Konferenca e Ballkanit, Bushati:
"Do lidhë fizikisht rajonin me BE"

Konferenca e Ballkanit, Bushati:<br />
TIRANE - "Konferenca e Ballkanit ka në qendër një bashkëpunim për rivijëzimin e disa projekteve infrastrukturore dhe ekonomike që do të na lidhin fizikisht me pjesën tjetër të BE". Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë një interviste ekskluzive për A1 Report, i cili u shpreh se ky është një takim mes rajonit dhe BE nën patronazhin gjerman, i cili synon të forcojë bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve. Siç thekson Ministri ky bashkëpunim synon përafrimin e rajonit drejt BE-së, me shpresën se dy pjesë të Europës do të njësohen gradualisht.

Sipas Bushatit është e nevojshme një lidhje fizike e vendeve të rajonit, dhe pikërisht këtë synon të sjellë edhe konferenca e Ballkanit e cila do të mbahet më 28 gusht. Kjo sipas tij do të vihet re edhe në qëndrimet njësuara të vendeve të rajonit në këtë samit, ku si pikë e përbahkët do të jetë lidhja fizike me Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, edhe takimi që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në Dubrovnik me homologët e tij të Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës,ka si synim koordinimin e qëndrimeve sa i përket lidhjes fizike të rajonit me BE, që ka të bëjë kryesisht me infrastrukturën dhe ekonominë. 

bushati

"Është një takim ndërmjet rajonit dhe BE nën patronazhin mund të thuhet, gjerman që synon për të stimuluar një proces më të përforcuar bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve tona me synim afrimin e tyre drejt bashkimit Evropian. Kur flas për një bashkëpunim më të përforcuar nuk kam parasysh thjesht bashkëpunimin thjesht në këndvështrimin politik por gjithashtu kam parasysh realizmin e disa projekteve infrastrukturore të rëndësishme që do ta lidhnin fizikisht këtë pjesë të Evropës me pjesën tjetër që është zyrtarisht pjesë e bashkimit Evropian. Pala shqiptare e ka gjykuar dhe ka vlerësuar me gjithë seriozitetin e duhur këtë përcaktim që i është bërë Shqipërisë në ndarjen e roleve në këtë konferencë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, duke u nisur nga fakti që Shqipëria mban presidencën e vendeve që janë në procesin e Europës juglindore, dhe përparojë kryeministri Rama është drejtues i kësaj nisme. Shqipëria është një vend që këtë vit ka marrë statusin kandidat, pra përbën lajm në raport me vendet e tjera të rajonit." theksoi Bushati gjatë intervistës dhënë për A1 Report.

bushati

Duke vijuar më tej, Bushati foli edhe për stabilitetin në rajon dhe rolin që ky samikt ka. Ministri i Jashtëm shprehet se Shqipëria është cilësuar si një spirancë stabiliteti në rajon, ndërsa shtoi se vendi ynë e sheh gjithashtu këtë takim edhe si motiv për thellimin e stabiliteti në rajon.

Në këtë drejtim, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se Shqipëria ka vullnet të qartë përsa i përket politikës së jashtme, duke shtuar se në këtë drejtim vendi ynë, ka demonstruar vokacion europian.

"Është një vend që ka demonstruar një vullnet të qartë dhe vokacion evropian përsa i përket politikës së jashtme me njësimin e qëndrimeve me bashkimin evropian për të gjitha krizat ndërkombëtare sidomos të Ukrainës dhe raportin Evropian të tendosur disi me Rusinë dhe gjithashtu Shqipëria është një spirancë le të themi stabiliteti demokratik në rajon, ku rrezen e sajë të veprimit e ka përdorur në funksion të stabiliteti demokratik të rajonit dhe avancimit të rajonit, avancimin e rajonit jo thjesht në procesin e integrimit evropian por mbi të gjitha edhe në procesin e ripajtimit. Në këtë kontekst konferenca e përbashkët e shtypit e kancelarës, kryeministrit dhe presidentit i komisionit evropian. Unë jam shpresë plote qe do jape mesazhe jo vetëm për popullin shqiptar po për të gjithë rajonin dhe bashkimin evropian, se si kto dy pjesë të Evropës do të njësohen fizikisht gradualisht ne dekatën që do vijë. Shqipëria e sheh këtë si motiv për të thelluar kursin e konstruktivitetin e sajë në rajon dhe spirancën e stabilitetit për ta transformuar gradualisht në një spirancë zhvillimore të këtij rajoni dhe siq e thash pak më parë në lidhjen fizike që mungon të rajonit me BE" u shpref shefi i diplomacisë për A1 Report

bushati

Samiti i NATO, Bushati: Diskutohen problemet e kufinjve lindorë të Evropës, janë 4 aspirantë, ku 3 prej tyre vende të rajonit
Ministri Bushati u pyet edhe lidhur me samitin e radhës të NATOS që do të mbahet në Uells, i cili u shpreh se në këtë samit pritet të diskutohen problematikat lidhur me kufnjtë lindorë të Europës. Sipas Bushatit, situata aktuale e ka vendosur Aleancën e Atlantikut të Veirut përballë sfidave të tilla të cilat do të diskutohen për t’i dhënë një përgjigje të përbashkët nga vendet anëtare.

Sa i përket diskutimeve për anëtarësimin e vendeve të reja në aleancë, Bushati  u shpreh se aktualisht janë 4 aspirantë, nga të cilët 3 prej tyre janë vende të rajonit. 

Intervista për "A1 Report"

Si shihet kjo konferencë për Shqipërinë dhe çfarë do të sjellë ajo?
Kjo është një konferencë e cila po organizohet nga Gjermania në lidhje me Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e një pjese të mirë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, vende të cilat kanë një peshë specifike në rajonin tonë, vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor dhe institucionet kryesore ndërkombëtare. Është një takim ndërmjet rajonit dhe BE-së nën patronazhin gjerman, që synon për të stimuluar një proces për të përforcuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona me synim afrimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Kur flas për një bashkëpunim më të përforcuar nuk kam parasysh thjesht bashkëpunimin në këndvështrimin politik, por gjithashtu kam parasysh ravijëzimin e disa projekteve infrastrukturore të rëndësishme që do ta lidhnin fizikisht këtë pjesë të Europës me pjesën tjetër që është zyrtarisht anëtare e BE.

Për këto projekte që ju sapo thatë tani a mund të na thoni kush do të jetë pjesë e këtij diskutimi, cili projekt do të dojë më shumë rëndësi në këtë tryezë në këtë konferencë kaq të rëndësishme që pritet të zhvillohet në 28 gusht?
Kjo është një çështje e cila do të diskutohet në konferencë por nuk besoj se do të përfundojë brenda diskutimit të kësaj konference, sepse pala gjermane në bashkëpunim me të gjithë vendet pjesëmarrëse të sigurojë një proces që vitin tjetër ndoshta do jetë një tjetër vend anëtar i BE që do të këtë iniciativë. Pra për të siguruar vazhdimësinë e bashkëpunimit politik, ekonomik, dhe vazhdimësinë e sinkronizimit të qëndrimeve dhe instrumenteve me institucionet e tjera financiare. Por është e rëndësishme të kuptojmë që të gjitha vendet gjejnë si pikë të përbashkët interesin për t’u lidhur fizikisht sa më mirë me BE. këtu janë përqendruar edhe energjitë e Shqipërisë. Edhe konsulta e sotshme që kryeministri Rama do të ketë me kryeministrin kroat, boshnjak dhe malazez, apo konsulta që shkoi nga takimi i Ramës me kryeministrin Thaçi, sikundër edhe konsultat që unë kam patur mundësi të bëj si ministër i punëve të jashtme me homologët e tjerë të rajonit. Është një parapërgatitje e cila do të kulmojë në samitin e Berlinit, por që nuk do të përfundojë aty.

Përfaqësimi i kryeministrit Edi Rama në këtë konferencë në krah të kancelares Angela Merkel, çfarë do të thotë për Shqipërinë? A na jep ne më shumë përgjegjësi, a na jep ne më shumë siguri nga Gjermania?
Pala shqiptare e ka gjykuar dhe e ka vlerësuar me gjithë seriozitetin e duhur këtë përcaktim që i është bërë Shqipërisë në ndarjen e roleve në këtë konferencë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse duke u nisur nga fakti që Shqipëria mban presidencën e vendeve që janë në pjesën e Europës Juglindore. Për pasojë kryeministri Rama është drejtues i kësaj nisme. Shqipëria është një vend që këtë vit ka marrë statusin e vendit kandidat, dhe kjo përbën lajm në raport me vendet e tjera të rajonit. Është një vend që ka demonstruar një vullnet të qartë dhe vokacion evropian përsa i përket politikës së jashtme në njehsimin e qëndrimeve me Bashkimin Europian për të gjitha krizat ndërkombëtare, e sidomos për rastin e Ukrainës, dhe raportin e BE të tendosur disi me Rusinë. Gjithashtu Shqipëria është një spirancë stabiliteti demokratik në rajon, ku rrezen e saj të veprimit e ka përdorur në funksion të stabilitetit demokratik të rajonit dhe avancimit të rajonit, jo thjesht në procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha me procesin e ripajtimit. Në këtë kontekst konferenca e përbashkët e kancelares, kryeministrit dhe presidenti të Komiisonit Wvropian, unë jam shpresëplotë se do të japë mesazhe jo thjesht për popullin shqiptar, por për gjithë rajonin dhe BE, sesi këto dy pjesë të Europës do të njehsohen fizikisht gradualisht në dekadën që do të vijë.

Dolën zëra nga media të ndryshme që disa nga vendet janë ndjerë keq që zonja Merkel ka zgjedhur kryeministrin Edi Rama për të përfaqësuar në këtë konferencë, ndonëse ju e zgjeruat dhe e shpjeguar me faktin se ne kemi presidencën e radhës. A mund ndikojë kjo edhe tek këto vende në marrëdhënien tonë?
Media është e lirë të bëjë komentet që dëshiron. Besoj se unë flas nën një përgjegjësi institucionale që më krijon pozicioni i ministrit të Punëve të Jashtme, dhe po i referohem bisedave dhe konsultimeve paraprake që janë ndërmarrë me palën gjermane dhe me shtetet pjesëmarrëse. Më lejoni ta ritheksoj në mënyrë edhe më të qartë. Për ne është përgjegjësi, nuk është trofe, si pjesëmarrja në konferencë, ashtu edhe fakti që në ndarjen e detyrave ndërmjet vendeve anëtare një vend do të referojë në x tryezë për y çështje, një vend tjetër do të shfaqet në konferencën e shtypit për konkluzionet përfundimtare, siç është rasti i Shqipërisë. Ne e shohim si përgjegjësi të madhe dhe kemi punuar dhe jemi përpjekur që ta bashkërendojmë këtë proces për së brendshmi, por edhe me aktorë të tjerë rajonale, dhe jo vetëm, sa më mirë të jetë e mundur. Thashë edhe pak më parë, kryeministri Rama do të flasë dhe do të bëjë më të mirën e mundshme për të përfaqësuar rajonin dhe të gjitha sensivitetet që kanë vendet pjesëmarrëse në këtë konferencë dhe nuk do të jetë aty thjesht dhe vetëm një përfaqësues i Shqipërisë. Shqipëria e sheh këtë si një motiv për të thelluar kursin e konstruktivitetit të saj në rajon, dhe spirancën e stabilitetit për ta transformuar gradualisht në një spirancë zhvillimore të këtij rajoni. Dhe siç e thashë edhe pak më parë, edhe në lidhjen fizike që mungon të rajonit me Bashkimin Europian.

Edhe një pyetje sa i takon Samitit të NATO-s. Si do të përfaqësohet Shqipëria atje, dhe ky samit çfarë do të sjellë për Shqipërinë, pasi është mjaft i rëndësishëm. Ne jemi vend anëtar i NATO-s.
Në këtë rast le të themi se ka një interes të shtuar për problematikën me të cilën përballet NATO në kufijtë lindorë të Europës. Por për shkak të rrezikut që vjen nga pjesa jugore, kam parasysh këtu fenomenet dhe ngjarjet e fundit në Irak, Siri, dhe lindjen e mesme. Ky kontekst gjeopolitik e ka vendosur sot për sot aleancën transatlantike përballë sfidave jashtëzakonisht të mëdha, dhe në Samitin e NATO-s do të diskutohen disa prej elementëve kryesore sesi do t’i përgjigjet NATO këtyre sfidave, si përsa i përket sigurimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë hapësirën euro-atlantike, por edhe tek ajo që konsiderohet kopshti apo gardhi i NATO-s në modernizimin e mëtejshëm të organizatës dhe fuqisë ushtarake që ajo ka. Shpenzimet buxhetore për ushtrinë dhe për sigurinë që secili prej aleatëve pjesëmarrës duhet të jetë i angazhuar për veprueshmërinë më të mirë ndërmjet aleatëve, dhe në atë që konsiderohet si lidhja trans-atlantike dhe vlerat që e mbajnë se bashku grupin e shteteve, me politikën e dyerve të hapura sepse nuk duhet të harrojmë se kemi 4 aspirantë për momentin për t’u anëtarësuar në NATO. Tre prej tyre janë në rajonin tonë, dhe Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s dhe njëkohësisht aspirant për në BE, pra në listën e vendeve që janë aspirantë për në BE. E për pasojë ka një pozicion më specifik në këtë proces, për nevojën për të pasur një lidhje më të madhe institucionale ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, duke qenë se ende sot nuk e kemi një raport të tillë. Gjithashtu për nevojën për të diskutuar mbi praninë e trupave ushtarake të aleancës në zona të caktuara të Europës, dhe diskutimet që vazhdojnë në rast se ky stacionim duhet të ketë një karakter më të përkohshëm apo një karakter më të mirëpërcaktuar dhe më të vendosur. Dhe sigurisht në kontributin që vende të caktuara të Aleancës do të japin politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht për operacionet ndërkombëtare dhe për praninë e misioneve në zona të ndryshme të globit. Pra siç shihet ka një numër të gjerë çështjesh që Samiti i NATO-s do të rrokë në nivelin e kryetarëve të delegacioneve, të ministrave të Jashtëm dhe ministrave të Mbrojtjes.

Redaksia Online
(e.s/e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Pagat e reja për Forcat e Armatosura! Nga forcat speciale deri te mjekët e infermierët e ushtrisë, ja shtesat dhe 8 kategoritë që përfitojnë

Pagat e reja për Forcat e Armatosura! Nga forcat speciale deri te mjekët e infermierët e ushtrisë, ja shtesat dhe 8 kategoritë që përfitojnë