Opinioni publik është njohur disi me librin e Aredin Shytit “Përballë së keqes”, publikuar nga botimet “Naimi”. Çdo mjedisi kulturor të vendit tonë do t’i bënte nder organizimi i një diskutimi për rëndësinë e këtij libri si dhe për temat e mëdha që trajton lidhur me raportet shtet dhe pushtet në momente kyç të historisë së vendit, përkatësisht ndryshimit të sistemit. Fati e desh që autori i librit të gjendej në qendër të ciklonit si shef i policisë e pastaj edhe në krye të garantimit të rendit publik (1990-1991).
Kujtdo nga kampi i njerëzve që kanë një farë kulture letrare dhe e kanë lexuar me vëmendje rrëfimin e gjatë me vlera historike, juridike e shoqërore të A. Shytit mbi të ashtuquajturën “Masakra e 2 prillit 1991”, do t’i shkonte menjëherë në mendje romani i vitit 1989 i shkrimtarit amerikan, John Grisham, “Time to kill” (Koha për të vrarë). Ai roman në fillim nuk u pranua të botohej nga shumë shtëpi botuese amerikane, dhe kur u botua nga shtëpia botuese Winwood Press u bë shumë shpejt një bestseller. I cilësuar nga kritika amerikane një thriller; fabula atij romani u shfrytëzua për ilustrimin e një sërë teorizimesh socio-ligjore prej rrymës “Studimet ligjore kritike” (SLK) në momentet kur regjimet komuniste në ish BRSS dhe në Evropën Lindore po shkonin drejt rrënimit. Dunkan Kennedy, profesor i Universitetit amerikan të Harvardit dhe një nga etërit shpirtërorë të këtij korrenti socio-ligjor, si dhe studiues të tjerë të një orientimi me të, kanë përdorur edhe trillimin artistik të John Grisham për të argumentuar se paanshmëria e sistemit ligjor liberal është një mit, se faktorët ekstralegalë, ekonomikë, politikë e kulturorë ndikojnë fuqishëm mbi vendimmarrjen e gjyqtarëve të çdo niveli në SHBA dhe kudo në botën perëndimore.
Sigurisht romani “Time to kill” ishte një fiction dhe jo një traktat shkencor socio-ligjor. Nga faktet, argumentet që jepen në kujtimet dhe zhbirimet e Aredin Shytit, deformimet e së Drejtës gjatë të ashtuquajturave “reforma demokratike” në Shqipëri pas vitit 1992, do të përbënin një lëndë të pasur për një shkrimtar të madh shqiptar si, fjala vjen, Ismail Kadare, për të shkruar një vepër të fuqishme të ngjashme me “Time to kill” të John Grisham duke iu referua tranzicionit politik shqiptar. Gjithsesi, Aredin Shyti nuk është shkrimtar dhe as pretendon të shkruajë romane policore si Georges Simenon, Agatha Christie apo Lev Sheinin. Në momentet që ai i vuri supin shtetit shqiptar që po rrokullisej drejt greminës së anarkisë, ai gjykon ftohtë rreth ngjarjeve që tronditën jetën social-politike të vendit dhe i shkatërruan atij karrierën si oficer profesionist i Policisë dhe kuadër i lartë i Ministrisë së Brendshme, duke i venë në rrezik edhe familjen.
Në librin e vet Aredin Shyti dokumenton si në një kronike filmike momentet e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, acarimin e kundërshtimin e tij si Zv. Ministër i Punëve të Brendshme për dërgimin e një helikopteri mbi kokat e turmave që po rrëzonin monumentin e Enverit (sipas një urdhri absurd të ministrit), mbledhjen e përgjithshme me kuadrot e Drejtorisë së Tiranës, ku fjala e tij sqaruese mbi rrethanat e ditës u mirëprit me ovacione nga të pranishmit. Në ata muaj dramatikë të rrëshqitjes drejt anarkisë, qëndrimet e lëkundura e të pasinqerta të udhëheqjes së lartë të Shtetit kundrejt kuadrove të Ministrive (të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme), ”ndiznin fantazinë për të krijuar realitete të paqena, të cilat e gërryenin edhe më shumë kallajin e besimit të mbetur”(Përballë së keqes, f. 83).
Libri “Përballë së keqes” mund të shërbejë si një manual për studiuesit që duan të hedhin dritë mbi rolin e oficerit profesionist të policisë në marrëdhëniet me politikanët dhe partitë politike në momentet e rënies së diktaturës e të ndryshimit të regjimit politik ose krizave të rënda. Një libër i përmasave të tilla, me sa di unë, nuk është shkruar dhe as publikuar në asnjë prej vendeve ku u përmbysën regjimet komuniste dhe triumfoi pluralizmi politik në vitet 1989-1991. Në këtë kuptim, libri i Aredin Shytit ka për kushtet e Shqipërisë sonë të vogël atë rëndësi që pati për shkencën amerikane dhe atë botërore libri i Samuel Huntington “Ushtaraku dhe shteti” (The Solder and the State), publikuar në 1957.
Në periudhën e rinisë e të studimeve për oficer policie të A. Shytit në shkollat tona të larta nuk zhvillohej lënda e Filozofisë të së Drejtës. Kundërtia midis ligjit dhe moralit ka qenë e pranishme që nga lindja e qytetërimit. Morali ka qenë e mbetet i lidhur ngushtë me idenë e drejtësisë. Po edhe ideja themelore e ligjit është drejtësia. Në Shqipërinë e viteve 1990-1992 oficerët drejtuese në Ministrinë e Brendshme dhe në Polici ishin të bindur se vendimet profesionale nuk mund të jenë të drejta kur nuk marrin parasysh ligjin. Po cilin ligj, atë sistem ligjor të mbështetur te Kushtetuta e vitit 1976? Po a kishte kohë të filozofonte Aredin Shyti, i ndodhur në kushtet “kur rrethanat (pas çdo momenti) ndryshojnë, siç ndodhi praktikisht në mëngjesin e 2 prillit në Shkodër”? Në ato kushte të fluiditetit moral dhe ligjor, Morali i detyrës i kërkonte korpusit të oficerëve të Policisë të bashkëpunonte me të gjitha forcat politike në terren për të rivendosur ligjin e ruajtur stabilitetin duke shmangur kaosin dhe konfrontimin e dhunshëm, që të shtynin drejt “luftës të të gjithëve kundër të gjithëve”, aq të dëshiruar nga ekstremistët e djathtë të PD-së e shërbimet e huaja sekrete. Ndërsa Morali i aspiratës (që frymëzonte Aredin Shytin dhe oficerët profesionistë te Policisë) ishte ruajtja e konsolidimi i paqes sociale, organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, pranimi paqësor i rezultatit zgjedhor, krijimi i kushteve për bashkëpunimin social për ndërtimin e sistemit të ri politik, duke legalizuar një lojë të ndershme dualiteti mazhorancë-opozitë, mbështetur në parimin moral “Mos i bëj tjetrit atë gjë që ti nuk dëshiron të të bëjë ai ty”.
Por në 2 prill 1991 Aredin Shyti nuk ndodhej në sallën e leksioneve në Shkollën e Lartë të Ministrisë se Brendshme, por në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa kolegët e tij përballë turmave të manipuluara të demonstruesve te dhunshëm në Shkodër. Ato momente mendja e tij nuk kërkonte zgjidhje teorike për situatën e ndezur në atë qytet, por kërkonte te merrte vendime të arsyeshme praktike, që do ta qetësonin situatën e do të parandalonin autorët e fshehur mes turmave për të kryer vrasjen e katër demonstruesve. Ishin në konflikt dy arsye, -arsyeja e ruajtjes se rendit përmes respektimit të ligjit në fuqi, duke ruajtur edhe jetën e njerëzve që demonstronin në shesh, dhe arsyeja e përshpejtimit të rrëzimit të rendit në fuqi duke shkelur jo vetëm mbi ligjin e vjetër, por edhe mbi kufomat e njerëzve të vrarë jo prej policëve, por prej “katalizatorëve apo përshpejtuesve” të ndryshimit të dhunshëm politik.
Pavarësisht nga presioni shumëvjeçar ideologjik e politik një-partiak, oficerët e Ushtrisë e të Policisë shqiptare u sollën si profesionistë të vërtetë dhe nuk iu kundërvunë proceseve të ndryshimit të regjimit dhe të demokratizimit te sistemit politik. Por partitë e djathta opozitare të vitit 1991, abuzuan me këto qëndrime e sjellje dinjitoze prej profesionistësh të oficerëve tanë të Ushtrisë dhe veçanërisht të Policisë. Pikërisht këtu filloi edhe drama e rëndë e fateve të oficerit të shquar të policisë dhe shtetarit serioz Aredin Shyti dhe e shokëve e tij si Gjek Cela, Çapajev Taçi etj. Ky ishte ndër elementët socialë përbërës të asaj “të keqe” që e vendos që në titullin e librit të tij “Përballë së keqes” z. Aredin Shyti.
Përballë dredhive e lojërave hipokrite të politikanëve të të gjithë krahëve, Ushtria qëndroi në kazerma dhe oficerët e policisë vunë në rrezik edhe jetën për të mbrojtur rendin publik dhe pronën shoqërore nga masa e lumpenit, e keqbërësve laramanë dhe e fundërrinave sociale që hiqeshin si të persekutuar, por që punonin kundër Shtetit, kundër stabilitetit, kundër dëshirës popullore për realizimin gradual e paqësor të ndryshimit të regjimit e të kalimit paqësor nga sistemi socialist në atë kapitalist të ekonomisë së tregut, me gjithë paqartësitë e kohës.
Te libri “Përballë së keqes” jepen fakte sesi nga ana e PD Shkodër ishte parapërgatitur aksioni për zjarr-vënie që përpara se te shpallej rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit, se gazetarë jugosllavë (në fakt, agjentë të UDB) kishin vizituar Shkodrën ato ditë, duke kontaktuar vetëm përfaqësuesit e PD, se në qytet shpërndaheshin para, lekë e dollarë, por pagatorët mbetën të panjohur, edhe për arsye se mediat nuk u lejuan t’i publikonin këto të dhëna të evidentuara gjatë procesit të turpshëm gjyqësor kundër Aredin Shytit e kolegëve të tij drejtues lokalë policie, se operativë specialistë të shërbimeve të huaja sekrete e kishin zgjedhur me kujdes skenën e krimit, për të realizuar masakrën e 2 prillit, duke e kompaktësuar turmën e protestuesve e shtuar edhe më shumë pas çdo ndërhyrjeje të policisë për ta shpërndarë atë, duke e futur në grackë vetë policinë për ta detyruar të shtinte në ajër, ndërsa autorët e panjohur të krimit të shtinin në mish mbi Arben Brocin dhe shokët fatkeq të tij (Përballë së keqes, f. 139-141).
“E keqja” hidhte gurin dhe fshihte dorën. Sepse, sipas Aredin Shytit, në kapërcyellin e viteve 1990-1991 ishte paralizuar e pezulluar me urdhër nga lart veprimtaria e organeve të Sigurimit të Shtetit (Po aty, f. 73). Burrin e shtetit Aredin Shyti e shqetësonte ky fakt, sepse paraliza e institucionit të lartpërmendur nuk kompensohej dot me punën operative zbuluese të policisë. Nga ajo paralizë ishin verbuar sytë e Leviatanit dhe shërbimeve të huaja sekrete u ishte lënë terreni i lirë për të realizuar në mënyrën që donin padronët e tyre përmbysjen e sistemin një-partiak në Shqipëri.
