TIRANË- “Nuk ka gjë më të dhimbshme se pamundësia për t'u ardhur në ndihme familjarëve dhe të afërmëve të sëmurë”...

Me këtë fjali, kryedemokrati Lulzim Basha zgjodhi ti drejtohej qytetarëve, duke iu bashkuar thirrjeve për të respektuar masat që dikton pandemia Covid 19, teksa shifrat e të infektuarve po rriten cdo ditë.

"Është e qartë tashmë se vala e dytë e pandemisë ka goditur Shqipërinë dhe gjendja po rëndohet dita-ditës. Spitalet janë të mbipopulluara, urgjencat janë përplot me qytetarë që presin ndihmë. Mjekët janë të mbingarkuar, të pambrojtur dhe pa mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen. Asgjë nuk është me çmuar se jeta dhe shëndeti juaj. Ndaj ju bëj thirrje të tregoni maksimumin e vëmendjes dhe kujdesit për të mbrojtur jetën, veten, fëmijët, prindërit dhe familjet tuaja", tha Basha. 

Përballimin e kësaj situate Basha e sheh të vështirë, në kushtet ku sipas tij, qeveria pason përgjegjësinë te qytetarët.

"Si lideri i opozitës, në këtë situatë shumë të vështirë, me përgjegjësi të plotë kam ofruar alternativa, kam ofruar zgjidhje. I kam kërkuar kryeministrit të përgjigjet me seriozitetin që i kërkon detyra dhe situata.   E vetmja përgjigje është se fajin e kane qytetarët. Por ne bëjmë përgjegjëse qeverinë për mungesën e lidershipit dhe të veprimit nga ana e saj", shtoi ai. 

Nëpërmjet videomesazhit, Basha tha se dështimi me pandeminë vihet re edhe në aspektin ekonomik, duke e renditur shqipërinë në vendin më të varfër të rajonit. Teksa akuzon se vendi ka mbetur pa lidership, kreu i demokratëve tha se shumica e qytetarëve nuk përballojnë dot kostot e larta të medikamenteve që përdoren për të trajtuar koronavirusin.