Drejtuesit aktualë politikë të cilët do të punojnë për t’i sjellë fitoren socialistëve, do të jenë në listat e mbyllura duke siguruar një vend të sigurt në garën elektorale të 11 majit. Përvec 4 kryebashkiakëve, burime për Report Tv thonë se 11 drejtuesit e fushatës në qarqe do të bëjnë përjashtim nga deputetët me më shumë se dy mandate, për të cilët siç kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët, do të jenë në listën e hapur duke luftuar për një ulëse në parlament.
Nga 8 shtatori kur Rama prezantoi se cilët do të ishin ekipi që do të mbante peshën elektorale për zgjedhje, lista ka pësuar rrugës disa ndryshime.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, peshën për qarkun më të rëndësishëm të vendit, Tiranën, Rama nuk ia la vetëm Erion Veliajt. Punën organizative të strukturave në bashkinë Tiranë ia caktoi Ogerta Manastirliut, ndërsa për 4 bashki të qarkut, Kavajën, Vorën, Rrogozhinën e Kamzën, zgjodhi Elisa Spiropalin.
Ndonëse kjo ndarje për kryeqytetin u duk e mjaftueshme, rrugës Rama vendosi ta blindojë me përforcime. Fillimisht largoi Blendi Gonxhen nga drejtimi politik i Dibrës dhe i ngarkoi atij specifikisht njësinë 6 në kryeqytet, zonën e Kombinatit. Vitin e nisi më një tjetër ndryshim, largoi Pandeli Majkon nga drejtimi i Kukësit dhe e dërgoi për mbështetje në Kavajë, zonë jo fort komode për socialistët që në 2023-shin humbën dhe bashkia drejtohet tashmë nga një demokrat. Pas largimit të Majkos, Kukësin do ta drejtojë Eduart Shalsi, ndërsa Dibrën Blendi Klosi.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ndër të paktët ministra ende të paangazhuar do të mbulojë në kryeqytet njësinë nr1.
Përforcimet Rama nuk i shtoi vetëm në Tiranë, por edhe Belinda Ballukut në Fier i çoi ministrin e Financave Petrit Malaj, i cili ka nisur angazhimin në Lushnje. Ndërsa Bledi Çuçit që drejton qarkun e Vlorës, i çoi për suport Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vëngun, bashkë me Anila Denajn që do të mbulojë Sarandën.
Shkodra, Durrësi dhe Berati do të drejtohen nga kryetarët e bashkive që e njohin mirë terrenin, Benet Beci, Emiriana Sako dhe Ervin Demo.
Ndërsa qarqet e tjera deri më tani nuk janë prekur nga ndryshimet, me ministrat Manja në Lezhë, Kumbaro në Gjirokastër, Mazniku në Elbasan Niko dhe kreu i grupit Peleshi në Korçë.
Përforcime Rama ka dërguar edhe në diasporë, ku përveç Taulant Ballës të cilin e ka caktuar përgjegjës për diasporën, ka angazhuar edhe disa prej drejtuesve të tjerë politikë.