Federata holandeze e futbollit ka ndërmend që të mbyllë sezonin futbollistik në Eredivisie pasi qeveria ka zgjatur ndalimin e zhvillimit të evenimenteve të rëndësishme deri në fillim të muajit shtator për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në këtë moment Ajax dhe Az Alkmar janë në kryesimin e kampionatit holandez pas 26 ndeshjeve të zhvilluara me Ajax që ka golavarazh më të mirë.
KNVB pra federata holandeze ka bërë një komunikim për shtyp ku ka shprehur idenë e saj se nuk do të vazhdojë që të luhet edhe më tej edicioni 2019-2020 por ka shtuar se do të marrë edhe mendimin e UEFA-s përpara se të marrë një vendim përfundimtar. Po ashtu në këtë komunikatë thuhet se arsyeja e vetme që Federata ende nuk e ka ndërprerë përfundimisht këtë sezon është kriza financiare e sportit në kohën e pandemisë. Klubet e Eredivisie do të kenë një mbledhje të premten për të diskutuar pasojat e vendimit që do të merret ndërsa fushat e stërvitjes do të hapen duke zbatuar rregulla strikte në mënyrë që lojtarët të rikthehen normalisht në punë.
Përgatiti Andi Kapxhiu