Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi është konfirmuar në detyrë, pas përballjes me vettingun në të tre kriteret e rivlerësimit.

Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për prokurorin Ajazi kryesohej nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Më 26 mars 2021, Ajazi u caktua nga Këshilli i Lartë i Pokurorisë si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3 vjeçar.

Gjatë seancës dëgjimore të premten nuk u evidentuan probleme domethënëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërkohë që prokurori Ajazi u pyet dhe dha shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij.

Nga hetimi administrativ i kryer prej Komisionit për profesionalizmin është konstatuar se vendimet e marra nga prokurori Ajazi janë lënë në fuqi.