Është aksiomë e njohur se në çdo përmbysje politike për kryerjen e punëve të ndyra zgjidhen njerëz të ndyrë. Prandaj u organizuan e vunë në lëvizje individë e forca të pleksura me elementë kriminalë për të realizuar punët e zeza që dobësonin shtetin dhe ligjin dhe për rrjedhojë arritën të gjunjëzonin një komb të tërë për ta orientuar andej nga “duhej” sjelljen e tij elektorale, duke e kërcënuar me bukën e gojës duke i shkatërruar ekonominë, fabrikat, uzinat, fermat bujqësore. “Sali Berisha kishte një “cen” në biografi, kishte qenë anëtar i PPSH dhe sekretar i saj për spitalet e Tiranës, - shkruan Aredin Shyti. Duket ai mendonte se kjo ishte një blanjë që i bënte dyshues ndaj tij ata që e prunë në pushtet. Donte t’u jepte prova si antikomunist, ndaj nuk përmbahej, tregohej mizor” (Përballë së keqes, f. 299). Ky ishte një motiv më tepër që solli atë gjyq të turpshëm me akuza të sajuara e të paverifikuara duke dënuar drejtuesit e policisë. Për këtë proces gjyqësor të montuar autori shkruan:
“Pa dëshirë, por me bindje them se kushtet që janë krijuar e pamundësojnë kërkesën për rishikim të vendimit gjyqësor. Djegia e Gjykatës së Shkodrës, ku ndodhej dosja gjyqësore, e qëllimshëm apo jo, i rrit edhe më shumë vështirësitë. Kërkesa për pafajësi duket se do mbetet barrë për pasardhësit tanë.” (f. 312 e librit). Sepse, në janar 1998, “pishtarët e demokracisë” i vunë zjarrin Gjykatës së Shkodrës, Komisariatit të Policisë, ashtu si në Tropojë në të njëjtën ditë. Shkrumbuan gjithçka. Nëse do të ruhej, kjo dosje do ishte ekzemplari më i kërkuar nga juristë, sociologë, skenaristë, regjisorë, gazetarë etj. Ndërkohë do gjendej edhe një dritare për ne “vrasësit” që, sipas vendimit të gjykatës, “as kishim vrarë, as kishim dashur të vrisnim”...
Kur i isha afruar fundit të shkrimit të këtyre refleksioneve mbi librin “Përballë së keqes”, e takova autorin për një kafe te “Taivani” dhe e pyeta se cila ishte “E keqja”. “Kam shkruar 560 për të keqen”, m’u përgjigj me ngadalë, por “E keqja e madhe” ka një emër: Sali Berisha”.
Ashtu si i ka hije një njeriu të qytetëruar, një ish-funksionari të lartë të Shtetit dhe oficer i lartë i Policisë, Aredin Shyti, e përfundon librin për njeriun që i shkatërroi jetën, karrierën, i burgosi me akuza false e të pabazuara atë dhe dy djemtë e nipat e tij, me një lutje prej fisniku: “Lutja që (S.B.) të ketë jetë të gjatë është e duhura, për ta parë, siç po e shohim, të tërhiqet zvarrë në baltën që ka hedhur mbi të tjerët dhe në gjakun që ka derdhur me vullnetin e tij”.
Berisha= Met Hasa
Përgjigjujo e ke gabim met hasa=belinda balluku se jane martu
Met hasa=Sali Berisha
PërgjigjuKarma is a bitch o Aredin! Cfare do mbjellesh, do korresh!Nuk Ka thene kot as indiani, as shqiptari. Thjesht ne jemi me te edukuar, kemi me etike dhe e lidhim kete pune me bujqesine, ndersa indianet e Amerikes
PërgjigjuJane te rralle njerëz te tille
PërgjigjuAi sistem ishte i çuditshem! Kur burrat e keqinj( dmth te pa ditur) beheshin te mire dmth (te ditur), u pritej KOKA, shpalleshin tradhetare te popullit, se per cilin popull ishte fjala hajde e merre vesht. Por nuk ndryshon shume ky i sotmi nga ai i djeshmi, veçse eshte nje thenie e urte,"Me mire ne liri dhe i rrezikuar" se ne "Izolim e i sigurte".
PërgjigjuAMA femijet e tu dolen kriminele,,,duke vrare ate drejtorin e burgjeve kaloshin,,,dhe marre pjese ne organizaten hakmarrje per drejtesi...me grsbitje bankash e firmash....
PërgjigjuPerse ky kellire cfare ishte? Kryekriminel i peshtire. Kunati i kriminelit tjeter Luan Pobrati. Femijet e ketyre pas krimve monstruoze dhe rehabilitimit nga drejtesia e kalbur zoterojne sot miliarda duke filluar mr telebingon e pa limit.
Zotin hajredin shyti e kam njoft un personalisht kur kam bo ushtrine te tanket ne sauk,vinte dhe pinte kafe ngajhere te kafja e rrepartit tone,burre zotni burre i larte dhe nji nga ma profesinistat ne policine e shtetit!
Përgjigju