Kolec Topalli: Kur Petro Marko
jetonte në shtëpinë time

Kolec Topalli: Kur Petro Marko<br />jetonte në shtëpinë time
Mund t’ju duket e çuditshme, që edhe nga Shkodra vijnë para jush kujtime dhe fakte nga jeta e shkrimtarit të madh Petro Marko. Kjo ndodh për arsye se ai i përket jo vetëm Dhërmiut, Himarës, Vlorës e Tiranës, por edhe mbarë Shqipërisë dhe më tej tërë kombit shqiptar.

            Në të vërtetë, asnjëherë nuk kam menduar se mund të vinte një ditë, në të cilën do të shpalosja kujtimet e mia të fëminisë, sidomos për njeriun që na ka mbledhur, i cili ka jetuar rreth 1 vit në familjen tonë. Kjo ka ndodhur në vitet e para të instalimit të pushtetit komunist në Shqipëri, rreth viteve ’45-’46. Në atë kohë Petro Marko punonte në gazetën “Bashkimi” dhe u caktua me misionin e redaktorit për të mbledhur materiale për zonën e Veriut duke pasur si vendqëndrim qytetin e Shkodrës. Ishin vitet e para pas luftës, kur, në mungesë të shtëpive të lira, personat me përgjegjësi të veçanta, caktoheshin të banonin pranë familjeve që kishin mundësi t’i strehonin. Fati e solli që në familjen tonë, të caktohej Petro Marko.

            Me të ardhur në shtëpinë tonë, iu vu në dispozicion dhoma e pritjes së miqve, më e mira e shtëpisë. Aty punonte e aty flinte, ndërsa në tryezën e bukës së familjes sonë u shtu edhe pjatë tjetër në krahun e djathtë të babait, dhe kjo vijoi gjatë gjithë kohës sa qëndroi në shtëpinë tonë. Kjo ndikoi  që ndërmjet tij e babait të lidhej një miqësi e ngushtë, për të cilën ka shkruar vetë Petroja në librin “Re dhe gurë”, duke vënë në dukje bisedat e ngrohta, shpeshherë me sens politik, që zhvilloheshin në familjen tonë. Po lejohem të citoj sa vijon nga ky libër:

“Mua më mbajtën në Shkodër për të botuar Buletinin e Korparmatës së Tretë. Flija në shtëpinë e  Nush Topallit, ku merrja lajmet me radio dhe përgatitja lëndën te “Jeta e re”... Familja e Nush Topallit më ka mbajtur si bir të saj, shumë familje bujare, patriote dhe fisnike. Mirëpo në Shkodër, siç duket me ndikimin e malazezëve, nisi ndjekja kundër katolikëve. Kishin ardhur shumë podgoriçanë dhe ata ishin thuajse shumica.

Nisi rrëmbimi i mallrave, zbrazja e dyqaneve nga jugosllavët. Shkodranët ishin tmerruar dhe prisnin se ç’do të bënte qeveria shqiptare: a do t’ua ndalonte sllavëve rrëmbimin e mallrave, zbrazjen e dyqaneve? ... Edhe  Nush Topalli, një njeri me mend dhe i ndershëm, një mbrëmje, duke ngrënë bukë në shtëpinë e tij, më pyeti me druajtje:
- Më falni, zoti Petro.  Unë e di që ju jeni një patriot i ndershëm dhe dua t’ju bëj një pyetje. A më lejoni?
- Unë ha bukën e një vëllai shqiptar, - iu përgjigja, - si të mos kem besim dhe respekt për të? Ç’doni të më thoni?

Ai më pyeti:
- Pse, zoti Petro, po na zhveshin sllavët? Të paktën të marrin një pjesë e një pjesë  ta mbajmë dhe ne, se ku t’i gjejmë tërë këto mallra të çdo kategorie: që nga lënda e ndërtimit, te manifaktura, te makineritë, te pijet ...  Më vjen keq, vërtet miku është mik, po duhet t’i japim ne atë që kërkon, dhe jo t’i hapë ai vetë depot, magazinat, dyqanet ... dhe t’i zbrazë pa na thënë as faleminderës! Unë e kuptoj këtë zoti Petro. I shoh të gjitha dhe hesht, se, po hapa gojën, burgu më pret ...

Nuk e kuptoja këtë veprim zhvatës pa skrupull nga ana e druzheve ... Të gjithë katolikët shiheshin me sy të keq, madje nisi dhe arrestimi i tyre”.
            Në atë kohë unë isha fëmijë, por edhe sot nuk e harroj vëmendjen dhe dashurinë që shfaqte ai për mua dhe vëllain tim, edhe ai fëmijë dy vjet më i madh se unë. Shpesh më merrte në prehër dhe më recitonte poezi sidomos në gjuhën frënge. Mund t’ju duket e çuditshme, por poezinë e njohur “Frère Jack” e kam mësuar prej tij, kur ai vinte bashkë me vëllain tim mëngjeseve, në ditët që unë isha i fundit që zgjohesha.

            Më vonë ai u transferua në Tiranë, por miqësinë me familjen tonë, sidomos me dy vëllezërit më të mëdhenj në moshë, nuk e harroi asnjëherë. Në kryeqytet luftëtari me armë në revolucionin spanjoll do të kishte pasur një karrierë të shkëlqyeshme, sikur bindjet e tij t’ia kishte nënshtruar pushtetit komunist. Por kjo nuk ndodhi, prandaj në vitet e mëvonshme fati i tij ndoqi atë të familjes sime dhe të shumë familjeve të tjera, që nuk pajtoheshin me diktaturën komuniste.
 

Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane