Klosi: Në vitin 2016 dyfishim të 
nxënësve të arsimit profesional

Klosi: Në vitin 2016 dyfishim të <br />nxënësve të arsimit profesional
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka shpërndarë sot certifikatat e para për mësuesit që morën pjesë në trajnimin e organizuar nga Këshilli Britanik për përvetësimin e gjuhës angleze sipas termave teknik të fushës së hoteleri-turizmit. Në këtë ceremoni, ku u shpërndanë gjithashtu edhe manualet e gjuhës angleze për shkollat e hoteleri-turizmit, merrte pjesë ambasadori britanik në vendin tonë, Nicholas Cannon si dhe Drejtori Rajonal i Këshillit Britanik.
 
Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi se ky projekt do i shërbejë në radhë të parë mësuesve të gjuhës angleze në këto shkolla, por më së shumti, vet nxënësve të shkollave të hoteleri turizmit.

“Ne po përpiqemi shumë të ngremë sistemin profesional në Shqipëri dhe në qoftë se kemi marrë eksperienca shumë të mira, si ajo gjermane për sistemin dual, apo italiane për shkollat e ekonomisë së detit, nuk kishim ku të gjenim një eksperiencë më të mirë se tek Këshilli Britanik, për të mësuar anglishten në shkollat profesionale dhe për ti transformuar nxënësit që dalin nga këto shkolla në nxënës që flasin anglishten po aq mirë sa çdo përfaqësues i hotelerisë së turizmit, të paktën në vendet e rajonit. Prandaj, ne nuk mund të pranojmë që punonjësit tanë të hoteleve dhe turizmit të jenë larg profesionit dhe gjuhës angleze”, - tha ministri Klosi.
 
Ai shtoi gjithashtu se anglishtja e mësuar nëpërmjet këtyre manualeve nuk do jetë vetëm një anglishte e përgjithshme, por një anglishte për terma shumë specifik. “Ne do kemi një sistem të tërë, i cili do të kontrollojë çdo nxënës që do dali nga shkollat tona të arsimit profesional. Por për të shkuar tek nxënësit, ne kemi një nevojë shumë të madhe, që të gjithë mësuesit e shkollave të hoteleri-turizmit të kenë njohuritë e nevojshme për gjuhën angleze”, - tha Klosi.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ajo që po bëhet me shkollat e hoteleri-turizmit, shumë shpejt do të shtrihet për të gjitha shkollat profesionale, ku ai paralajmëroi se gjuha angleze do jetë një provim i detyruar. “Shkollat tona të ekselencës do ta kenë të detyruar provimin e gjuhës angleze”, - theksoi Klosi.
 
Klosi bëri të ditur gjithashtu se në projektbuxhetin e vitit 2016, arsimit profesional i është dhënë një rëndësi shumë e madhe, me qëllim dyfishimin e kapaciteteve dhe nxënësve që ndjekin këto shkolla. “Duke parë parashikimin buxhetor dhe buxhetin që tashmë ka kaluar në qeveri, për MMSR-në, viti 2016, do të jetë vit i arsimit profesional dhe synimi ynë për të dyfishuar numrin e nxënësve që marrin arsim profesional dhe atyre që ndjekin kurse profesionale deri në shtatorin e vitit tjetër do të jetë një pikësynim për të cilin ne do të punojmë çdo ditë të vitit që do vij”, - shtoi Klosi.
 
Ndërsa ambasadori britanik ka vlerësuar politikat e ndjekura në fushën e arsimit profesional, duke theksuar se është e domosdoshme që përgatitja e nxënësve të jetë në përputhje me nevojat e tregut të punës. “Sfida më e madhe e Shqipërisë është punësimi dhe sidomos përputhja e kërkesave që ka tregu i punës me aftësitë e nxënësve. Shpresoj që ky projekt të kontribuojë në zgjidhjen e këtij problemi”, - tha ambasadori Cannon.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin