Komisioni Hetimor për 25 prillin/ PS: PD zero informacion për Strukturën e Mbrojtjes së Votës! Vranë Xhuvanin 3 ditë para zgjedhjeve! PD: 41 institucione pa përgjigje

Partia Demokratike po mban sekret informacionet për Strukturën për Mbrojtjen e Votës, një strukturë kjo e armatosur e ngritur para zgjedhjeve të 25 prillit. Deputetët socialistë thanë se PD nuk ka sjellë të dhëna në Komision, ndërsa demokrati Gazment Bardhi iu përgjigj se nuk objekt i hetimit parlamentar nuk është veprimtaria e opozitës në zgjedhje, por e institucioneve shtetërore. Të pakënaqur, socialistët thanë se në përgjigjen e selisë blu, nuk ka asnjë të dhënë për ngritjen, funksionimin dhe anëtarët e strukturës së armatosur.

Komisioni Hetimor do t'i kërkojë sërish informacion PD-së në lidhje me Strukturën e mbrojtjes së Votës. Kjo strukturë e armatosur dhe anëtarët e saj vranë në Elbasan 3 ditë para zgjedhjeve Pjerin Xhuvanin. Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha se ishte i gatshëm të dëshmonte para Komisionit Hetimor se cilat ishin strukturat e vërteta paramilitare në zgjedhje.

Edhe pse mbledhja e disatë e Komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, deputetët e opozitës dhe mazhorancës u përplasën sërish për çështje procedurale, që i merr debatet më të shumta në komision. Edhe në këtë mbledhje të sotme ka pasur akuza dhe kundërakuza mes deputetëve të PD dhe PS, shoqëruar me ironi, duke e bërë gati të pamundur punën normale.

Një letër e çuar nga kryetari i Komisionit, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, për institucionet ku kërkonte informacion dhe i kujtonte dënimin që vjen nga ligji nëse kjo nuk bëhej, u bë sebepi, që PS të kërkonte që çdo shkresë në emër të komisionit të firmoset  edhe nga sekretari që i përket socialistëve. Alibeaj tha se ky propozim është në kundërshtim me ligjin, ndaj edhe nuk pranoi ta hedhë në votim, ndërsa u zotua të bëjë publike, çdo shkresë e kërkesë që do i bëhet këtij komisioni.

Kryetari i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj, zbardhi listën me 41 institucione të qeverisjes qendrore dhe lokale, që nuk kanë kthyer akoma përgjigjet për kërkesat e komisionit për hetim. Institucionet janë që nga Ministria e Brendshme apo e Rindërtimit deri tek Bashkia e Tiranës dhe 27 bashki të tjera. 

Pjesë nga debati

Alibeaj-Gogut: Vjen me skenar për të prishur veprimtarinë e këtij komisioni, nuk e di cila është arsyeja që e bëni, mbase ngaqë kanë ardhur disa përgjigje. Nuk e kuptoj irritimin tuaj.

Ervin Salianji: Se kur vjen puna e ndodhin ngjarje të rënda edhe vetë kryeministri Edi Rama flet sikur është Opozitë. Del aty dhe thotë që ligjin e kemi por s’na e zbaton njeri. Si ajo ngjarja e Fierit për shembull. Se këtu ligjin e bën Maliqi.

Gjylameti-Alibeajt: Kjo skenë është shumë e vogël poër ju, për shkak të kapacitetit tuaj duhet të ishit në skena botërore, kolegët e ,i duhet t ëkenë durim që të dëgjojnë këto aktrime, kontradiktor nga fjalia e parë te e dyta. Keni një lloj pasioni që nuk mund të shpërdoret, duhet të ishit te foltorja jo këtu.  Unë  e kuptoj që problematika deri në datën 11 ose 18 do vazhdojë po njësoj, ju vini dhe tentoni të justifikoni humbjen dhe harxhoni këtu taksat e qytetarëve në komisione e harroni të uleni të reflektoni.

Pyetjet e PS për strukturën e mbrojtjes së votës, Gjylameti: Telegrami nga PD, 3 rreshta të shkruara, por pa asnjë përgjigje për kërkesat e shtruara.

Alibeaj: Ka thyer përgjigje SPAK , prokuroria e përgjithshme, drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit, e cila këtë përgjigje e ka konsideruar sekret, ka ardhur përgjigja nga Inpsektoriati i punës, shtetëror shëndetësor, Autoriteti i Ushqimit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia kombëtare e barnave dhe pajisjeve mjekësore, prokurimet publike, drejtoria e përgjithshme e kadastrës, kanë kthyer përgjigje bashkia Dimal, Skrapar, Polican, Bulqizë, Mat, Klos, Shijak, Elbasan, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Fier, Roskovec, Mallakastër, Gjirokastër, Memaliaj, Përmet, Devoll, Pogradec, Kukës, Das, Kurbin, Malësi e Madhe, Fushë Arrëz, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Selenicë, Himarë, Sarandë, Finiq, Delvinë. Bashkive iu kërkua të dhëna për punësimet dhe aty ku kushte, të dhëna për dëmshpërbimet për tërmetin. Përgjigje ka kthyer dhe drejtoria e përgjithshme e të dhënave civile, KESH, OST, Posta Shqiptare, Ministria e Shëndetësisë, AKSHI për të dhënat personale, Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale, Ministria e Jashmte, Ministria e ekonomisë, Infrastrukturës, Bujqësisë, PD.

Ende nuk ka kthyer përgjigje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka dhe shumë institucione që nuk kanë kthyer përgjigje, edhe pas paralajmërimit të bërë nga ne, Inspektoriati i Mjedisit, Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar, Këshilli Kombëtar i Territorit, Bashkitë Berat, Kuçovë, Dibër, Krujë, cërrik, patos, lushnje, Divjakë, Libohovë, Tepelenë, Këlcyrë, Shkodër, Dropull. Korçë, Maliq, Pustec, Tropojë, Lezhë, Mirditë, vau i dejës, Pukë, tiranë, Kamzë, Konispol. Ministra e shtetit për rindërtimin, Departamenti i Administratës publike, OSHEE, Ministria e Brendshme , Arsimit, drejtësisë, e Mbrojtjes, e kulturës, e turizmit, SHISH, Policia e shtetit për kërkesën për ngjarjet që lidhen me krimet zgjedhore. Nëse deri sot në 16::00 nuk sjellin përgjigje, bëjmë kallëzim penal

Gogu: Kërkesë e dalë jashtë ligjit, dhe jo objekt i punës së këtij komisioni. Përgjigja që ka ardhur është pa informacion. Ne nuk keni kthyer përgjigje tamam, kërkesën PD-së do ia ridërgojmë

Bardhi: PD në datën 5 nëntor ka marrë një kërkesë nga komisioni hetimor për pyetjet e bëra mbi strukturën e mbrojtjes së votës. Kemi kthyer këtë përgjigje: Kërkesa del jashtë objektit të punës së komisionit hetimor, që është ngritur për të kontrolluar veprimtarinë e organeve të admnistratës publike dhe institucioneve shtetërore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
Gazment Bardhi mbron Strukturën për Mbrojtjen e Votës: Ato janë vullnetarë, s'i bëjmë ushqim për patronazhistët! Jam gati të dëshmoj në çdo kohë për masakrën në Elbasan

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi mbrojti në Komisionin Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës, duke shtuar se është gati të dëshmojë në lidhje me ngritjen e kësaj strukture.

 'Ata janë qytetarë të ndershëm, vullnetarë të PD dhe nuk do t’i dorëzojmë kurrë për t’u bërë ushqim për patronazhistët tuaj. Secili prej tyre ka pasur mbi shpinë gjatë katër muajve Policinë e Shtetit. Ka ardhur Policia e Shtetit dhe i ka kontrolluar me dhjetëra herë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur. PD nuk ka ngritur grupe paramilitare. Grupe paramilitare kishte ngritur PS me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nëse doni emra dhe informacione kur të vijë koha i themi këtu. Ajo që ne kemi ngritur është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën, përfshirë edhe presidentin aktual të SHBA-së. Sikundër secili prej atyre vullnetarëve ka qenë pikë kontakti zyrtar me drejtuesit e Policisë së Shtetit, nuk kanë vepruar si struktura ilegale të panjohura.- tha Bardhi.

Bardhi vlerësoi vullnetarët për mbrojtjen e votës për mundësimin e zbulimit të krimeve zgjedhore siç e cilësoi ai nga partia në pushtet.

'185 kallzime i keni sot në Prokurori. Janë të dhënat e mbledhura nga ky grup dhe do të duhej secili prej jush të falenderojë çdo qytetar të ndërgjegjshëm qoftë në PD qoftë në PS që mbledh të dhëna për kryerjen e një krimi dhe i paraqet të dhënat në Prokurori. Do të duhet t’u themi faleminderit atyre jo patronazhistëve që na vjedhin të dhënat tona personale, përcaktojnë edhe se si voton drejtuesi i SPAK se si voton Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm dhe për turpin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të SPAK, të dhënat e të cilëve janë vjedhur, siç janë vjedhur të dhënat e 2 milionë shqiptarëve, flenë mbi dosje. Do të duhej t’i hetojnë.”- tha Gazment Bardhi në mbledhjen e Komisionit hetimor për zgjedhjet. 

