TIRANË, 9 Mars /ATSH/- Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot Projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator për fondet e granteve, për ndërtimin e kapaciteteve për koncesionet për investimet në energji dhe industri".
Drejtoresha e Drejtorisë së Koncensioneve, Entela Konti, u shpreh se projekti për administrimin e fondeve grant, për ndërtimin e kapaciteteve për koncesionet për investimet në energji dhe industri, ka nisur. Ajo prezantoi kompaninë konsulente, "Merkados", që po asiston në zbatimin e projektit.
Duke u ndalur në rëndësinë e asistencës që do të japë BERZH, ajo tha se do të ndihmojë në dixhitalizimin e procesit dhe rritjen e transparencës, pasi u jep mundësinë palëve të treta të kenë akses në këtë database, për të kuptuar se çfarë ndodh me secilin koncension.
Drejtoresha Konti, tha se "kjo është asistencë për të gjithë procesin e konçensioneve". "Ne s'kemi patur asnjë database për të gjithë koncensionet. Deri tani janë 164 kontrata nga të cilat 20 për qind janë realizuar, 20 janë në proces", tha ajo. Granti i dhënë nga BERZH kap vlerën e rreth 630 mijë euro.e.xh/ /m.m/










