Kryetari i PD, Lulzim Basha nga Durrësi u shpreh sot se mirëpret vendimin e PDIU për t’ u larguar nga koalicioni me Ramën. Ai tha se do të nisin bisedimet me Idrizin për të formuluar strategjinë për largimin e Ramës nga pushteti.

Do të mirëpres kërkesën e PDIU për të nisur bisedimet, bazuar te objektivat, çlirimin e vendit nga krimi dhe formulimi i zgjidhjeve të përbashkëta për çliruar Shqipërinë nga krimi.

Lulzim Basha

Report Tv ka mësuar se Idrizi do kalojë i vetëm krah PD-së, ndërkohë që tre deputetë të kësaj partie do të vijojnë bashkëpunimin me Partinë Socialiste. Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici do tw kalojnë me shumicën parlamentare.

PDIU rikthehet pas 4 vitesh te e djathta, pasi u largua në vitin 2014. Një vit më parë, 2013, PD kishte kaluar në opozitë, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa PDIU, në këto zgjedhje siguroi pesë mandate. Vetë Idrizi u zgjodh deputet përmes listave të PD.

Por edhe koalicioni me PS nuk funksionoi. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PDIU arriti të marrë vetëm 3 mandate, dy në Elbasan Aqif Rakipi dhe Bujar Muça (të dy të larguar më pas i pari për efekt të dekriminalizimit dhe i dyti dorëzoi mandatin, duke u zëvendësuar përkatësisht nga Elena Xhina dhe Dritan Bici) dhe një në Dibër (Reme Lala).