Sekretari i Përgjithshëm tha se ishte i gatshëm të dëshmonte para Komisionit Hetimor se cilat ishin strukturat e vërteta paramilitare në zgjedhje.

'E kam çuar kallzim penal. Po pres të hetojë Prokuroria dhe jam i gatshëm të dal atje e të jap informacione se kush ishin trafikantët e drogës që shoqëronin nga mëngjesi në darkë Taulant Ballën dhe ekipin tuaj në Elbasan. Kush ishin njerëzit që shpalleshin në kërkim paradite nga policia dhe pasdite shoqëroheshin nga policia për të shpërndarë para’ shtëpi më shtëpi në Elbasan. Nuk kishte Polici Shteti në Elbasan kishte bandë që komandonte nga drejtori i Policisë, që ishte i pafuqishëm për t’i luftuar. Dhe ta them unë se përse?! Sepse kjo bandë ishte shtabi i Taulant Ballës në Elbasan. Dhe Taulant Balla kishte të drejtën dhe mundësi për të shkarkuar drejtorin e qarkut, siç e bëri.'- tha Balla.

Gazment Bardhi tha në komisionin hetimor për zgjedhjet se vullnetar për Taulant Ballën në fushatë ka dalë publikisht edhe një trafikant droge.

'Mehmet Greca doli në TV krenar dhe tha: se është anëtar i shtabit te Taulant Ballës. Është trafikant i dënuar droge, në kërkim. I dënuar në Londër si shpërndarës droge, është krenaria juaj, si patronazhist. Nuk do ta kisha kurrë krenari në të gjithë karrierën time politike.'- tha Bardhi.

Ora 15:38
Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25-Prillit, PD mban sekret informacionin për Strukturën e Mbrojtjes së Votës

Partia Demokratike ka refuzuar që të japë informacion për Strukturën e Mbrojtjes së Votës, e cila u ngrit nga para zgjedhjeve nga PD për të mbrojtur sipas tyre votat e qytetarëve, sipas një relacioni të nxjerë nga Komisioni Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit. Komisioni Hetimor do t'i kërkojë sërish informacion Partisë Demokratike për Strukturat e Mbrojtjes së Votës, duke e paralajmëruar për detyrimn e saj ligjor të dhënies së informacionit. Kujtojmë se anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës në PD vranë Pjerin Xhuvanin në Elbasan 3 ditë para zgjedhjeve.

RELACION

Mbi kthim përgjigjen e Partisë Demoratike të Shqipërisë (me poshtë PDSH) ndaj shkresës Nr.2691 Prot, datë 01.11.2021 të Komisionit Hetimor, i ngritur me vendimin Nr.79/2021.

Faktet

Sipas shkresës Nr.2691 Prot, datë 01.11.2021 të Komisionit Hetimor,  në kuadër të fillimit të hetimeve, P.D.SH-së i është kërkuar informacion mbi Strukturën e Mbrojtjes së Votës (S.M.V), strukturë kjo e njohur nga vetë kryetari i saj,  deputetë të kësaj partie si edhe nga Raporti i O.D.H.I.R mbi zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Nga ana e P.D.SH-së është kthyer përgjigje me shkresën Nr. 134/1 Prot, datë 09.11.2021 dhe është përdorur si referencë ligjore neni 13 i ligjit Nr.8891/2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” (ligji Nr.8891/2002). Dispozita ligjore në fjalë disiplinon marrjen e vendimeve nga Komisioni dhe parashikon pranimin e kerkesave per hetime dhe prova pa votim.

P.D.SH ka refuzuar të japë informacion sipas kërkesës së Komisionit Hetimor pasi ajo vetë ka vlerësuar se, sipas vendimit nr.79/2021 të Kuvendit,  kërkesa del jashtë objektit të punës së Komisionit dhe se ky i fundit është ngritur që të hetojë veprimtarinë e organeve të administratës publike dhe të pushteti vendor…

Ligji Nr.8891/2002 dhe Vendimi i Kuvendit Nr.79/2021.

Në nenin 2 të ligjit Nr. 8891/2002, janë dhënë përkufizimet sic vijon:

 “Hetime” janë veprimet procedurale që ndërmerren nga komisioni për të sqaruar një çështje të veçantë, por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.

“Prova” është çdo e dhënë, dëshmi, dokument apo fakt që shërben në nxjerrjen e konkluzioneve të hetimit dhe që merret sipas rregullave të këtij ligji.

“Mendim i pakicës” është mendimi ndryshe në lidhje me rekomandimet përfundimtare të komisionit, i anëtarëve që mbeten në pakicë në komision, i cili shoqëron vendimin përfundimtar dhe që i paraqitet Kuvendit për shqyrtim e miratim.

Në nenin 13, pika 4 është përcaktuar se “Kërkesa për hetime ose marrje provash nga çdo anëtar i komisionit pranohet nga komisioni pa votim.”

Në nenin 17 parashikohet se “1. Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, si dhe të dhëna të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve. 2 Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t’ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij.”

Në nenin 22, pika 2 është parashikuar se “Kuvendi i miraton konkluzionet e komisionit në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 78 të Kushtetutës”

Kuvendi i RSH me vendimin Nr.79/2021  ka vendosur ngritjen e Komisionit Hetimor “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”.

Në pjesën hyrëse të vendimit, pika I është përcaktuar qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni sic vijon: ”Ky hetim parlamentar do të synojë nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, mbrojtjen e integritetit te procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e lirisë së votës, rritjen e besimit të publikut, mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit. “

Në pjesën III është përcaktuar detyrimi i Komisioni në veprimtarinë e tij nuk duhet të krijojë mbivendosjë me punët e organeve të drejtësisë ndërsa në pjesën IV është përcaktuar që Komisioni” …bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime të kuadrit ligjor që ofrojnë mbrojtje dhe garanci për integritetin e procesit zgjedhor…”

Vlerësimi.

Qëndrimi që ka mbajtur P.D.SH me shkresën shkresën Nr. 134/1 Prot, datë 09.11.2021 është në kundërshtim me ligjin Nr.8891/2002.

PDSH, në bazë të nenit 17, pika 1 dhe 2 ka patur detyrimin ligjor të dhënies së informacioni sipas kërkesës nr. 2691 Prot, datë 05.11.2021 të Komisionit Hetimor.

Në momentin që një subjekt, në rastin konkret P.D.SH, merr një kërkesë nga ana e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për informacion apo cfarë do që të jetë, do futet brenda fushës së veprimit të ligjit Nr.8891/2002. Ky ligj, për nga vetë objekti apo qëllimi për të cilin është miratuar, nuk ka parashikuar të drejta procedurale për subjekte të  ndryshëm nga anëtarët e komisionit hetimor.  Në këtë kuptim, P.D.SH me marrjen e kërkesë së Komisionit ka patur detyrimin e vetëm të saj sipas nenit 17, pika 1 dhe 2 të ligjit dhe jo të vlerësojë punën e Komisionit.

Refuzimi për të dhënë informacion nga P.D.SH për arsye se sipas saj  kërkesa e Komisionit Hetimor është jashtë objektit të punës, është i paligjshëm. Të drejtën për të vlerësuar nëse një kërkesë është apo jo brenda objektit të Komisionit Hetimor, ligji nuk ia ka dhënë as vetë Komisionit, prandaj edhe nenin 13, pika 4 i ligjit Nr.8891/2002 ka percaktuar se kërkesa për hetime apo prova pranohet pa votim.

Kërkesa i është drejtuar P.D.SH sipas propozimit të antëtarëvë të Komisionit dhe secili prej tyre kërkon që të mbledhë sa më shumë të dhëna që janë brenda qëllimit dhe frymës së vendimit nr.79/2021 të Kuvendit për “… mbrojtjen e integritetit te procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e lirisë së votës, rritjen e besimit të publikut…” , që i shërbejmë apo ndihmojnë zhvillimin e hetimeve sipas ligjit të posacem dhe se ai vetë personalisht i cmon se i shërbejnë veprimtarisë së Komisionit në të cilin ai është anëtarë.

Secili prej anëtarëve të Komisionit, pavarësisht përkatësive politike, ka qasjen e tij ndaj metodave të hetimit, ka metodën e tij të analizimit të të dhenave, dhe në cdo rast sipas nenit 21 të ligjit Nr.8891/2002 ka të drejtën që të pregatisë mendimin ndryshe. Në këtë kuadër refuzimi i P.D.SH për dhënien e informacioni për arsyet e sipërcituara, në mënyrë të kundraligjshme krijon premisa edhe  për mohimin e mendimit të pakicës sipas ligjit.

Vlerësimi nëse  veprimtaria e Komisionit Hetimor është apo jo brenda objektit të përcaktuar me vendimin Nr.79/2021 i përket vetëm Kuvendit të RSH me miratimin e raportit përfundimtar, sipas nenit 22 të ligjit nr.8891/2002.

REKOMANDIMI

Për sa më sipër, kërkesa Nr. 2691 Prot datë 05.11.2021 e Komisionit Hetimor drejtuar P.D.SH konsiderohet e paplotësuar  dhe duhet që e njëjta shkresë t’i drejtohet sërish PDSH duke e paralajmëruar për detyrimn e saj ligjor të dhënies së informacionit.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi