Ditmir Bushati:
Është një kënaqësi e veçantë për mua që të mirëpres sot në Shqipëri Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Them kënaqësi e veçantë për disa arsye: e para për faktin që fillojmë një vit kalendarik, 2015-n, me këmbë të mbarë, me një mik siç është Hashim Thaçi; e dyta, kënaqësi e veçantë edhe për vetë rolin dhe kontributin e zotit Thaçi në Kosovë, por edhe në formimin e koalicionit të ri. Me këtë rast do doja të uroja për një punë sa më të mbarë dhe të frytshme, jo vetëm Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Thaçi, por edhe Kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa dhe t’i shprehja, me këtë rast, mbështetjen e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim edhe më të thelluar dhe të përforcuar në këtë vit që po hyn.
 
Ne patëm mundësi të diskutonim dhe të bënim një bilanc të shpejtë të arritjeve dhe të elementëve të cilët duhet të adresohen më mirë që nga mbledhja e Prizrenit, që është zhvilluar më 11 janar të vitit të kaluar, dhe të përgatisim gjithashtu edhe një plan të shkurtër aktivitetesh në lidhje me mënyrën se si do t’i përqasemi mbledhjes së radhës, që do të jetë takimi i dytë mes dy qeverive tona, ku Ministritë e Jashtme kanë një rol bashkërendues.
 
Gjithashtu, patëm mundësi të diskutojmë me zotin Thaçi në lidhje me zhvillimet në rajon. Viti që sapo mbyllëm ishte, në gjykimin tonë, një vit i suksesshëm, jo thjesht për shkak të pozicionimit të qartë të Shqipërisë në rajon, por edhe për shkak të afrimit të Kosovës me një pjesë të rëndësishme të nismave rajonale. Në këtë drejtim diskutuam në mënyrë më të hollësishme hapat që do të duhet të ndërmarrin Shqipëria dhe Kosova, nga Procesi i Berlinit në Konferencën e Vjenës, aq më tepër që Shqipëria ka drejtimin e disa nismave rajonale, të cilat do të përdoren në funksion të objektivit tonë të përbashkët, për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian dhe një ushtrim në mënyrë sa më pozitive të influencës sonë në rajon. Gjithashtu, zoti Thaçi na njohu me hapat që po ndërmerr qeveria e Kosovës në pritje të rifillimit të dialogut me Serbinë, një dialog i cili bazohet në procesin e Brukselit, një dialog i cili ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë mbështetjen tonë të plotë për Kosovën dhe Serbinë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, një dialog i cili do të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve dhe do të ndihmojë njëkohësisht rajonin për një stabilitet më të madh demokratik dhe për një përshpejtim të procesit të integrimit evropian.
 
Siç dihet, Shqipëria dhe Kosova ishin pjesëmarrëse në marshimin e unitetit, që u zhvillua dje në Paris. Në këtë kontekst diskutuam dhe hapat që po ndërmarrin qeveritë dhe institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë për të përballur krimin e terrorizmit dhe ramë dakord të shtojmë bashkëpunimin, jo thjesht ndërmjet nesh, por edhe me instancat e rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë drejtim, evitimi i të gjitha boshllëqeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe një perspektivë më e qartë e të gjitha vendeve të rajonit për anëtarësim të shpejtë në NATO do të ishin një alternativë shumë e mirë për sfidat e arkitekturës së sigurisë evropiane.
 
Do të doja ta mbyllja këtu për t’i dhënë fjalën Zëvendëskryeministrit, z. Hashim Thaçi.
 
Faleminderit edhe një herë tjetër.
 
Hashim Thaci: Faleminderit shumë i nderuar Ministër Bushati, miku im i nderuar. Ndiej kënaqësi të veçantë sot që vizitën time të parë dypalëshe si Ministër i Punëve të Jashtme e zhvilloj në Shqipëri, në takim me Ministrin Bushati, me të cilin kemi bashkëpunuar edhe më herët në shumë angazhime, në veçanti në lidhje me njohjet për Republikën e Kosovës. Kam besim se ky bashkëpunim mes dy qeverive tona do të vazhdojë, si diplomacia e jashtme e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Ishim së bashku edhe dje në Paris në marshin e solidaritetit dhe unitetit në luftë kundër terrorizmit, për të cilën edhe Kosova edhe Shqipëria kanë treguar vendosmëri të fuqishme, duke dëshmuar orientimin e tyre euro-atlantik. Ndërsa sot, kemi diskutuar mbi hapat tona të mëtejshme në bashkëpunimin dypalësh. Siç e tha edhe Ministri Bushati, ne kemi mbajtur mbledhjen e parë të Prizrenit ndërmjet dy qeverive tona. Shpresoj dhe besoj se për çka diskutuam konkretisht do të diskutojmë edhe me KM Rama, që në pjesën e dytë të marsit të mbahet mbledhja tjetër e dy qeverive, e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të parë se deri ku kemi shkuar me zbatimin e atyre gjërave që jemi dakorduar në Prizren dhe natyrisht të marrim obligime të tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional. Gjithashtu, diskutuam sot edhe me Ministrin Bushati për nismat rajonale ku do të përfaqësohet dhe marrë pjesë Kosova, pavarësisht disa pengesave që kemi, por edhe për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale, evropiane e ato ndërkombëtare. Ndërsa, siç edhe dihet, deri tani Kosova  është njohur nga 108 shtete, synimi ynë është që ta rrisim numrin e njohjeve. Kam besim të plotë se do të vazhdojë roli mjaft intensiv dhe dinamik i Ministrit Bushati dhe qeverisë shqiptare në mbështetje të agjendës së Kosovës për rritjen e numrit të njohjeve. Ne diskutuam edhe për çështjen e dialogut që qeveria e Kosovës do të vazhdojë në Bruksel me Serbinë. Mendoj se dialogu është vlera më e lartë e jona, është mesazhi i mirëkuptimit, i tolerancës, i fqinjësisë së mirë si parakusht i domosdoshëm për Kosovën për t’u integruar edhe në NATO edhe në bashkimin Evropian, por natyrisht edhe për paqen e stabilitetin në rajon. Synimi, qëllimi dhe vizioni i Kosovës ka qenë dhe mbetet anëtarësimi në NATO, BE dhe OKB. Pra, sot ky takim është në kuadër të harmonizimit të angazhimeve tona të përbashkëta. Faleminderit shumë.
 
Pyetje: Prania e delegacionit shqiptar dje në Paris u komentua në mënyra të ndryshme, nga disa u pa si një show. Në përbërje të delegacionit ishin 4 përfaqësues të komuniteteve fetare. A  e ka Shqipëria bashkëjetesën fetare një vlerë që mund t’ia shesë Evropës?
 
Ditmir Bushati: Faleminderit për pyetjen. Në radhë të parë do të doja të theksoja edhe njëherë tjetër qëndrimin e qeverisë shqiptare. Delegacioni shqiptar në Paris, si pjesa zyrtare e delegacionit, ashtu edhe klerikët, gazetarët, etj., kanë qenë jashtëzakonisht të mirëpritur nga autoritetet franceze, Presidenti francez, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, si një mesazh i qartë që vjen nga Shqipëria, një popull i përvuajtur në Ballkan në lidhje me nevojën për një bashkëjetesë, një harmoni më të mirë fetare. Këtu nuk bëhet fjalë për të eksportuar vlera, këtu bëhet fjalë për të dhënë një mesazh të qartë i cili është vënë në dukje nga papa Franҫesku gjatë vizitës së tij shtatorin e vitit të kaluar ku ai, besoj, jo pa arsye zgjodhi Tiranën si destinacionin e parë evropian të vizitës së tij, për të vënë në dukje pikërisht këtë meritë të madhe të popullit shqiptar, të cilën ne duhet ta mbështesim dhe ta stimulojmë me aq sa kemi mundësi.
 
Pyetje: Nisi sot një vizite tre ditore e Kryministrit serb Vuçiç në Kosovë. Çfarë pritet të sjelle kjo vizitë në marrëdhëniet Kosove - Serbi?
 
Hashim Thaҫi: Vizita e kryeministrit të Serbisë në Republikën e Kosovës bëhet me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pasi ka kërkuar leje. Kjo nuk është vizita e parë e as e fundit e ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Këto vizita po ndodhin pas dialogut që ka ndodhur  në Bruksel dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe kjo vizitë po ndodh pas vizitave të ministrave të qeverisë  së Republikës së Kosovës  në Beograd, Ministrit  të Drejtësisë, Ministrit të Jashtëm, Ministrit të Brendshëm. Këto janë vizita tashmë gati normale, të zakonshme të dy shteteve edhe pse jo të njohura reciprokisht. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar, do të përurohet një spital dhe do të vizitohet një kishë në Graçanicë. Mendoj se ne duhet të fokusohemi që ta rrisim dhe intensifikojmë komunikimin, vizitat e ndërsjella dhe në asnjë rrethanë të mos i frikësohemi komunikimit dhe vizitave, qoftë në Beograd, qoftë në Prishtinë.
 
Pyetje: Ju lutem një reagim në lidhje me emigrimin e paligjshëm  të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të perëndimit, por edhe në Shqipëri.  Kohët e fundit ka pasur klandestinë nga vendet e lindjes së mesme dhe të largët që kanë shfrytëzuar ose janë përpjekur ta shfrytëzojnë territorin shqiptar. Si e shikoni këtë problematike në sensin e sigurisë rajonale dhe të marrëdhënieve në këtë kontekst?
 
Hashim Thaçi:  Largimi i njerëzve nga Kosova në drejtim të perëndimit, në fakt i disa individëve, është debatuar dhe diskutuar këto ditë në Kosovë. Mendoj se ka qenë shqetësim i të gjithëve dhe jemi duke punuar për parandalimin e kësaj lëvizjeje, por dua të them se Kosova, si shtet i ri, ballafaqohet me fenomenin e njëjtë të të gjitha shteteve të rajonit, si Shqipëria, Serbia, Maqedonia apo edhe vendet e tjera që kanë qenë në procesin integrues evropian, prandaj tani synimi ynë, angazhimi ynë maksimal, i të gjithë shtetit të Kosovës, është parandalimi i këtij fenomeni dhe kur dihet se asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian nuk pranon azilantë të rinj. Kështu që do të mundohemi maksimalisht për t’i krijuar kushte më të mira edhe për punë edhe për jetë më të mirë shqiptarëve në Republikën e Kosovës.
 
Ditmir Bushati: Faleminderit për pyetjen ndonëse në gjykimin tim u trajtuan dy çështje që jo domosdoshmërish kanë lidhje me njëra tjetrën. Për sa i përket pjesës së parë të pyetjes, për mundësinë apo frikën për largimin e qytetarëve nga Kosova për në perëndim apo në vendet e hapësirës Schengen, ne besojmë dhe mbështesim pikëpamjen që procesi i liberalizimit të vizave, jetësimi i këtij procesi me Kosovën, është tashmë një proces i vonuar që duhet të kishte ndodhur dhe besojmë se përveç se ndihmon Kosovën në procesin e shtet-ndërtimit demokratik për të gjithë ato fusha që lidhen me lëvizjen e lirë të personave, ky proces u vërtetua që ishte një histori suksesi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e në këtë drejtim nuk ka dhe nuk përbën përjashtim as për Kosovën. Për sa i përket spekulimeve që bëhen me përfitime për azil në vende të caktuara të Bashkimit Evropian, rruga më e mirë, përveç se bashkëpunimit ndërmjet strukturave ligj zbatuese të vendeve tona me vendet e Bashkimit Evropian, është edhe komunikimi me qytetarët, komunikimi me operatorët turistikë, komunikimi me autoritetet vendore, komunikimi, komunikimi, komunikimi. Në lidhje me klandestinët të cilët tentojnë të përdorin territorin për të ardhur nga Lindja e Mesme në Evropë mund t’ju them duke ju referuar jo thjesht lajmeve që jep media por të dhënave dhe statistikave qe ofron vetë Bashkimi Evropian, ka vende brenda BE-së që janë pjesë e Mesdheut të cilat janë shumë herë më të prekura nga ky fenomen se Shqipëria por kjo nuk e ka bërë Shqipërinë që të jetë imune, çka do të thotë që bashkëpunimi jone, kryesisht me vendet e Mesdheut, ka qenë një bashkëpunim i zhdërvjelltë për ta parandaluar këtë fenomen në përputhje me kontratën që ka Shqipëria, në qoftë se do ta quaj kështu, me Bashkimin Evropian në procesin e liberalizimit të vizave.
 
Pyetje: Z. Thaçi, ju keni ardhur në Tiranë në momentin kur Kryeministri i Serbisë gjendet në Kosovë. Cila është domethënia e vizitës suaj në Shqipëri. Gjithashtu, keni ardhur në Shqipëri si Kryeministër, si Ministër i Jashtëm dhe pritet që pas dy vitesh të vini si president. Të paktën kjo është ambicia. Si do të realizohet marrëveshja qeveritare për të mundësuar postin e Presidentit mbas dy vjetësh?
 
Hashim Thaҫi: Nuk kemi agjendë të njëjtë me kryeministrin e Serbisë, ai ka agjendën e vet ne kemi agjendën tonë, jemi dy shtete të veçanta, dy shtete të pavarura, theksova dhe më herët tani më vizitat që ndodhin  janë krejt normale krejt të zakonshme, të vullnetit të mirë, të bashkëpunimit, të cilësisë, të mesazhit evropian, mesazhit euro-atlantik. Natyrisht se ka  edhe deklarata që  nuk pëlqehen as në Beograd, as në Prishtinë as në Tiranë, Podgoricë apo Shkup, por sido që të jetë ne jetojmë në këtë rajon  dhe duhet të punojmë bashkërisht për kalimin e problemeve të së kaluarës  dhe vazhdimin e një të ardhme të sigurt evropiane dhe pikërisht do jenë edhe mesazhet tona edhe të Tiranës edhe të Prishtinës dhe mendoj se mesazhet tona kanë qenë më të urta dhe në të njëjtën kohë të pranueshme, afruese dhe mirëkuptuese që kanë rritur dhe tolerancën por edhe solidaritetin e popujve të rajonit. Desha të theksoj se për sa i përket  angazhimeve të tjera në Kosovë ato janë vendime të vullnetit të lirë të partive politike, koalicioni aktual është koalicion  i vullnetit të mirë, është koalicion i vullnetit të spektrit politik, është i shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, është një koalicion i madh për të mirën e Kosovës, një koalicion i stabilitetit, një koalicion që ka integruar të gjitha komunitetet që jetojnë në vend, një koalicion që është për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës. Ndërsa  se çfarë është përgjegjësia dhe pozicioni  politik, e kam vizituar Tiranën, unë e kam vizituar Tiranën edhe si qytetar i thjeshtë por edhe me përgjegjësi politike. Gjithmonë jam ndjerë tepër mirë dhe  krenar në Tiranë pavarësisht edhe si njeri i politikës, por mbi të gjitha si qytetar.
 
Pyetje: Z. Bushati, ju keni qenë kujdestar i mbajtjes së mbledhjes së përbashkët Prizren plot një vit më parë, njëherësh dhe si supervizor i partneritetit strategjik Shqipëri – Kosovë. Që ta themi figurativisht, a jeni ju i kënaqur me rendimentin dhe cilësinë e punës se dy qeverive?
 
Ditmir Bushati: Ju faleminderit për pyetjen, megjithëse më bëtë kujdestar, supervizor dhe tani duhet të jap komente apo vlerësime për qeverinë në të cilën unë bëj pjesë. Së pari më duhet të them që partneriteti strategjik dhe mbledhja e përbashkët ndërmjet dy qeverive tona, besoj se për ne ishte risi, pavarësisht se nuk është risi në botën moderne, por ishte shprehje e vullnetit dhe dëshirës së qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për të pasur një bashkëpunim më strategjik, më të përforcuar dhe një orientim se si do të rritet pesha e faktorit shqiptar në funksion të stabilitetit demokratik tw rajonit dhe perspektivës së qartë euro-atlantike. Ka fusha në të cilat ky bashkëpunim ka qenë i zhdërvjelltë gjatë këtij viti që shkoi. Në rast se do të numëroja këtu përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat më të rëndësishme të rajonit, pra aty ku janë aktorët kryesorë të rajonit në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kemi qëndrim jashtëzakonisht të koordinuar ndërmjet dy qeverive tona për sa i përket mbajtjes së qëndrimeve, njësimit të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës me atë të partnerëve tanë strategjikë në këto kohë krize. E theksoj këtë gjë sepse shpesh ky fakt merret i mirëqene, por në rast se do të shohim sot rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova dhe ndonjë shtet tjetër ka qenë në këtë drejtim. Jo të gjitha vendet e rajonit kanë pasur këtë qasje. Së treti, niveli i shkëmbimit të  vizitave, kalendari i përbashkët kulturor dhe projektet e para për ta kthyer hapësirën ndërkufitare në qendër gravitacionale të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, na krijojnë mundësinë për të shkuar në mbledhjen e marsit, siç e tha dhe Kryeministri Thaçi, me një bilanc arritjesh, por gjithashtu për ta parë me sy më kritik por edhe më gjakftohtë orientimin tonë për vitin e ardhshëm. Folëm në fillim të konferencës së shtypit për procesin e Berlinit dhe për atë se si do t’i qasemi ne Vjenës dhe ne duhet të jemi shumë të qartë. Kërkojmë që të ketë një bashkëpronësi në të gjithë këtë proces dhe një akordim të qartë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, jo si kërcënim ndaj askujt, por si një realitet i cili ndihmon stabilitetin demokratik në rajon, e theksoj, dhe përshpejton ardhmërinë euro-atlantike.
 
 
Pyetje: Z, Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë vizitës në Beograd, ka kërkuar që shqiptarët e luginës së Preshevës të kenë të drejta të njëjta si serbët, madje ka thënë se nuk do reshtë së punuari për këtë qëllim. Po qeveria e Kosovës a do të avancojë lidhur me këtë çështje, pikërisht në bisedimet Prishtinë- Beograd që do të mbahen së shpejti?
 
Hashim Thaҫi: Për sa i përket pyetjes suaj konkrete, për sa i përket Preshevës dhe qëndrimit të Kryeministrit Rama, ne kemi diskutuar me Kryeministrin Rama dhe në kohën para ndërtimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, me rastin e vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd, i cili tha atë që duhej të thoshte edhe në Beograd edhe në Preshevë. Ka mbetur vetëm të rritet koordinimi mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyre që të mbështeten këto iniciativa dhe të realizohen.
 
Pyetje: A keni ndonjë informacion të grumbulluar nga përfaqësuesit tanë diplomatikë mbi rrezikshmërinë e elementeve që lidhen me terrorizmin? A keni shkëmbyer këtë informacion edhe mes jush?
 
Ditmir Bushati: Kjo nuk është një çështje thjesht dhe vetëm e përfaqësuesve tanë diplomatikë. Mund t’ju them që ka një bashkëpunim të shkëlqyer ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe institucioneve të Kosovës, jo thjesht në nivel qeverie apo të shërbimit të jashtëm, por në fushën e inteligjencës, në fushën e institucioneve, të zbatimit të ligjit dhe besoj se të paktën shpreh opinionin e institucioneve partnere me të cilët ne punojmë për gatishmërinë ekzemplare që kanë ofruar autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës për ta përballur këtë fenomen me dinjitet dhe në respekt të normave ndërkombëtare, rendit kushtetues. Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë që ndodhesha në të njëjtën tryezë me Ministrin e Jashtëm Hoxhaj, ne tryezën e organizuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry me mbi gjashtëdhjetë shtete, në selinë e NATO-s, të cilat janë pjesëtare të koalicionit anti-terror dhe një pjesë e të cilave, për shkak edhe të përkatësisë së tyre në OKB, janë bashkë-sponsorizuese edhe të rezolutës kundër terrorizmit, rezolute e cila ka detyrime të nivelit shtetëror por edhe të nivelit ndërkombëtar për të gjithë pjesëmarrësit.
 
Hashim Thaҫi: Do theksoja se bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë në të gjitha sferat institucionale është i shkëlqyer, edhe për sa i përket aspekteve të sigurisë. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë e fuqishme në luftën globale kundër terrorizmit. Ndihem tepër mirë edhe shumë krenar qe Kosova sot vlerësohet prej miqve ndërkombëtarë si lider në luftën kundër terrorizmit. Ne kemi dëshmuar edhe me hapa konkretë, me operacionet që kemi ndërmarrë kundër elementëve të dyshuar, me bazë të dyshuar për aktivitete terroriste dhe ky zotim dhe kjo vendosmëri e institucioneve të Republikës së Kosovës është bërë në të mirën e paqes, stabilitetit edhe të Kosovës edhe të rajonit dhe në bashkëpunim të ngushtë natyrisht dhe me Shqipërinë por edhe vendet të tjera, me miq të tjerë ndërkombëtarë. Diçka e tillë do të vazhdojë në të ardhmen dhe jemi të vendosur që të kemi zë dhe tolerance ndaj fenomeneve të tilla.
 
Pyetje: Cili është synimi dhe pritshmëria juaj nga takimi trepalësh Serbi-Itali-Shqipëri, që do të mbahet në datën 23 janar në Romë dhe si do ta komentonit deklaratën e homologut tuaj serb se Bashkimi Evropian po sillet me dy standarde në raport me integrimin e vendeve të Ballkanit, konkretisht Shqipërisë dhe Serbisë, në qasjen e Brukselit ndaj këtyre vendeve?
 
Ditmir Bushati: Besoj se ka deklarata të cilat duhen marrë më me qetësi dhe ka dhe deklarata që bëhen thjesht dhe vetëm për konsum te brendshme. Dje në Paris unë pata mundësinë që të takohesha dhe me homologun serb i cili, nga biseda, kuptova që mezi priste trilateralin e ofruar nga Italia. Besoj se politika e jashtme shqiptare, pavarësisht qëndrimeve mediatike që mund të vijnë nga homologe apo nga shtetet e tjera, do të mbetet e pandryshuar në nevojën për një bashkëpunim të mirë rajonal dhe për një raport më të normalizuar marrëdhëniesh ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Takimi trepalësh i organizuar nga Italia besoj se do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi, duke pasur parasysh raportet që dy vendet tona kanë dhe raportet që dy vendet tona kanë jo thjesht ndaj Italisë por edhe ne rajon. Për sa i përket më pas qëndrimit të homologut serb në lidhje me standardet e dyfishta, që sipas tij BE-ja aplikon ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, me lejoni të theksoj që është një aspirate mbarë popullore për ne anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për pasojë, unë nuk do të kisha luksin që të komentoja për një aspiratë dhe vokacion kaq të madh që kanë shqiptarët.