Nga Krenar Zejno*
Kodra pas bregut… ku çelet dhe një tablo peizazhi urban, kurse matanë një imazh me det
Kur në bordin e asnjë vapori, por thjesht në bordin pa shpërblim të Galerisë Kombëtare të Artit pa buxhet, vendosëm për një ekspozitë të Kodrës për këtë tetor, hop ia beh pushteti me tjetër drejtor, e anullon shtetin, e palos; e shuan e fshin ditarin e bordit, shkel mbi artin kombëtar edhe mundin e palëve që e afruan veten falas në këtë shërbim.
Nga ana tjetër, Italia – Italia që ka artistë sa ç’ka Italia – di dhe për Ibrahim, në përvjetorin e 100-të të artistit që prehet me amanet në vendin e lindjes, gërxhet e Kepit të Rodonit ndanë gërmadhës së një ish-burgu galerë, në Ishëm. Pas tri ngjarjesh brenda vitit në kujtim e nderim të tij dhe publikut të artit, këtë herë ekspozeja ndodh në një stacion, ‘Gare 82’, Brescia, galeri arti mu mes bigëzimit të binarëve. Me vepra nga koleksioni më i plotë, vëllezërit Spalinger, miq mecenat të artistit rebel, të cilët mbeten ende në dispozicion të thirrjes në bosh për ndonjë blerës shqiptar, pa fitim e kundrejt një çmimi atdhetar, por assesi shtetit të pushtetit.
Dy situata dhe reagime të përkundërta për artin e artistit me përkatësi të çarë më dysh. Ç’ka mbetet i pakuptueshem, dhe jo vetëm në këtë rast, nuk është tanimë vetëm reagimi i munguar i shtetit, por ashtu si në të tjera raste, me pasoja shumë të rënda, është mosreagimi i shtetasve ndaj reagimit të munguar. Gjendje pas së cilës, dikur diçka ndodh dhe si papritur e pakujtuar pason dhuna.
Një rast i tillë arti, apo si i teatrit kombëtar, gjer dhe refuzimi i punëve të mbara mbi Skënderbeun në vitin kombëtar të tij shpallur prej pushtetit, është i pashpjegueshëm, i papërkthyeshëm dot nga një breg në tjetrin… aq sa dhe një idiomë titulli. Apo një rimë e brendshme mërie që, dashjepadashje, ndërsa ndjek nga brenda ritmin e dallgëve në tablo, i brendashkruhet edhe trokut të trenave.
Ndërkaq, uturimat mbërrijnë, të paralajmërojnë e të vetëshpallin natyrën e dhunshme strukturale të mjeteve në qarkullim, të cilëve u duhet hapur rrugë përsa nuk i venë dot kollaj vetes frerë. Porse, në çastin kur sa s’po i hyjnë deteve të pikturës, trenat, tek bëjnë majtas – djathtas, sesi dinë të mënjanohen! Që të mos shkelin dhe shtypin. Siç çahet më dysh një bindje… një çast përpara se të bëhej vrastare. Siç dinë e kujtohen edhe për ndonjë prej vizitorëve përballë, nga brezi i 68-tës së stacioneve - adhurues rebelimi, e dashjepadashje edhe të ndonjë gabimi fatal - të cilët, herë-herë: kujtohen që, përndryshe, dinë si t’i hedhin trenat në erë…
Foto nga ekspozita
Gjithsesi, një fjalë për çeljen e një ekspozite festë arti, nuk mund të përfundojë e tëra nga ana e derteve lokale dhe mërisë endemike, ndaj për ta mbyllur le ta ”përkthejmë” këtu disi më ndryshe imazhin e trenave që sikur hapen e dyzohen ballë artit. Përkthim i lirë, po themi. Kësisoj, mënjanë fjalët, nga ana e poetikës art, mund ta imagjinojmë si dallgët që çahen ndanë faqeve të çfarëdo kepi si Rodoni; apo kuajt ergjele të tablosë që diku do t’i hapen pykëzimit të një ligatine posa thundrat të cekin llumin baltovinë.
Kurse, nga ana e poetikës prej realiteti real e mikëpritje që banon kudo një atelier-banesë artisti, si dikur ajo e piktorit, mund ta përfytyrojmë si një palë shalë që i hapen vullnetit për tej festivitetit… ose-ose rrethanave atypëraty, diku nëpër rrethinat e një stacioni.