sjellë normalizimin e ngarkesës, seancat nuk do të shtyhen më për kohë të gjata duke ulur kostot", tha Manja.