Kopliku: E vërteta e incidentit të
tim biri me eskortën e Berishës

Kopliku: E vërteta e incidentit të<br />tim biri me eskortën e Berishës
TIRANE- Bashkim Kopliku, ish-funksionar i lartë i PD-së në vitet 1992-1995, e cilëson incidentin e të birit me eskortën e kryeministrit Berisha si një “parakalim të gabuar”. I kontaktuar në telefon nga MAPO, Kopliku tha se ditën e ngjarjes kishte qenë në malin e Korabit, ku telefoni nuk ka valë.

 “Unë kam qenë në majë të malit të Korabit dhe atje edhe telefoni nuk kap. Gjithsesi, çfarëdo lloj gjëje që të ketë ndodhur dhe sido që ka ndodhur, kjo ngjarje nuk përbën ngjarjen më të rëndësishme për të cilën ka nevojë të informohet publiku shqiptar”,-tha Bashkim Kopliku. Mbrëmjen e së dielës, djali i tij 33-vjeçar, Romir Kopliku, ndoqi për 20 kilometra eskortën e kryeministrit Berisha, duke cenuar kështu masat e sigurisë në lëvizjen e personaliteteve shtetërore. Por Bashkim Kopliku pohon se ajo është një incident banal, duke pranuar kështu ngjarjen e nisur në Vorë dhe të përfunduar në Tiranë, me shoqërimin e të birit në mjediset e policisë.

“Ajo është një ngjarje banale, kur një person ka tentuar të kryejë një parakalim të gabuar ndaj një eskorte dhe kaq”,- tha Kopliku për MAPO-n. I pyetur nëse ishte në dijeni për ndëshkimin e të birit me heqjen e patentës për drejtim në gjendje të dehur, Kopliku thotë se nuk është në dijeni për një fakt të tillë. “Nëse autoritet policore kanë vendosur të bëjnë një gjë të tillë dhe nëse kanë konstatuar se ka pasur shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kanë bërë shumë mirë që e kanë hequr patentën”, – shtoi ai. Ish-zv.kryeministër në vitin 1995, Kopliku nuk ka dhënë asnjë motiv për incidentin e shkaktuar nga i biri, pasi, sipas tij, nuk ka pasur ende mundësi të diskutojë me të mbi ç’ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. Megjithatë, ai e cilëson ngjarjen si pa asnjë lidhje me politikën apo me ndonjë funksionar politik në vend. Në të vërtetë, djali i Bashkim Koplikut u bë protagonist i incidentit me eskortën e Berishës, gjatë kohës që ky i fundit po kthehej nga Durrësi në Tiranë. I shoqëruar nga disa vajza në makinë dhe në gjendje të dehur, Romir Kopliku tentoi për më shumë se 20 kilometra të thyente eskortën që shoqëronte kryeministrin Berisha. Ai është mbajtur nën kontroll nga makina e fundit në eskortë, e drejtuar nga funksionarë të policisë rrugore, ndërsa përpjekjet për ta ndaluar atë në dy postblloqe të ngritura në autostradë kanë dështuar. Incidenti ka shkaktuar panik te punonjësit e Gardës dhe të policisë, të cilët fillimisht kanë dyshuar për ndonjë akt kundër Kryeministrit. Por gjithçka është sqaruar me ndalimin e Romir Koplikut në afërsi të stadiumit “Dinamo”, në gjendje krejt të dehur. Çështja është hetuar fillimisht nga agjentët e Antiterrorit, të cilët kanë vendosur ta lënë me kaq, pa nisur një procedim penal për 33-vjeçarin. Prokuroria e Tiranës konfirmoi dje se asnjë kallëzim nuk ka mbërritur në emër të Romir Koplikut, ndëshkimi i vetëm ndaj të cilit duket se ka qenë heqja e patentës për drejtim makine në gjendje të dehur.

Shkrimi u publikua në gazetën MAPO, 28 shtator 2012
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gati kallëzimi i ri për Sali Berishën në SPAK, avokati Beqiri: Falsifikoi datën e lindjes

Gati kallëzimi i ri për Sali Berishën në SPAK, avokati Beqiri: Falsifikoi datën e lindjes