Leja e ndërtimit e marrë në vitin 2019, dëshmon qartë se pallati në rrugën “Llukë Kaçaj”, pranë QSUT-së në Tiranë, duhet të kishte një maksimum prej 9 katesh mbi tokë. Kompania ndërtuese ishte Mirson 2A e Mirsim Jellës, i cili më pas e ka transferuar atë te një tjetër ndërtues, Adriatik Shtrëmbari.

Nuk është e qartë se kur ka ndodhur ky kalim, por fakt është se aktualisht, në vend të 9 kateve, pallati numëron 12, ndonëse kati i fundit, ende i papërfunduar. Të tre katet shtesë rezultojnë pa leje, sipas një njoftimi të bërë nga Policia dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, të cilat vendosën dhe konfiskimin e të gjithë godinës.

Sipërfaqja totale e ndërtimit në kundërshtim me ligjin, konstatuar në terren pas matjeve, është 2550 m2, e cila nëse do të llogaritej me një çmim prej 1500 euro për metër katror, përkthehet në mbi 3.8 milionë euro.

Tejkalimi i lejes i konstatuar është mbi 20% i sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore. Ndryshimet ligjore të tetorit të vitit të kaluar të miratuara përmes një Akti normativ, parashikojnë qartë se kur sipërfaqja e ndërtimit pa leje e kalon 10 përqind të sipërfaqes mbi dhe nën tokë, atëherë i gjithë objekti konfiskohet për interes publik.

Katet pa leje dyshohet se janë ngritur që në vitin 2024. Zyrtarisht, policia thotë se për këtë objekt janë konstatuar edhe herë të tjera shkelje nga ana e Komisariatit nr. 4, të cilat janë referuar në prokurori.

Të dhënat e siguruara nga Report TV, zbulojnë se thuajse të gjithë apartamentet rezultojnë të shitur. Ndërtimi i pallatit nuk ka përfunduar ende, e megjithatë disa nga apartamentet janë tashmë të banueshme. E paqartë mbetet situata me blerësit, të cilët rrezikojnë të përfshihen në procese gjyqësore që t’u njihet pronësia.

AMP ka referuar në prokurori dy efektivë për shpërdorim detyre, një specialist dhe një ndihmës specialist.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:32
3 katet pa leje në pallatin pranë QSUT, AMP referon dy efektivë në prokurori për shpërdorim detyre

1777974084_1760792868amp.jpg

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës materialet hetimore për dy punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre.

Bëhet fjalë për ndihmës specialistin me iniciale K.M. dhe një specialist me iniciale S.K, nga komisariati nr. 4.

Pas verifikimeve në pallatin në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, janë ndërtuar 2 kate banimi më tepër nga sa parashikon leja, ndërsa një i tretë është ende i papërfunduar.