‘Koleksionet veneciane’ për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare! Nga e hëna ekspozohen rreth 600 libra dhe harta origjinale! Ruggera: Trashëgimi e pabesueshme

“Koleksionet veneciane” me rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia mes viteve 1400-1800, prezantohen në një ekspozitë të veçantë në Bibliotekën Kombëtare.

Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë për publikun dhe të gjithë kureshtarët do të kenë mundësi t’i shohin nga afër duke nisur nga e hëna e 21 tetorit, falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës.

“Venecia ka qenë qendra kryesore, në mos më kryesorja në Evropë në periudhën e Rilindjes Evropiane, sidmos përsa i takon botimeve dhe tipografisë. Fati jonë është që kemi disa prej botuesve më të rëndësishëm, si Paolo Manuzio, Bernardino Benali, Girolamo Albrizzi etj., të cilët janë nga më të rëndësishmit në historinë e botimit të librit në Evropë, për të treguar se cila është Venecia si një nga pikat kulturore më të rëndësishme”, shprehet Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Kjo qendër shtypshkrimi luajti rol të madh për të risjellë në Europë mjaft prej autorëve të antikitetit greko-romak apo dhe bizantinë, të përkthyer në latinisht apo italisht.”

Seksioni i dytë i ekspozitës i kushtohet Shqipërisë dhe Greqisë vende ku Venediku pati një ndikim të madh për disa shekuj me radhë. Pjesë do të jenë edhe dëshmitë e para të shqipes së shkruar, si ato të Buzukut e të Bogdanit, veprat kushtuar Skënderbeut apo historisë së Shqipërisë, duke nisur nga ato të Barletit, Marin Beçikemit, Dhimitër Frangut etj. Seksioni përmban edhe një numër hartash origjinale të Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare.

Ekspozita vjen nën kujdesin e kuratores shkencore, Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë.

“Kur filluam të flasim për këtë ekspozitë dhe pashë katalogun e botimeve që prezantojmë ishte me të vërtetë një surprizë. Pasuria e kësaj trashëgimie është vërtet e pabesueshme. Besoj që rëndësia themelore e kësaj ekspozite është pikërisht ajo e njohjes së publikut të gjerë me këtë trashëgimi, një pasuri e Shqipërisë që duhet ruajtur e mirëmbajtur”, tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit italian të Kulturës.

Një seksion i veçantë i kushtohet librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane, vepra që mund të shërbejnë si burim i jashtëzakonshëm informacioni për historinë e shqiptarëve. Venecianët njihen para së gjithash si udhëtarë e gjeografë, ndaj një seksion i veçantë i kushtohet pikërisht kësaj teme.

Dy seksionet e fundit i janë kushtuar botimeve që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë. Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më reja mbi raportet historike të shqiptarëve me Venecian. Kjo ekspozitë është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës, që do të pasojë një katalog jo vetëm të ekspozitës, por të gjithë librave venecianë në Bibliotekën Shqiptare, rreth 1300 të tillë.

Sipas drejtorit të BSH, Piro Misha, ky është vetëm fillimi një operacioni për të promovuar në publik edhe nevojën për një Bibliotekë të re Kombëtare.

Misha thekson se në të ardhmen, brenda dy viteve pritet të realizohen disa ekspozita: një ekspozitë me koleksionin e Biblave që ruhen në Bibliotekë, për të cilën do të bashkëpunohet edhe me Bibliotekën e Vatikanit, një tjetër ekspozitë për trashëgiminë evropiane, një ekspozitë me koleksion oriental dhe një koleksion me botime të arbëreshëve.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë