Një urë mes trashëgimisë kulturore korçare dhe bashkëkohësisë, që do të sjellë në qytet mbi 150 artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Kroacia dhe Greqia do të jetë Festivali Ndërkombëtar i Bandave Frymore, “Airbeat Festival”. Festivali vjen për herë të parë dhe do të çelet me ekspozitën “Retro Korça”, ku do të prezantohen instrumente frymore të rralla, fotografi historike dhe personalitete që kanë lënë gjurmë në këtë traditë, ndërsa rrugët e qytetit do të gjallërohen nga marshime dhe performanca të bandave pjesëmarrëse.
“LuluFest”, një homazh për artistin legjendar korçar të muzikës frymore, Lulushin, simbol i artit dhe pasionit për tingujt e bandave është menduar të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme të festivalit, më 25 tetor. Sipas nënkryetares së Bashkisë së Korçës, Benila Themeli, festivali shihet si një mundësi për të zgjeruar ofertën turistike të qytetit dhe për të forcuar imazhin e Korçës si qendër e rëndësishme e artit dhe kulturës në rajon.
“Mbështetja e këtij festivali në traditën e bandës së njohur ‘Vatra’ dhe që përkon jo rastësisht edhe me një ditë të rëndësishme për Korçën, që është dita e çlirimit, e cila do t’ia disafishojë vlerën festivalit.”, tha Themeli.
Drejtori artistik i festivalit, Ilir Kodhima, ka sjellë një përzgjedhje elitare formacionesh muzikore që pritet të ofrojnë performanca të nivelit të lartë, përfshirë bandën e Forcave të Armatosura, një kuintet nga Selaniku, si dhe orkestra nga Tirana, Kroacia, Italia dhe Kosova. Qyteti do të shndërrohet për tri ditë në një skenë të hapur ku muzika frymore do të ndërthuret me historinë, edukimin dhe turizmin kulturor.
“Airbeat Festival – LuluFest” vjen jo vetëm si një festë e artit, por edhe si një homazh për trashëgiminë muzikore të qytetit, për bandën “Vatra” dhe për brezat që e kanë mbajtur gjallë këtë traditë.
“Ky festival është shumëdimensional në fushën e artit pasi në mesin e tij ka masterklasë në oboe, klarinetë, fagot, flaut dhe korno, duke iu dhënë të rinjve qasje ndryshe në instrumentet e tunxhit, pse jo të kthehemi siç ka qenë 100 vjet më parë me bandën e Korçës apo bandën ‘Vatra’”., tha drejtori i festivalit, Ilir Kodhima.
Festivali i shtohet aktiviteteve të mëdha që tashmë janë bërë pjesë e kalendarit kulturor të qytetit, duke synuar që në vitet e ardhshme të kthehet në një brand identifikues të Korçës dhe në një pikë takimi për dashamirësit e muzikës frymore nga mbarë rajoni.
Komente











