Gjatë kësaj vizite, Koni, zhvilloi takime me autoritetet më të larta shtetërore të Prishtinës, ku kërkoi thellimin e bashkëpunimit universitar. Në këtë kuadër, Rektori i Universitetit të Tiranës u prit fillimisht në një takim të ngrohtë dhe vëllazëror nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, Koni shprehu vlerësimet më të larta për Presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës dhe i bëri të ditur se destinacioni i vizitës së tij të parë, menjëherë pas marrjes së detyrës si Rektor i Universitetit më të madh publik në Shqipëri, por edhe universitetit më me zë dhe ndikim në mbarë hapësirën shqiptare, ishte Prishtina.
Rektori i Universitetit të Tiranës e informoi Presidentin Thaçi për iniciativën e tij dhe të institucionit që ai drejton, për të nënshkruar një marrëveshje konkrete bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës e cila do të sjellë përfitime afatgjata për studentët, trupën akademike, shoqërinë dhe ekonominë, për kombin dhe në hapësirat shqiptare.
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falenderoi delegacionin e Universitetit të Tiranës për vizitën në Kosovë.
Thaçi kërkoi që bashkëpunimi midis dy universiteteve të rritet dhe të forcohet edhe më tej dhe të dyja universitetet duhet të punojnë shumë në këtë drejtim. Gjithashtu, ai shprehu kënaqësinë që midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi si dhe garantoi mbështetjen e tij të plotë personale dhe të institucionit që ai drejton për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Presidenti theksoi se kishte shumë besim që ky bashkëpunim do të jetë fitimprurës për profesorët, studentët dhe shoqërinë e dy vendeve.
“Bota akademike dhe universitetet kanë luajtur një rol parësor në zhvillimet e mëdha demokratike si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Rritja e cilësisë së kërkimit shkencor dhe standardeve në auditore përkthehet në shoqëri sa më demokratike, solide, dhe me ndikim në zhvillimin ekonomik” - theksoi Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni gjatë takimit me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Ai shtoi se në këtë kuadër Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë sa më pranë njëra-tjetrës për t’u përballur sa më mirë me sfidat që paraqiten dhe t’i tejkalojnë ato me sukses.
Në këtë takim, Mynyr Koni shoqërohej nga Zv. Rektori, Shezai Rrokaj si dhe nga gjashtë dekanët e fakulteteve të UT-së.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)