Koronavirusi/ Bankat ngrijnë këstet e kredisë për 3 muaj, mbyllen sportelet e UKT dhe OSHEE...ku të kontaktoni! Vijon dezinfektimi

Me shpalljen pandemi të COVID-19, në Shqipëri vijojnë të merren masat parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

Shumë institucione e ambiente publike po dezinfektohen nga punonjës të bashkisë në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ndërkohë janë mbyllur të gjitha sportelet për shërbime, ku gjithçka bëhet me kërkesa online ose përmes numrave të caktuar të telefonit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:43
Koronavirusi/ Dezinfektohen ambientet publike në Belsh

Edhe në qytetin e Belshit po dezinfektohen ambientet publike, kënde lojërash, automjetet e tranportit publik dhe pedonalja në të gjithë vijën e liqenit, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Ora 13:16
Koronavirusi/ UKT mbyll sportelet, shërbimet vetëm online ose tek zyra qendrore

Të gjitha pikat e UKT-së dhe arkat do të jenë të mbyllura deri në një njoftim të dytë, nga dita e sotme. Ndërkohë që shërbimi do të merret vetëm në Zyrat Qendrore dhe Njësitë UKT.  

Për kryerjen e pagesave të faturave të ujit qytetarët mund të përdorin  kanalet alternative: Aplikacionet Bankare  e-Banking; Easy Pay; Ëestern Union; AK Invest; si dhe në Zyra Qendrore të UKT-së ku do të sigurohet shmangia e radhëve dhe respektimi i distancës së lejuar nga autoritetet për në këtë situatë.

UKT njofton të gjithë qytetarët që për defekte apo probleme të tjera që lidhen me Ujësjellës Kanalizime Tiranë mund të marrin në çdo kohë në numrin e gjelbër 0800 44 88, i cili do të jetë aktiv 24 orë, si dhe në platformat online: facebook- Ujësjellës Kanalizime Tiranë; [email protected]; [email protected].

Ora 13:12
Koronavirusi/ OSHEE me 50% të stafit, shërbim të reduktuar për klientët...vetëm me masa mbrojtëse

Edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka marrë masat parandaluese dhe mbrojtëse ndaj koronavirusit, do të reduktojë më 50% numrin e punonjësve në detyrë, ndërkohë që kushdo që do të ketë marrëdhënie me klientët do të duhet të respektojë me rigorozitet masat profilaktike të rekomanduara (maska, doreza, dezinfektuesit e mjedisit, etj.), duke respektuar distancat minimale të qëndrimit prej jo më pak se 1 metër largësi nga kolegët dhe klientët.

Megjithatë, drejtuesit e njësive organizative po marrin masat për reduktimin e fluksit të klientëve në shërbimet për publikun, duke rekomanduar klientët të përdorin alternativa të tjera komunikimi.

Për të evituar radhët dhe kontaktet  pranë sporteleve tona në lidhje me shërbimet qe kanë të  bëjnë me kërkesë-ankesat mund të përdorni kontaktet: 04 22 74 141; [email protected]; [email protected]; www.oshee.al/online

OSHEE ka urdhëruar ndalimin e punimeve në rrjetin elektrik (remontet, investime), përjashto rastet e defekteve, me qëllim furnizimin normal me energji elektrike.

Ora 13:07
Emergjenca nga koronavirusi/ Bankat ngrijnë pagesat e kësteve të kredisë për 3 muaj

Banka e Shqipërisë, si autoritet qendror bankar shtetëror, ka vendosur sot që bankat e nivelit të dytë të ngrijnë pagesat e kësteve të kredive për një periudhë tremujore. Kjo masë merret në kuadër të situatës së emergjencës së krijuar nga koronavirusi, që ka prekur edhe Shqipërinë.

Vendimi duhet të zbatohet nga të gjitha bankat dhe për të gjitha kreditë. Kjo masë parashikohet që në radhë të parë të shmangë radhët që krijohen nëpër sportelet e bankave dhe për këtë qëllim.

Nga ana tjetër, masa e ngrirjes së pagesës së kësteve të kredive mendohet edhe si një lehtësim për qytetarët dhe bizneset, të cilëve do t’u ndërpriten apo reduktohen mundësitë e aktivitetit ekonomik, si pasojë e ndalimeve të urdhëruara nga qeveria. Në bazë të Vendimeve më të fundit të qeverisë, shumë ndërmarrje do të mbyllen apo reduktojnë aktivitetin, duke bërë që shumë biznese dhe qytetarë të kenë mundësi më të kufizuara për të shlyer detyrimet financiare ndaj bankave.

BSH vendosi që për këtë qëllim bankat të mos aplikojnë penalitetet ndaj klientëve, të tilla si kamatë vonesa, etj.

Ora 12:00
Koronavirusi/ Mbyllen qendra interneti dhe kënde lojërash në Gjirokastër (VIDEO)

Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur qendra interneti dhe kënde të lojrave ku grumbullohen shumë persona në qytetin e Gjirokastrës.

Ora 09:57
Dezinfektohen gjatë natës rrugët dhe bulevardet në Vlorë (VIDEO)

Gjatë natës, rrugët, bulevardet e qytetit të Vlorës janë dezinfektuar, si një masë parandaluese kundër koronavirusit. Një gjë e tillë është ndërmarrë në shumë qytete të Shqipërisë, që kur u konfirmua rasti i parë me koronavirus.

Ora 09:04
Dezinfektohen të gjithë ambientet publike në Tropojë, asnjë i dyshuar me koronavirus (VIDEO)

Në rrethin e Tropojës nuk ka asnjë individ që dyshohet apo është i infektuar me koronovirus. Bashkia ka marrë masa parandaluese duke dezinfektuar ambientet e shërbimeve publike dhe duke shtuar numrin e punëtorëve e makinerive në pastrimin e shpejtë të mbeturinave. Në spitalin e qytetit është krijuar e kompletuar me mjete e personel në shërbim 24 orë.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim