Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, mori pjesë ditën e sotme në takimin për ngritjen e Forumit të Dialogut për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të Ngurta në Shqipëri.

Në takimin ku ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, kryetarë bashkish, përfaqësues të shoqatave mjedisore, përfaqësues të projekteve të Donatorëve në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, ministri Klosi theksoi situatën alarmante mjedisore në vend duke e cilësuar atë pasojë të një neglizhence 27- vjeçare.

Kreu i Turizmit dhe i Mjedisit vuri sërish në qendër të vëmendjes bizneset që ndotin mjedisin duke mos respektuar asnjë kusht të lejeve mjedisore që kanë marrë dhe duke u kujtuar atyre se kujdesi dhe rehabilitimi i mjedisit është një detyrim ligjor.

“Është e paimagjinueshme sesi një deputet, një ministër mjedisi bën fushatë elektorale në zonën e Urës Vajgurore, ku brenda shtëpive gjendja është shumë e pastër, janë njerëz të shkëlqyer, bëmë goxha investim për qendrën urbane të Urës Vajgurore, por rreth e qark asaj bashkie ka me dhjetëra gurore që të bëjnë të ndihen keq që je nëpunës civil apo përfaqësues i atij komuniteti. Si ndodh kjo? Nuk jemi kundër biznesit të gurores, por është e papranueshme për një vend të kujtdo niveli që gurorja që punon për kompaninë e huaj për realizimin e gazsjellësit TAP i plotësoka të gjitha kushtet ndërsa gurorja që punon për biznesin shqiptar ka të drejtën të ndotë të gjithë qytetin. Gurorja padyshim është një biznes i cili ka të drejtën legjitime që të bëjë biznes, por nuk mund të ketë të drejtën minimale që të ndotë jetën e qytetarëve.“- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit.

Në fjalën e tij ministri i Turizmit dhe i Mjedisit vuri në pah edhe mosfunksionimin e strukturës, si pasojë e burokracisë, në rastin e aksionit të skrapit të ndërmarrë disa ditë më parë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës: “Bëmë një aksion nëpërmjet një burokracie të jashtëzakonshme bllokuese edhe brenda institucioneve tona dhe arritëm që të mbyllnim 28 pika nga 180 pika grumbullimi skrapi dhe papastërtish të tjera. Dhe u duk sikur mori për mirë. Por ndërkohë kemi evidenca që këto kompani vazhdojnë ta hedhin çështjen në organet e drejtësisë pra që të marrin edhe disa vite që të zgjidhet problematika. Kur e shikojnë që bllokohen në Tiranë, shkojnë e hapin në bashkitë ngjitur me Tiranën po të njëjtën pikë grumbullimi skrapi”- tha ministri Klosi.

Më tej ministri Klosi vuri theksin edhe mbi situatën e menaxhimit të mbetjeve në bashkitë në vend duke kërkuar që të mendohen zgjidhje afatgjata për të ndryshuar një realitet të hidhur që e ka shndërruar lumin në landfillin e qytetit. “Në këtë sallë ka edhe kryetarë bashkie të cilët shprehen fare qartë: “Bëjmë aksion për grumbullimin e mbetjeve, i grumbullojmë në një pikë së bashku me rininë e qytetit dhe pastaj me një kamion, i marrim dhe i hedhim në lumë. Dhe lumi është zyrtarisht landfilli i bashkive për hedhjen e mbeturinave. Çfarë ndodh? I grumbulluam mbeturinat dhe i çuam 100 metra më tutje apo edhe 10 km më tutje, i çuam në det. Pra ky është realiteti dhe ne nuk mund t’i fshihemi këtij realiteti. Unë jam shumë dakord që ne të vazhdojmë të bëjmë aksione, por nëse ne të gjithë së bashku nuk arrijmë që të gjejmë që Shqipëria nuk mund të ketë më këtë sistem landfillesh, ne nuk do të bëjmë dot punën që na takon, dhe nuk plotësojmë dot detyrimin që ne si administratorë kemi përpara votëbesimit që na japin njerëzit”- shpreh ministri Klosi.

Pasi vlerësoi punën dhe kontritutin e aktivistëve mjedisorë Ministri kërkoi gjithëpërfshirjen e tyre, por edhe të çdo qytetari në aksionin “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”. Ministri Klosi apeloi: “Është shumë e nevojshme që të kemi një aleancë qytetare në ndërtimin e hartës së papastërtive. Ne duam të bëjmë një pastrim të realitetit, duam të bëjmë një rehabilitim por më shumë se kaq duam të ndërtojmë të gjithë mekanizmat administrative-ligjor që kjo ndotje të mos ripërsëritet”.

Forumi për dialogun mbi Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve synon të rrisë bashkëpunimin midis shumë palëve të përfshira në këtë sektor: që nga niveli kombëtar deri tek individët, duke sjellë së bashku institucionet publike dhe ato private nga i gjithë vendi.

Objektivi kryesor i Forumit është lehtësimi i dialogut kuptimplotë ndërmjet palëve të interesuara dhe dhënia e rekomandimeve të informuara vendimmarrësve duke kontribuar në zhvillimin e politikave të menaxhimit të integruar të mbetjeve në mënyre efektive dhe masave përkatëse,

integrimin menaxhimit të mbetjeve brenda prioriteteve kyçe të sektorit të Mjedisit si edhe mbështetjen e bashkive në ofrimin e shërbimit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Fjala e plotë e ministri Klosi

Përshëndetje! Nuk po lexoj fjalën që kisha përgatitur sepse para se të vija këtu, një miku im shumë i mirë ambientalist, Enedi me të cilin unë jam rritur dhe gjithë kohën e kam parë në terren më tha: “Po ku mblidhen ndonjëherë ambjentalistët në Rogner?” Mbase ky është thelbi i bisedës që sa këto takime që ne bëjmë, këto konferenca që ne organizojmë, kanë lidhje me realitetin. Sa këto biseda që janë bërë në këto 27 vite në Shqipëri për plane të menaxhuara, për strategji menaxhimi, për menaxhimin e strategjive, për plane menaxheriale të strategjive të komunikimit, kanë lidhje me realitetin. Dhe unë nuk mendoj që kryetarët e bashkive që janë këtu në krah me mua, unë, zv/ministrja të gjithë ju në fakt nuk doni që kjo punë të bëhet në më mirën e saj. Nuk mendoj në asnjë rast që unë ministri i Mjedisit, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë e kemi sot dëshirën dhe duam që ta zgjidhim këtë punë dhe nuk e kanë pasur paraardhësit tanë. Nuk është kështu. Unë mendoj që kur flasim për menaxhimin, kur flasim për menaxhimin e integruar të mbetjeve, kur flasim për pastrimin e Shqipërisë, që të gjithë jemi solidarë. Të gjithë kryetarët e bashkive këtu, janë të të gjitha forcave politike, pa dallim në territorin e shqipërisë dhe shqetësimi është i njëjtë. Shqetësimi për mënyrën sesi do të pastrojmë Shqipërinë është një shqetësim mbarëkombëtar. Mendoj që këtu edhe partnerët tanë ndërkombëtarë vijnë me idenë që si për shumë gjëra të tjera Shqipëria ka nevojë vetëm për një strategji, Shqipëria ka nevojë për një plan veprimi po mendoj që ka ardhur koha që shqetëismi më i madh i Shqipërisë është sesi do të pastrohet ky vend.

Me operacionin tonë “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” nuk kemi për qëllim të pastrojmë vetëm për një moment. E gjithë filozofia jonë është që ne duhet të pastrojmë Shqipërinë nga shkaktarët e papastërtive. Ne, prej vitesh përpiqemi që të realizojmë inciativa që zgjidhin momentin, por shumë pak kemi menduar për të bërë zgjidhje përfundimtare të shkaqeve që e sjellin këtë papastërti. Nëqoftëse e keni ndjekur nga mediat, para pak ditësh ne së bashku me Bashkinë e Tiranës, dhe është i njëjti shqetësim për të gjithë kryetarët e bashkive, bëmë një aksion për të ndjekur problemin e pikave të grumbullimit të skrapit dhe mbetjeve të riciklueshme në qytetin e Tiranës. Bëmë një aksion nëpërmjet një burokracie të jashtëzakonshme bllokuese edhe brenda institucioneve tona dhe arritëm që të mbyllnim 28 pika nga 180 pika grumbullimi skrapi dhe papastërtish të tjera. Dhe u duk sikur mori për mirë. Por ndërkohë kemi evidenca që këto kompani vazhdojnë ta hedhin çështjen në organet e drejtësisë pra që të marrin edhe disa vite që të zgjidhet problematika. Kur e shikojnë që bllokohen në Tiranë, shkojnë e hapin në bashkitë ngjitur me Tiranën po të njëjtën pikë grumbullimi skrapi. Mora ekspertët e fushës dhe diskutova se ku është problemi. Dhe ka një ligj për trajtimin e mbetjeve, ka me dhjetëra faqe të shkruara për strategjinë, ka me dhjetëra faqe të shkruara për raste konkrete por ama kur shikon paketën ligjore, ka një ligj për menaxhimin e mbetjeve, ka një vendim qeverie të disa viteve më parë për 
makinat në fund të jetës, por po në atë vendim qeverie ka edhe një pikë që thotë:

“Ministri i Mjedisit të nxjerrë një udhëzim apo një rregullore sesi duhet të jetë një pikë grumbullimi skrapi”. Kjo mungon dhe të gjitha këto strategjitë e harxhuara, miliona e miliona euro në vit, ligji konkret, vendimet e qeverisë, mijëra njerëz që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për të zgjidhur problemin e mbetjeve të makinave, kur vjen puna në një moment të caktuar janë të pafuqishëm, sepse mungon një udhëzim që thotë që një pikë grumbullimi skrapi duhet të ketë këto karakteristika, duhet të ketë këto masa, duhet të jetë në këto cilësi të mbrojtjes së mjedisit dhe kjo të bëjë që të mbyllet si cikël dhe kushdo ministër që të jetë në karriken e ministrit të Mjedisit të ketë mundësi për zgjidhjen e këtij problemi. Kjo mungon! Në mungesë të këtij udhëzimi e gjithë situata zhvleftësohet dhe mbetet po e njëjta. Dhe ky është problemi me të gjithë shkaktarët e ndotjes së Mjedisit. Unë e di që në këtë sallë ka aktivistë të shquar që jetojnë me aksion, i kam takuar shumë prejt tyre, i falenderoj shumë për punën që ata bëjnë, por po ashtu në këtë sallë ka edhe kryetarë bashkie të cilët shprehen fare qartë: “Bëjmë aksion për grumbullimin e mbetjeve, i grumbullojmë në një pikë së bashku me rininë e qytetit dhe pastaj me një kamion, i marrim dhe i hedhim në lumë. Dhe lumi është zyrtarisht landfilli i bashkive për hedhjen e mbeturinave. 


Çfarë ndodh? I grumbulluam mbeturinat dhe i çuam 100 metra më tutje apo edhe 10 km më tutje, i çuam në det. Pra ky është realiteti dhe ne nuk mund t’i fshihemi këtij realiteti. Unë jam shumë dakord që ne të vazhodjmë të bëjmë aksione, por nëse ne të gjithë së bashku nuk arrijmë që të gjejmë që Shqipëria nuk mund të ketë më këtë sistem landfillesh, ne nuk do të bëjmë dot punën që na takon, dhe nuk plotësojmë dot detyrimin që ne si administratorë kemi përpara votëbesimit që na japin njerëzit. Ne si nëpunës civilë kemi justifikimin e rrogës që ne të gjithë marrim nga taksapaguesit shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të kenë justifikim që para fondeve milionëshe të harxhuara në vite për bërjen e strategjive, apo për ndërhyrje, njëri gozhdës dhe tjetri patkoit. Sepse edhe sot po të flasin partnerët tanë bëjnë ndërhyrje në një bashki apo në një tjetër, në bazë të një momenti konsesusi apo realisht shqetësimi që ndodh në një bashki apo në një tjetër por që ne të kemi një plan, një strategji, çfarë do të bëhet me të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve urbane në Shqipëri. Ne nuk e kemi!

Dhe është e vërtetë, që pastaj kur hapet debat, jemi të pafuqishëm përpara opinionit publik, jemi të kritikueshëm në çdo veprim tonin, sepse nuk kemi një linjë e cila thotë që ky shtet që trajtohet si shtet i cili nuk ka para, ama po të shikosh sesi harxhohen paratë duket si një shtet shumë i pasur, që kemi një strategji ndërhyrjeje nga partnerët tanë ndëkombëtarë që i falenderojmë shumë por që në fund të fundit jemi shumë larg harmonizimit të një Shqipërie që duam ta zhvillojmë si një aset të një natyre të qëndrueshme. Atë që kërkojmë në fakt të bëjmë me pastrimin e Shqipërisë, unë e kam thënë shpesh, nuk do ndaloj kurrë ta them, është fare e thjeshtë! Ne duam që pastërtinë që ka brenda çdo familje shqiptare ta kemi edhe jashtë në ambientin tonë të përbashkët. Detyra e deputetit më ka bërë të jetoj së bashku me njerëzit në zona shumë të pastra të vendit brenda shtëpisë. Është e paimagjinueshme sesi një deputet, një ministër mjedisi bën fushatë elektorale në zonën e Urës Vajgurore, ku brenda shtëpive gjendja është shumë e pastër, janë njerëz të shkëlqyer, bëmë goxha investim për qendrën urbane të Urës Vajgurore, por rreth e qark asaj bashkie ka me dhjetëra gurore që të bëjnë të ndihen keq që je

nëpunës civil apo përfaqësues I atij komuniteti. Si ndodh kjo? Nuk jemi kundër biznesit të gurores, por është e papranueshme për një vend të kujtdo niveli që gurorja që punon për kompaninë e huaj për realizimin e gazsjellësit TAP i plotësoka të gjitha kushtet ndërsa gurorja që punon për biznesin shqiptar ka të drejtën të ndotë të gjithë qytetin. Gurorja padyshim është një biznes i cili ka të drejtën legjitime që të bëjë biznes, por nuk mund të ketë të drejtën minimale që të ndotë jetën e qytetarëve. E kam studiuar edhe këtë rast. Është shumë e thjeshtë zgjidhja. Zbatohet leja mjedisore, Ministria e Mjedisit ka dhënë me qindra leje mjedisore për guroret. Në masën 99% nuk zbatohet leja mjedisore, në masën 99% ai biznes i gurores që merr përsipër të bëjë biznes, duhet të marrë përsipër të bëjë edhe investime. Është fare e thjeshtë; të bëjnë biznes por të respektojnë jetën e qytetarëve, të bëjnë biznes por të respektojnë peizazhin, të bëjnë biznes por edhe rehabilitim dhe kështu për çdo ndotës.

Nuk është e vështirë për ju që t’i bashkoheni aksionit tonë “Të pastrojmë Shqipërinë”. Është shumë e thjeshtë, që të gjithë ju, keni eksperiencën e mjaftueshme, keni vullnetin qytetar që t’i bashkoheni kësaj nisme për të qenë së bashku në pastrimin e Shqipërisë jo vetëm nga papastërtitë, por pastrimin e Shqipërisë nga ndotësit që sjellin këto papastërti. Dhe le t’i marrim gjërat një e nga një, le të marrim ciklin zyrtar, administrativ, ligjvënës, zbatues bashkë me partnerët tanë, nga A-ja tek ZH-ja të çdo ndotësi të madh që ndot një vend që quhet vend në zhvillim intensiv turizmi. Kryetari i bashkisë së Lezhës, më ka thënë një fjalë me të cilën dua ta mbyll:”Ne në këtë tryezë nuk i dimë hallet e njëri-tjetrit dhe pranojmë e bisedojmë me njëri-tjetrin edhe në këndvështrime të ndryshme politike edhe në botëkuptime të ndryshme, por ama sikur njëri nga ne të jetë pis, nuk ikën ai që është pis, por ikën e gjithë tavolina dhe nuk rri dot me njeri”. Dhe me këtë logjikë ne nuk mund të pranojmë që të kemi turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri, kur ne nuk pastrojmë dot një mjedis që nuk ka problem thelbësor, nuk ka probleme të pazgjidhshme, ka vetëm probleme të një neglizhence 27-vjeçare të pastrimit të ambjentit ashtu siç pastrojmë shtëpitë. Unë do të doja shumë, do të jepja çdo gjë të mundshme që aksionet tona të kenë një konsesus sa më të madh qytetar, administrativ. Do të doja shumë që gjithsecili nga ju nëpëmjet një platforme që disa djem e kanë bërë fare të thjeshtë.

“Unë pastroj Shqipërinë” të fotografojmë dhe të dokumentojmë në çdo cep të Shqipërisë, hartën e papastërtive. Të evidentojmë nëpërmjet asaj platforme fare të thjeshtë, majfton me një celular smart të bëjmë një foto nga vendi i papastërtisë dhe ne krijojmë hartën me koordinata që i merr vetë aplikacioni. kështu të kemi mundësinë që në aksionin që do të ndërmarrim në 300 ditët e pastrimit të Shqipërisë, të mos kemi asnjë cep në të cilin ne nuk do të ndërhyjmë. Është shumë e nevojshme që të kemi një aleancë qytetare në ndërtimin e hartës së papastërtive. Ndaj i thashë këto të treja, për të evidentuar thelbin e strategjisë sonë. Ne duam të bëjmë një pastrim të realitetit, duam të bëjmë një rehabilitim por më shumë se kaq duam të ndërtojmë të gjithë mekanizmat administrative-ligjor që kjo ndotje të mos ripërsëritet. Dhe këtu gjithësecili duhet të japë kontributin e vet. E meritojmë të jetojmë në një Shqipëri më të pastër.

[gallery]24523[/gallery]

d.c./shqiptarja.com