Komedianët e dëshpërimit

Komedianët e dëshpërimit

Gjithnjë e më shumë po bindem se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm jo vetëm për natyrën, klimën, por edhe për spektaklet që prodhon. Kadareja ynë i famshëm është gjeniu i papërsëritshëm që me intuitën e tij e ndieu qysh në fëmijëri se po jetonte në një vend që prodhonte në mënyrë magjike ngjarje e personazhe që kishin dy shenjueshëmëri : tragjike dhe komike, sureale dhe fantazmagorike. Ndoshta, ai është i vetmi shkrimtar që lexoi në mënyrë brilante tekstin e vërtetë që shkruanin shqiptarët me historinë e tyre. Dhe, i magjepsur prej saj, ai vetëm na e tregoi këtë narrativë.

 Kjo duhet të ketë qenë arseyeja pse Arshi Pipa, një tjetër shkrimtar, studiues, kritik dhe albanolog i famshëm, i cili vuajti në mënyrë makabre dhunën nga regjimi komunist që u instalua në Shqipëri, duke bërë burg politik, pra, një kundërshtar i egër i regjimit në të cilin Kadareja zhvilloi veprimtarinë e tij, në vitin 1987 boton te revista « Tale » në Neë York shkrimin « Subversion mbi konformizmin, fenomeni Kadare ». I magjepsur, sidomos nga romani « Kronikë në gur », ai shkruan, veç të tjerash, se Kadareja ka vizuatuar qytetin e tij të Gjirokastrës si të ishte një shkrimtar frojdist apo neofrojdist i klasit të lartë. Në atë qytet thotë ai, nipi vret xhaxhain në sofër, një vajze të bukur i del mjekra, një burgamadh mërzitet me jetën në liri dhe i drejtohet burgut, një delirant pretendon se ka ndërtuar avionin prej druri. Një hermafrodit vendos të kthehet në gjininë që mbante fshehur dhe viziton bordellon e qytetit e kështu me radhë.

Kur kam lexuar këtë kritikë të Arshi Pipës, jam bindur edhe njëherë për gjenialitetin e Kadaresë, por jo vetëm, kam menduar se vetëm një gjeni mund të hetojë dhe mund të rrëfejë narrativën e vendit të tij ashtu siç ka bërë Kadareja. Nuk ka asnjë regjim politik që mund ta dëmtojë atë gjenialitet. Por kjo është një histori tjetër.

E gjithë kjo m’u kujtua këto ditë duke ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri. Mua jo vetëm që nuk më shqetëson patetizmi dhe retorika e vrazhdë e agresive e opozitës, por më zbavit. Studiot televizive që u ngjajnë skenave të teatrove absurde apo atyre eksperimentale, janë një art më vete. Të gjithë e dinë subjektin e dramave apo komedive që luhen aty dhe si spektatorë shijojnë lojën e aktorëve. Dikush kujton luftën, një tjetër zbulon lidhjet e padukshme me agjenci të jashtme që ai i ka hetuar duke dëgjuar apo duke deshifruar kodet e pazbërthyeshme të ligjërimit të Tit Vasilit. Pjesa më zbavitëse janë dosjet dhe etja për të shpjeguar botën me zbërthimin e kodeve numerologjikë. Sapo ti mësohesh me numrta e dy dosdjeve del një dosje tjetër.

Sipas Aristotelit që tragjedia të ketë efekt, konflikti tragjik duhet vendosur brenda familjes, brenda gjakut. Përbindëshi që ka zaptuar Abanistanin tani është i rrethuar me shqyta e heshta dhe nuk ka më shpëtim. Atëhere kur të gjithë sjellin në mendje betejat e zhvilluara në fushë të hapur mes përbindëshit që ka gllabëruar atdheun dhe e përtyp atë si një çamaçakëz dhe luftëtarëve të lirisë që janë të veshur me një uniformë që të kujton xhingla-mingat, zhile-zhon apo jelekverdhët, pikërisht në këtë kohë jelekverdhët kthehen në gushëverdhë, në zogj që cicërijnë për paqe dhe mbrothësi, në pëllumba që do t’i kishte zili edhe Evropa e plakur.

Mirëpo, asgjë nuk është ashtu siç duket. Sapo beteja në fushën e luftës fashitet ajo ndizet nëpër skenat ku luhen komeditë surealiste televizive dhe aty luftëtarët nisin të tregojnë vazhdimin e luftës dhe parashikojnë fundin tragjik të Përbindëshit që po përtyp atdheun si çamçakëz. Nis dialogu sureal, përplasjet trup me trup ose fjalë për fjalë. Të gjithë kanë sjellë hartat e vendosjes së trupave për rrëzimin e atij që i ka futur thellë në dëshpërim dhe aty bëhet planifikimi i betejave të ardhshme.

Dikush thërret në ndihmë një varg popullor, një tjetër një histori nga lufta e boerëve dhe pikërisht atëhere kur fundi i atij që u ka prishur drjetpeshimin duket i afërt, vjen lajmi fatal: himnin kombëtar nuk do ta këndojë më prijësi i opozitës, por një tenor. Kjo është më shumë se tragjedi thotë dikush nga salla. Ndërsa shumica e spektatorëve e ndien se komedisë, mesa duket, i ka ardhur fundi./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë